“Nuk ka krim më burracak se terrorizmi pasi veç jetës ai i merr njerëzve lirinë dhe sigurinë.”
Mohamed Ghilan
Është mjaft e trishtë të shohësh  grupin që u prek më shumë nga klima që pasoi sulmin me bomba gjatë Maratonës së Bostonit duke pritur dikë tjetër që t’i bëjë avokatinë. Nuk  besoj se myslimanëve i mungon aftësia dhe kapaciteti për tu shprehur apo angazhuar në një diskutim intelektual por kur retorika mbarëmediatike vazhdon t’i mëshojë “islamit radikal” saherë që flitet për raste të tilla a të ngjashme me to, të jesh mysliman në më të mirin e rasteve do të thotë të jesh i dyshimtë.
Ajo që e përkeqëson retorikën në nivel gjuhësor është prejardhja e fjalës radikal që nga latinishtja e vonë do të thotë “rrënjë”. Sipas Merriam-Webster Dictionary fjala radikal do të thotë    “diçka që ka lidhje me rrënjën, ose fillon nga rrënja; që ka lidhje ose fillon nga origjina”. Me fjalë të tjera ajo që thuhet është se vëllezërit Tsarnaev apo çdokush tjetër qe me gjasa përfshihet në aktivitete terroriste praktikon me përpikmëri mësimet rrënjësore të Islamit. Ndërsa myslimanët përpiqen ta mbrojnë fenë dhe komunitetin e tyre nga njollosja dhe përkufizimi prej këtyre akteve përqafimi i kësaj teminologjie edhe nga ana e vetë myslimanëve e bën situatën akoma më problematike.
Mënyra me të cilën Tamarlan Tsarnaev hipotetikisht “radikalizohet” në një formë “ekstreme” të Islamit të le përshtypjen se i sipërpërmenduri kish qenë praktikues ekstrem i Islamit duke ngulitur kështu idenë se problemi i vërtetë në këtë mes është Islami; konkluzion që i shkon përshtat vetëm një mendjelehti.
Në këto rrethana probemi me të cilin përballen myslimanët është se çdo përpjkje për heqjen e njollave mediatike do të hasë në skepticizëm imediat, ndëkaq kapërcimi i të tilla pengesave  nuk është sipërmarrje dhe aq e lehtë. Të dyshuarit janë myslimanë, të cilët flasin me retorikë fetare ndërsa mediat vënë në dispozicion të gjitha energjitë për të pasur Islamin si kryetitull me gërma të kuqe kapiatale sa herë që flitet për ngjarje tragjike si ajo e Bostonit.
Sipas gjasave ky mund të jetë eksperimenti më masiv pavllovian që është zhvilluaar ndonjëherë mbi reflekset e kushtëzuara pasi subjekti i tij i vëzhgimit është i gjithë publiku mbarëmediatik. Sigurisht që myslimanët as mund të ëndërrojnë për përpjekje angazhuese në kërkimin e shkaqeve jo fetare që i dhanë shtysë të pandehurve për terrorizem të bënin atë që supozohet se kanë bërë. Një përpjekje e tillë do të dukej si formë justifikimi ose të paktën si përkrahje ndaj të pandehurve për terrorizëm. Gjithsesi shpjegimi, shpeshherë në konfuzion e sipër, mund të meret edhe si justifikim.
Përgjigjet e mysliamanëve
Duhet folur qartë dhe prerë: vrasjen e njerëzve të pa fajshëm Ligji Islam e dënon me vdekje. Por te besosh se politika nuk ka gisht në atë që ndodhi do te thotë të jetosh në deluzion. Sipas  Glenn Greenwald-it në një artikull të tijin tek The Gurdian  prej terroristëve të ndaluar para apo pas sulmeve është vërtetuar se  motivet e tyre ishin pa kryekëput politike.
Nuk do të surpriszohesha aspak sikur të më bëhej me dije se një pjesë e konsiderueshme myslimanësh do të ishin gëzuar pa mase që një artikull të tillë e ka shkruar Glenn-i. Jo vetëm sepse ai si artikull ishte tëpkë i qëndisur dhe i mirëargumentuar por për vetë faktin se Glenn është amerikan, i bardhë, liberal, homoseksual dhe jo-mysliman. Pasja e një avokati të tillë, me mjaft gjasa për të qenë i dëgjuar prej një publiku i cili të themi të vërtetën nuk ka premisa per tu udhehequr nga argumentat racionalë, është fat. Pasi edhe racionaliteti që të merret seriozisht ka nevojë për një përfaqesim adeguat.
