Identitetin kombëtar të një populli e përbëjnë shumë faktor, si p.sh.: gjuha, feja, territori, prejardhja, e kaluara e përbashkët etj. Këtë identitet e përforcojnë edhe simbolet që krijohen pasi formohet shteti, sikur që është: flamuri, emri i shtetit, himni shtetëror, valuta e shtetit etj.
Parashtrohet pyetja: a identifikohet me këta karakteristika edhe kombi shqiptar?
Të marrim si shembull një person me emrin Hasan nga Gostivari, e që ka jetuar prej vitit 1904 deri në vitin 1993.
Hasani kur ishte 6 vjeçar shkoi në shkollë. Ai atje mësoi turqisht dhe shqip me alfabet arab. Aty e mësuan se duhet që ta respektoj Sulltanin dhe flamurin e kuq me gjysmëhënë dhe yll të bardhë dhe se duhet që të jetë besnik i shtetit të tij, gjegjësisht të Perandorisë Osmane.
Në vitin 1913, kur Hasani hynë në klasën e tretë, një mësues tjetër i flet atij serbisht dhe i thotë që ta mësojë alfabetin cirilik pasi që qenka analfabet. Atij ia mësojnë gjuhën serbe dhe i thonë se duhet që të jetë besnik i “Kralit” dhe flamurit të tij. Shteti i Hasanit papritmas u bë Serbia. Ai në shkollë mësohet që ta këndoj himnin e ri të shtetit, dhe librat e ri shkollor nuk i blen si më parë me lira, por me valutën e Serbisë.
Kur ritet, ai detyrohet që të shkoj në ushtri, dhe atje i thonë që shteti i tij është Jugosllavia dhe se duhet që të mësoj himnin e ri.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Gostivari bëhet pjesë e Shqipërisë. Kur Hasani shkon në administratë që ta dorëzoj një lutje, administratorët e rinj i thonë atij: “qenke analfabet pasi që nuk din të shkruash shqip me alfabet latin”. Administratorët e njoftojnë se mbreti tij është ai i Italisë, Etiopisë dhe Shqipërisë, dhe se taksat administrative duhet që t’i paguaj me franga; para këto që Hasani nuk i njeh.
Pas Luftës së Dytë Botërore, fëmijët e Hasanit kur vijnë prej shkolle i vizatojnë atij flamurin e ri të shtetit me yll të kuq si dhe e këndojnë himnin e ri që e kanë mësuar në shkollë. Fëmijët po ashtu i thonë Hasanit se ata janë pionier të Titos dhe se Tito-ja është edhe lideri i tij. Kur fëmijët e Hasanit kërkojnë para për në shkollë, ai me këtë rast iu jep dinar.
Pasi që Hasani mplaket dhe i bën 88 vjet, nipërit e tij e njoftojnë se shteti i tyre tani quhet ish republika jugosllave e Maqedonisë dhe se flamurin e kanë si ventilator, dhe se ai duhet t’i konvertojë paratë që i ka, se valuta e shtetit nuk është më dinari por është denari.
Tani parashtrohet pyetja se ky Hasani plak kur vdiq çka ishte? Ishte ai turk, serb, jugosllav, italian apo sllavo-maqedon? Nëse ne merremi me teoritë bashkëkohore të identitetit, teorira këta që mundohen disa të na i imponojnë edhe neve, ai ishte krejt ato kombësi të lartpërmendura. Mirëpo Hasani që jetoi në Gostivar gjithë jetën e tij lindi dhe vdiq shqiptar pasi që gjuha e tij ishte shqipja.
Kombin shqiptar nuk e formon shteti, emri i shtetit, feja, flamuri, himni, valuta etj. Shqiptarin gjuha shqipe e bën shqiptar. Nëse Hasani nuk do të kishte folur shqip në shtëpi ai nuk do të kishte identitet kombëtar.
Por edhe ky konstatim nuk mund të jetë përfundimtar. Kjo pasi që në Gostivar ka shqiptarë ortodoks, pleqtë e të të cilëve ende flasin shqip, mirëpo deklarohen sllavo-maqedon. Po ashtu në Gostivar ka shumë prej tyreve që janë dhe që deklarohen shqiptarë mirëpo komunikojnë kryesisht turqisht.
Çështjen e identitetit kombëtar në përgjithësi e sidomos atë të shqiptarëve në veçanti është e vështirë për ta definuar.
EDITOR
11 years ago
you might also like
JO KRIME, NË EMËR TË NDERIT! – Dr. Bashkim Aliu
2 years ago
Agjërimi shkollë e durimit
3 years ago
Një vazo me shumë lule!
3 years ago