Pjesa artistike e manifestimit “Në gjurmët e më të mirëve” u mbush me emocione të veçanta me interpretimin e ilahive nga grupi i mirënjohur i kënduesve: Nusret Kurtishi, Nderim Alimi, Nafidan Miftari dhe Almin Shaqiri. Këngët e tyre, të shtrira mes devotshmërisë dhe ndjenjës kombëtare, krijuan një atmosferë të ngrohtë dhe të përmbledhur me vlera.
Manifestimi u hap me ilahinë “Kush të ka kriju”, një iahi e cila rikujtoi falënderimin ndaj Krijuesit për dhuntitë, shëndetin dhe udhëzimin që Ai i jep njeriut. Mes vargjeve të njohura “Allahu Allah”, publiku u përfshi në një qetësi shpirtërore që e shoqëroi gjithë sallën.
Pas saj, kënduesit interpretuan ilahinë “Hafiz Ali Korça”, që sjell figurën e dijetarit, patriotit dhe të devotshmit Ali Korça. Teksti i saj ndërthur vlerat e dijes, moralit dhe identitetit kombëtar, duke kujtuar sakrificat dhe urtësinë që kanë formuar brezat.
Në pjesën e dytë të programit artistik, grupi u rikthye në skenë me dy prej këngëve më të dashura shqiptare. “Diell e Hanë”, me motivet e saj të fuqishme për atdheun, sakrificën dhe trashëgiminë e brezave, solli emocione të forta dhe ngjalli kujtime të thella te publiku. Ndërsa “Thërret Prizreni” shndërroi sallën në një tingull të përbashkët bashkimi, duke rikujtuar thirrjen historike për unitet të gjithë trojeve shqiptare.
Me interpretimin e tyre profesional, grupi i ilahive i dha një dimension të veçantë artistik manifestimit. Ilahitë i dhanë mbrëmjes shpirt, frymëzim dhe mesazhin e qartë se arti i pastër dhe vlerat shpirtërore janë pjesë përbërëse e ecjes “në gjurmët e më të mirëve”.
Shkup, 26 nëntor 2025