Tashmë që Glenn djerësiu këmbë e kokë për t’i dalë problemit në fund e të ndajë shapin nga sheqeri apo Islamin nga bombat, myslimanët bash mund të recitojnë e hedhin valle rreth paqes e dashurisë e të citojnë të njëjtat ajete kuronore rreth shenjtërisë së jetës etj. Imami Suhaib Webb i Islamic Society of Boston Cultural Center ka qenë mjaft aktiv në përpjekjet e tij për distancimin e Islamit dhe myslimanëve të Bostonit prej vëllezërve Tsarnaev dhe bombëvënies për të cilën këta të fundit akuzohen.
Artkulli i fundit i Webb-it në bashkëpunim me Scott Korb tek New York Times ishte një kombinim i denoncimit të aktit dhe aktorëve përgjegjës me ftesën që i bëhej amerikanëve  për të vizituar xhamitë lokale anembanë vendit për të kuptuar se ç’është Islami “i vërtetë”. Nga ana tjetër  Asra Nomani këmbëngul se përgjigje të tilla janë bërë bajate  dhe se myslimanët duhet të njohin faktin që një minoritet brenda tyre po gjen argumenta fetarë për çmenduritë që bëjnë dhe kjo është e patolerueshme.
Për fatin e keq, fanatikët e krahut tjetër që nuk lënë rast pa shfrytëzuar për demonizimin e myslimanëve dhe fesë që ata pasojnë përdorin gjithmonë këto ngjarje të tmerrshme si prova se Islami është i keq. Këta fanatikë luajnë me mungesën e dijes që publiku ka rreth numrit të viktimave të shkaktuara prej grupeve të ndryshme fetare. Siç Juan Cole tregon në një nga analizat e tij të fundit, kur flasim për vrasje në masë, Evropa e krishterë nuk ka të dytë.
Është e pamundur t’i bëjmë ballë  fajësimit të fesë për monstruozitete, kinse ajo është imponuesja, nësë besojmë se mu këtu gjendet shpjegimi që na ofrojnë ata të cilët mohojë natyrën njerëzore. Siç John Stuar Mill vërejti kohë më parë  Kisha edhe kur zotëronte pushtet të plotë mbi njerëzit dhe institucionet “ nuk mundi t’i detyronte njerëzit të luftonin më pak mes tyre, as të zvogëlonte shfrytëzimin që feudalët i bënin bujkrobërve apo mëditësve”.
Terrorizmi është anti-Islam
Ideja se terrorizmi mund të justifikohet prej Islamit nuk mbështetet askund veç në frikë dhe retorikë çoroditëse. Kaq gjë kuptohet menjëherë edhe nga dikush që Ligjin Islam e njeh në nivel fillestar. Këto premisa mund të na ndihmojnë t’ja nism diskutimit nga perspektiva legale Islame.
Një prej transmetimeve më të sakta prej Profetit Muhamed përsa i përket sjelljes në situatë lufte është ai që shumë prej shokëve të tij tregojnë e që mund të gjendet në përmledhjet kryesore të Haditheve (thënieve dhe veprave profetike) i cili na bën me dije se “ i Dërguari i Zotit ka ndaluar vrasjen e grave, fëmijëve dhe pleqve”. Kjo ndalesë ka një gradë aq të lartë rreptësie saqë shumë shkollarë myslimanë janë të mendimit se edhe gjatë betejës përballja me luftëtaret femra duhet evituar me çdo kush, përveç rastit kur bëhet fjalë për jetë-a-vdekje.
Sipas të tjera transmetimeve, thuhet se Profeti Muhamed ka ndaluar edhe vrasjen e figurave fetare, murgjërve, kafshëve madje ka ndaluar edhe prerjen e pemëve nëse eventualisht lufta bëhej për marrjen e një qyteti.
Përsa i përket Kuranit, autoritetit më të lartë në Islam, ai vazhdon të citohet jashtë kontekstit për tu vënë në shërbim të atyre që në mëndje kanë disa qëllime të caktuara. Këtu nuk kemi të bëjmë me një përkthim të keq prej arabishtes. Të gjitha ajetet që flasin për luftën janë mjaft të kufizuara  dhe nuk mund të ekstraktohen sipas midesë së fanatikëve myslimanë a cilëtdo qofshin.
