Nga sa u pa mësipërm, lexuesit shqiptar e më gjerë të gazetës KOHA, mund të shohin se me çfarë metodash të fëlliqura, regjimi komunist jugosllav në atë kohë përpiqej ti njollos krerët udhëheqës të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në mërgim. Është e patjetërsueshme të thuhet se një aksion i tillë, nuk do të mundej të realizohej poqë se në të nuk do të kyçeshin disa vegla më të besueshme të pushtetit, shqipfolës, të cilët në emër të “patriotizmit jugosllav”, në çdo hap e përcjellshin veprimtarinë atdhetare të mërgatës shqiptare, në këtë rast të Lidhjes Kosovare dhe të figurave të saj udhëheqëse, siç ishin: Hafiz Jusuf Azemi, Luan Gashit, Ekrem Bardha, Bardhyl Shatku, Ajet Rushiti e shumë e shumë të tjerë. Një pjesë e tyre vepronin brenda institucioneve të atëhershme komuniste jugosllave, ndërsa pjesa tjetër, që ishe më e rrezikshme, ishin shpërndarë nëpër vendet e ndryshme të Evropës Perëndimore, SHBA, Kanada, Australi, Turqi etj., ku për çdo ditë u dërgonin raporte padronëve të tyre në Beograd, Shkup e Prishtinë, për aktivitetet e mërgatës shqiptare. Kështu, komunistët e Beogradit, Shkupit e Prishtinës, për ta përcjell veprimtarinë e Jusuf Azemit e të Lidhjes Kosovare, kishin angazhuar jo më pak se 88 bashkëpunëtorë. Ata ishin shpërndarë në disa qendra më të rëndësishme, si: Çikago, Nju Jork, Detroit, Toronto, Kopenhagë, Bruksel, Paris, Stamboll, Munih, Romë, Ankara etj. Letra që u përgatit nëpër kuzhinat e fshehta të Beogradit, Shkupit e Prishtinës, në fillim krijoi një huti tek veprimtarët e Lidhjes Kosovare. Mirëpo, së shpejti, pasi e kuptuan lojën e fëlliqur të komunistëve jugosllav, vazhduan aktivitetin e tyre në të mirë të çështjes shqiptare në përgjithësi, veçmas të çështjes së Kosovës. Këtë më së miri e dëshmonin përfaqësitë diplomatike jugosllave, të cilët në pjesën e dytë të vitit 1982, pandërprerë raportonin për aktivitetin e Lidhjes Kosovare dhe të organizatave tjera shqiptare në SHBA. Në këtë numër po i shpalosim shtatë dokumente (njoftime, informata, telegrame, depeshe) të përfaqësuesve diplomatik jugosllav nga Nju Jorku, Çikago, Uashingtoni e Parisi, të cilët hedhin dritë mbi veprimtarinë e intelektualëve dhe të udhëheqësve të atëhershëm shqiptar që vepronin në mërgim. Dokumentet në fjalë botohen në tërësi dhe në mënyrë kronologjike, pa asnjë koment apo ndërhyrje, me qëllim që lexuesi vetë ta paraqet vlerësimin e tij:
Dokumenti 1, Beograd, 29.07.1982:
“Nga informata e konsullit tonë në Çikago, njoftohemi se Jusuf Azemi, më 27 korrik (1982 – Q.L.) në Uashington ka caktuar mbledhje me Charls Persy, kryetarin e Komitetit për Politikë të Jashtme të Senatit Amerikan. Mbledhja erdhi me iniciativë të Azemit, i cili pas konsultimit me bashkëpunëtorët ka vendosur të takohet me qëllim të njohurive për qëndrimet e fundit zyrtare të administratës për “çështjen shqiptare” në RSFJ, si dhe të kërkoj ndihmë qeverisë së SHBA në zgjidhjen e saj. Në Uashington do ta shoqërojë Faton Gashi, vëllai i Luan Gashit. Konsullata nënvizon se pas një heshtje të caktuar që erdhi pas demonstratave të pasuksesshme, të cilat, ndër të tjera, mjetet e informimit amerakan tërësisht i injoruan, pastaj dështimi me A. Rafalsonin, padyshim se Jusuf Azemi, nëpërmjet takimit me Persyn përpiqet të vij te mënyra e veprimit të mëtutjeshëm. Pas takimit me Persyn, Jusuf Azemi të njëjtën ditë udhëton për Nju Jork, ku ka caktuar takim me ndonjë avokat për shqyrtimin e mundësisë (kushteve) për dhënien eventuale të padisë deri te gjyqi Ndërkombëtar i drejtësisë për gjoja “shkeljen e të drejtave njerëzore” në RSFJ. Para shkuarjes në këtë takim Jusuf Azemi në mesin e njerëzve të tij zgjeron zëra se si gjoja, ky avokat i “garanton sukses”.
