Anketat tregojnë se shumë amerikanë nuk e njohin pothuajse fare fenë islame dhe keqinterpretimet për natyrën e vërtetë të saj janë të zakonshme, veçanërisht pas sulmeve terroriste siç ishte ai i fundit në Boston dhe 11 shtatori i vitit 2001.

Megjithatë përpjekje për të ndihmuar publikun amerikan të kuptojë më mirë islamin janë ndërmarrë në një numër universitetesh amerikane nga imamët myslimanë, përmes edukimit dhe komunikimit në media.
Imami Yahya Hendi ka qenë imamë mysliman në Universitetin Georgetown që në vitin 1999. Georgetown ishte universiteti i parë amerikan që punësonte një imamë mysliman. Misioni i imamit Hendit është edukimi i studentëve myslimanë dhe jomyslimanë për islamin.
“Puna ime është të mësoj, edukoj dhe këshilloj, këshillim shpirtëror dhe akademik. Punoj shumë me edukimin paramartesor, si të jesh një bashkëshort ose bashkëshorte e mirë. Unë jam personi që mund të pyesësh për çështje që kanë lidhje me islamin në Georgetown”.
Imami Hendi beson se dialogu ndërfetar i bën amerikanët me përvojë të ndryshme që të përpiqen të jenë njerëz sa më të mirë. Ky është synimi i një lënde popullore në Georgetown, të quajtur Takime Ndërfetare, ku pedagogët janë imami Handi, një rabin dhe një prift.
“Është e preferuar sepse studentët na shohin duke komunikuar. Mes këtyre besimeve ka mosmarrëveshje e megjithatë kemi aq shumë gjëra të përbashkëta. Përveç kësaj, studentët shohin se si ne i shprehim pikëpamjet e ndryshme në një mënyrë të civilizuar, duke përçuar mesazhin që është e pranueshme të jemi të ndryshëm. Nuk ka nevojë që ti ta kesh gabim, që unë të kem të drejtë. Fakti që njëri prej nesh është njeri i mirë, nuk do të thotë që tjetri është i keq. Të dyja palët mund të jenë të mirë dhe të kenë të drejtë”.
Ai thotë gjithashtu se studentët myslimanë kanë të njëjtat nevoja dhe pyetje si edhe studentët e besimeve të tjera, megjithëse studentët myslimanë herë pas here kanë më shumë sfida nga ana kulturore kur flasin për fenë e tyre me jomyslimanë. Pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit, Hendi thotë se roli i tij u bë edhe më kritik, për rritjen e ndërgjegjësimit për islamin.
“Shpesh më kërkojnë të flas në kisha, sinagoga dhe universitete për islamin. Cili është mesazhi i vërtetë i islamit? Është islami kundër grave apo pro grave. A është në favor të dhunës, apo kundër? A është islami një besim paqeje, apo lufte. Shumë njerëz befasohen kur dëgjojnë se fjala Islam, vjen nga fjala paqe”.
Në dispozicion të studentëve myslimanë që kur imami Hendi erdhi në Georgetown, janë dy grumbullime të përvitshme, një iftar i përditshëm gjatë muajit të Ramazanit si edhe një mjedis për lutjet myslimane.
Imami Hendi përdor lutjen e së premtes për të inkurajuar praktikimin më pozitiv të fesë myslimane.
“Unë si klerik mysliman përqëndrohem në edukimin e të rinjve tanë në lutjet e së premtes, në bisedimet dhe diskutimet tona në sallën e lutjeve. Si mund ta ushtrojnë fenë islame në mënyrë të civilizuar. Nëse bëhen të suksesshëm, mjekë, inxhinierë, ekspertë politikë të zotë, me etikë të fortë, atëherë do të jenë përfaqësuesit më të mirë të islamit”.
Imami Hendi merr pjesë në shumë nga ceremonitë e universitetit, përfshirë diplomimin e këtij viti.
Ai shpreson të marrë pjesë në mësime dhe leksione të mëtejshme, duke përdorur pozicionin e tij, për të informuar për islamin, si audiencat myslimane edhe ato të feve të tjera. /voa/