Në fakt, sipas Kuranit, nëse një luftetar i kampit kundershtar  lëshon armën përdhe dhe ndërpret luftimin atëherë ky veprim bëhet i detyrueshem edhe për luftëtarin mysliman (Kuran 4:90). Ka një kufi të cilin myslimanët nuk mund ta kapërcejnë. Kuptohet  këtu pa shumë stërhollime se jo-luftëtarët, pavarësisht se kush janë e ç’besimi i përkasin, nuk mund të keqtrajtohen a priori. Kjo nuk është punë opinionesh apo ndjekje e ndonjë “Islami të moderuar”, me të gjitha kuptimet që i janë vënë pas. Ky është Ligj i pastër Islam.
Origjina e keqinterpretimeve
Duke i hedhur një vështrim traditës ligjore Islame dhe çfarë ajo thotë mbi dhunën e padiskriminuar kundra jo-luftëtarëve është e sigurt se për shumëkënd do të gjeneronim një rast disonance konjitive. Është mjaft e vështirë që dhunës së shkaktuar prej ekstremistëve myslimanë që citojnë Kuranin dhe ulërasin “ Allahu Ekber” t’i bashkëvendosësh mesazhin e kundert, pra që këto akte në fakt nuk janë të justifikueshme islamikisht në asnjë mënyrë.
Nëse japim për të mirëqenë se aktet terroriste në asnjë mënyrë nuk sanksionohen prej Islamit atëherë nga vjen ideologjia e terrorit me të cilët ushqehen terroristët? Rreth kësaj çështjeje le t’i kthehemi për shqyrtim gjendjes aktuale të arsimit islam, rrënjët e të cilit shtrihen
në copëtimin e Perandorisë Osmane dhe krijimin e shteteve arabe moderne që fillimisht ishin koloni të shteteve të ndryshme evropiane.
“Modernizimi” i botës islame gjatë periudhëas koloniale preku shumë aspekte të jetës. Një ngjarje  mjaft e rëndësishme në këtë mes ishte sekularizimi i sistemit arsimor, i cili i pati fillesat në Stamboll, ndjekur më pas prej Egjyptit e mbarë vendeve të tjera myslimane. Kjo nënkuptoi divorcin me arsimin tradicional islam në të gjitha kurrikulat mësimorë. Është me interes të theksojmë se qëllimi i sistemit të sapofutur arsimor ishte ushtarak (mjaft ironik si fakt po te kihen parasysh rrethanat aktuale) dhe jo arsimues. Metodat e implementimit të këtij sistemi të ri arsimor nuk kishin si qëllim modifikimin e sistemit ekzistues tradicional islam por krijimin e  një sistemi paralel i cili eventualisht të mund të minonte të parin.
Ndryshimi i sistemit arsimor ishte vetëm një aspekt i ngjarjeve që u zhvilluan atëbotë gjatë pushtimit kolonialist evropian. Ajo që ndodhi në tërësi ishte shpërbërja sistematike e gjithçkaje që mendohej se mund të kërcënonte prirjet kolonialiste të Perëndimit. Sidoqoftrë llogaritë u gabuan në një pikë; Islami si fe nuk merret vetëm me çështje teologjike dhe metafizike por gjithashtu edhe me problemet e kësaj bote. Edhe pse i pajustifikueshëm, fakti që disa të rinj myslimanë adresojnë problemet e tyre politike dhe ekonomike brenda një konteksti fetar nuk duhet të na shastisë.
Mospasja e arsimimit adeguat nga mësimdhënës të kualifikuar, i hap shtegun fanatizmit ekstremist i cili mund të veshë koncepte islame si Xhihadi. Për shembull, fetvaja qëndrore mbi të cilën grupe terroriste si al-Kaida mbështesin gjithë ideologjinë e tyre u zbulua së fundmi se ishte një tekst i tjetërsuar(corrupted) qe qarkullonte gjerësisht me ndihmën e shtypshkronjave. Për shqyrtimin e vërtetësisë dhe validitetit të kësaj fetvaje dijetarët më në zë të botës islame u mblodhen ne Konferencën e Merdinit   të vitit 2010. Mbas shqyrtimit të tekstit nga këndvështrimi gjuhësor doli qartë se teksti origjinal i fetvasë ishte tjetërsuar.