Dokumenti 2, Beograd, 13 gusht 1982:
“Më 27 korrik 1982, Jusuf Azemi dhe Ajet Rushiti nga Çikago, Prenk Camaj nga Detroiti, Luan Gashi dhe Avdyl Henci nga Nju Jorku të gjithë pjesëtar të Lidhjes Kosovare, e kanë vizituar redaksinë e “Nju Jork Tajms-it” ku kanë qenë të pranuar nga një redaktor i gazetës. Kanë deklaruar se kanë ardhur në emër të shtetasve amerikan me prejardhje shqiptare familjet e të cilëve si dhe mbarë kombi shqiptar në RSFJ “përjetojnë ditë tragjike”, me kërkesë që “Nju Jork Tajms” të publikoj një seri shkrimesh për këtë temë. Për këtë qëllim kanë ofruar material të shkruar adekuat (ndër të tjerash edhe shkëputje nga NIN, dhe servisit të TANJUGut) për gjoja gjenocidin mbi shqiptarët në RSFJ, shpërnguljen në Turqi në vitet e pesëdhjeta dhe “revolucioni” e paradokohshëm në Kosovë. Duke i pranuar materialet, redaktori ju ka “premtuar” se do të autorizoj ndonjë gazetar në RSFJ që të grumbulloj material dhe personalisht të observoj”.
Dokumenti 3, Uashington, 22 shtator 1982:
“Ju njoftojmë se njëri ndër udhëheqësit e Lidhjes Kosovare, Luan Gashi, me dy emigrant tjerë nga Nju Jorku, më 11 e 12 shtator (1982 – Q.L.) ka qëndruar në Uashington, ku është takuar me Dodë Prenk Camajn, klerikun ekstrem nga Detroiti, i eksponuar në veprimtarinë armiqësore të emigracionit shqiptar dhe se së bashku i kanë dorëzuar administratës amerikane një peticion për gjoja shkeljen e të drejtave të njeriut në RSFJ. Thuhet se nga Uashingtoni për Jugosllavi kanë udhëtuar një grup njerëzish afaristë të cilët gjoja vijnë për bashkëpunim ekonomik /do të shkojnë në brendi të Serbisë dhe në Kosovë/, ndërsa duhet ti verifikojnë të dhënat e peticionit të përmendur, të cilin ua kanë dorëzuar Gashi dhe Camaj. Jemi në pritje për informatë më të plotë dhe më të detajuara. Duke pas parasysh rëndësinë e informatës pa marrë parasysh se nuk është e plotë, po ua dërgojmë për shfrytëzim dhe për veprim të mëtejshëm.
Dokumenti 4, Nju Jork, 29 shtator 1982:
“Posedojmë me të dhëna jo të plota se pjesëtarët e dalluar të emigracionit shqiptar në SHBA, planifikojnë të mbajnë një mbledhje të zgjeruar, kushtuar Kosovës. Tubimi do të mbahej më 6 nëntor 1982 gjoja në Universitetin e Nju Jorkut dhe do të kishte një far karakteri “internacional”. Tash më pjesëmarrësve nga Evropa ju është dërguar ftesa, si edhe disa profesorëve nga RF e Gjermanisë dhe Francës të cilët për gjendjen në Kosovë do të shkruajnë dhe botojnë libër. Gjoja, është arritur marrëveshja që mjetet financiare për realizimin e këtij tubimi të dërgohen në adresën “Internacional Konference of Kosov”, P.O.Box.489 N. Baldwin, New York 11510. Organizator të mundshëm të aktivitetit të tillë të emigracionit janë Prenk Camaj, Ekrem Bardhi, Luan Gashi dhe ndonjë emigrant tjetër i dalluar nga ky territor.”
Dokumenti 5, Beograd, 29 shtator 1982:
“Disponojmë me informatën se mbledhja komemorative “dëshmorët e luftës kundër komunizmit” është mbajtur më 19 shtator 1982 në ora 13 në xhaminë e Waterburrit – Nju Jork. Në mbledhje morën pjesë rreth 100 vetë. Nga më të njohurit ishin Vidaj Mineli, sekretar i Ballit Kombëtar për Waterbur, Dr. Ramazan Turdiu, hoxha Qemal Lami, Servet Mena, Dr. Nihat Bakalli, anëtar i KQ të Ballit Kombëtar, Petrit Butka, Gani Hilmiu, i lindur në Strugë, Dr. Ligor Buci, prof. Gjon Bardino, Luan Gashi me 3-4 persona tjerë nga Nju Xhersi, pastaj Jusuf Azemi dhe Mirvet Muça. Në fjalimet e tyre shumë ashpër e kanë sulmuar Jugosllavinë, Luan Gashi dhe Jusuf Azemi i cli e përmendi edhe Muhamed Tërnavën, që sipas tij është vrarë në burgun e Beogradit. Pas mbledhjes për udhëheqësit e organizatave dhe për disa miq pjesëmarrës, u shtrua darkë në Paterson – Nju Xhersi. Në darkë morën pjesë rreth 20 persona, e cila u shtrua në klubin shqiptar në Paterson. Përveç personave që i numëruam në darkë morën pjesë edhe Ziadin Qira, Esad Bajraktari, Sait Kryeziu, Nexhip Dauti, sekretar i Ballit Kombëtar për Nju Xhersi, Kadri Bajrami, Levis Zanga nga RF e Gjermanisë i cili punon për radio “Evropa e Lirë”, Zeqir Berisha dhe Sulejman Beça. Luan Gashi deklaroi se para do kohe është pensionuar prandaj tash ka më shumë kohë për të udhëtuar në Uashington për punët e “Lidhjes Kosovare” dhe për një veprimtari më intensive në organizatë. Në darkë u fol për “Konferencën Ndërkombëtare për Kosovën” e cila duhet të mbahet në Universitetin e Nju Jorkut më 6 nëntor 1982 (e jo më 4 nëntor 1982). Konferencën e kanë organizuar Arshi Pipa dhe Sami Repishti nëpërmjet Kotor Peter i cili është profesor në këtë Universitet dhe i cili ishte njëri ndër folësit në seminarin kushtuar Fan Nolit. Në konferencë janë ftuar të gjithë intelektualët – shqiptarë, ndërsa pritet ardhja edhe e Martin Camajt nga RF e Gjermanisë dhe DR Kauffmanit nga Vjena, si dhe albanolog – amerikan.”
Dokumenti 6, Beograd, 16.11.1982:
“Disponojmë me informacionin se Abaz Ermeni nga Parisi, ka ngritë aksionin për thirrjen e një mbledhje të veçantë të Liderëve të EASH (emigracionit armiqësor shqiptar- Q.L.) nga SHBA, Kanada dhe Evropë për fundin e nëntorit apo fillimin e dhjetorit të këtij viti në Londër. Për këtë qëllim kryhet një far konsultimi. Krahas marrëveshjes për aksionet e përbashkëta në të ardhmen të EASH, pjesëmarrësit do ta trajtojnë se në cilën mënyrë dhe formën do ti drejtohen qeverisë së Britanisë së Madhe për dhënien e ndonjë “mbështetje” dhe “ndihme” të caktuar EASH, për çka vetëm se bëhen disa sondazhe dhe parapërgatitje të caktuara në teren. Pjesëmarrjen përveç Jusuf Azemit nga Çikago e kanë paralajmëruar edhe: Vasil Andoni nga Roma, Sulejman Meça nga Vidzori, pastaj përfaqësuesit nga Austria, RF e Gjermanisë etj. Nevojitet angazhimi i juaj në verifikimin dhe përcjelljen operative të mëtutjeshme të këtyre njohurive.”
Dokumenti 7, Beograd, 16.11.1982:
“Disponojmë me informacionin se Arshi Pipa, Sami Repishti dhe Abaz Ermeni nga Parisi, janë iniciatorët e Konferencës për Kosovën. Qëllimi është “zbardhja shkencore e historisë së Kosovës” duke pas konsideratë ndaj botës së lirë për prezantimin e së “vërtetës”. Për këtë qëllim edhe referatet e konferencës të shtypen si publikim i veçantë në gjuhën angleze. Shpenzimet e konferencës si edhe shtypjen e publikimit do ti mbuloj “Komuniteti shqiptar i Amerikës”. Jusuf Azemi tash më në territorin e Çikagos vetëm se po zhvillon aksionin e grumbullimit të shumës prej 5.000 dollarësh. Nga kjo shumë “Balli Kombëtar” prej fondit të vet duhet të ndaj 1.500 dollarë, ndërsa shuma tjetër duhet të grumbullohet nga aksioni i veçantë. Në këtë tubim do të marrin pjesë Dr. Jani Gjilo dhe prof. Sef Shlaku nga San Francisko”.
(Në dy numrat e ardhshëm shpalosim raportin e Reis Shaqirit, dërguar Agjencisë për Mërgim të RS të Maqedonisë (Matica na Iseleniciti od SR Makedonija), lidhur me veprimtarinë e mërgatës shqiptare në Çikago, Detroit e Toronto)