Ekzaminimi i dorëshkrimeve të hershme të tekstit konfirmoi  njëmend se ajo që gjendej në qarkullim ishte një vesion i devijuar i dorëshkrimit origjinal, i cili i’a ndryshonte kryekëput kuptimin tekstit. Ky zbulim u arrit vetëm nëpërmjet intelektit dhe syrit të mprehtë dallues të shkollarëve muslimanë të arsimuar në sistemin tradicional. Pra, kur një pakicë mendjeshkurtërish që nuk janë në gjendje as të zgjedhojnë në arabisht një folje lëre pastaj të interpretojnë Kuranin e të nxjerrin rregulla prej tij, pretendon se veprat e tyre janë në përputhje me urdhëresat islame,atëherë e mira është ta ndalim hapin e të mendojmë .
Verdikti islam mbi terrorizmin
Me përkufizim terrorizmi e nxjerr islamin prej diskutimit. Një hetim i afërt i Islamit nëpermjet metodave dhe kontekstualizimit të duhur e bën të pamundur përfundimin se Islami justifikon apo, më keq akoma, kërkon në emër të tij vrasjen masive të njerëzve të pafajshëm në rrugë. Çfarë ne shqyrtojmë janë reperkusionet e vendimeve politike dhe forcat historike që nxitën kryerjen e akteve të çmendura prej myslimanëve të devijuar të cilët me pafajësi mendojnë se kështu i shërbejnë islamit dhe myslimanëve.
Ajo që këta njerëz nuk arrijnë të kuptojnë është e keqja që i shkaktojnë myslimanëve të tjerë që janë të detyruar të vuajnë mbi kurriz pasojat afatgjata socio-politike të akteve të tyre. Nga ana tjetër i kanë rritur mundësitë  fanatikëve anti-Islam duke kontribuar në rritjen e islamofobisë mes njerëzve në përgjithësi duke i dhënë në duar këtyre fanatikëve tyrilloj marifetesh  për të luajtur me publikun si prestigjatorë- a nuk i shihni sulmet terroriste? Nuk është faji i avionëve tanë bombardues pa pilot, as i pushtimeve, vjedhjes së burimeve të tyre natyrore, i qeverive kukulla në shërbimin tonë, sanksioneve çnjerëzore, rrëmbimeve dhe burgosjeve pa gjyq-fajin e ka Islami!
Mirëpo kur marrim në shqyrtim terroristin rrengu del sheshit. Sipas ligjit Islam, nëse terroristi kapet si konsumues i veprës penale dhe i nënshtrohet një  procesi të rregullt gjyqësor, dënimi i tij do të ishte me vdekje. Sepse në vendet publike njerëzit kanë të gjithë të drejtën të ndjehen të mbrojtur e të sigurt si për veten e tyre ashtu edhe për të afërmit e zemrës. Nuk ka krim më burracak se terrorizmi pasi veç jetës ai i merr njerëzve lirinë dhe sigurinë. Sanksionohet me ndërshkimin më të ashpër  pasi edhe efektet e tij mbi shoqërinë janë shkatërrimtare.  Provat  sot janë të qarta si për jo-myslimanët ashtu edhe për myslimanët.
Siç Murtaza Hussein artikulon në mënyrë mjaft konçize myslimanët nuk duhet të shqetësohen vetëm për deklaratat e papërgjegjshme politike të atyre që kërkojnë të na dëmtojnë; ata duhet të shqetësohen gjithashtu edhe sesi këto deklarata perceptohen nga bashkëqytetarët e tyre të cilët devijohen dita-ditës nga përfaqësimi radikal që mediat i bëjnë myslimanëve.
Ironikia në këtë mes qëndron në faktin se nësë Dzhokhar Tsarnaev gjykohet ndershmërisht, i provohet fajësia dhe merr dëniminme vdekje; atëherë sistemi amerikan i drejtësisë është duke zbatuar katërcipërisht Ligjin Islam dhe pikërisht mu në mes të ciklonit retorik anti-Islam.
 
Përshtati në shqip: Nolian Seitaj
Burimi: http://www.aljazeera.com/indepth/opinion/2013/04/201342894844652561.html