Në një reagim ndaj SRG, kryetari i shoqatës Zvicër-Shqipëri, Rolf Alther shpreh mospajtimin për shqiptimin e pasaktë që i bëhet mbiemrit të Xherdan Shaqirit si “Shakiri”, transmeton albinfo.Kryetari i shoqatës “Zvicër-Shqipëri, Rolf Alther, si njohës dhe mik i mirë i shqiptarëve bën “kujdestari” ndaj zhvillimeve që kanë lidhje me paraqitjen e imazhit shqiptar në mediet dhe opinionin zviceran.
Në një reagim të tij të drejtuar këto ditë ndaj transmetuesit publik zviceran SRG, ai shpreh mospajtimin me një shtrembërim që, në mënyrë të pakuptueshme, ka zënë vend në mediet e këtushme. Është fjala për shqiptimin e pasaktë që këtu i bëhet mbiemrit të yllit të futbollit zviceran e gjerman, me rrënjë shqiptare nga Kosova, Xherdan Shaqirit.
Siç e kanë dëgjuar të gjithë ata që ndjekin mediet në gjuhën gjermane, mbiemri Shaqiri pa përjashtim shqiptohet si “Shakiri”. Dhe kjo gjë është e papranueshme për z. Alther.
Një shqetësim lidhur me shqiptimin e mbiemrit të Shaqirit e pati paraqitur kohë më parë edhe publicisti dhe deputeti me prejadhje shqiptare në kantonin e St. Gallenit, Etrit Hasler.
Në vazhdim, shkresa që kryetari i shoqatës Zvicër-Shqipëri, Rolf Alther i drejton SRG-së.
“Jam që nga fundi i viteve shtatëdhjetë anëtar i SRG-së për Zvicrën Lindore. Si kryetar i shoqatës “Zvicër-Shqipëri” më shkakton vazhdimisht nervozë fakti se emri i futbollistit Xherdan Shaqiri nuk shqiptohet drejt. Të gjithë folësit (publikë) bëjnë përpjekje të madhe që emrat dhe konceptet nga gjuhet e huaja t`i transmetojnë në mënyrë korrekte në gjuhët e vendit; madje kam dëgjuar së fundi të njëjtën gjë edhe nga kinezishtja (me ç`rast më duhet të pranoj se nuk mund ta di nëse shqiptimi ishte korrekt, por tingëllonte së paku ashtu).
Mirëpo, pikërisht me emrin shqiptar Shaqiri, nuk bëhet fare përpjekje në atë drejtim por thuhet thjesht dhe gjithmonë: Shakiri (Schakiri).
Në Zvicër jetojnë rreth 300 mijë bashkëqytetarë tanë shqiptarë, nga të cilët rreth 100 mijë kanë marrë shtetësinë zvicerane, gjë të cilën e ka bërë gjithashtu edhe Xherdan Shaqiri. Respekti për këtë komunitet të rëndësishëm etnik kërkon që së paku emrat e përfaqësuesve të tij kaq eminentë të shqiptohen në mënyrë korrekte.
Më në fund, edhe komuniteti i dashamirësve zviceranë të futbollit gëzohet kur Shaqiri shënon gola për Zvicrën.
Së këndejmi, në emrin e anëtarëve tanë dhe të gjithë komunitetit shqiptar të Zvicrës ju lus që të bëni përpjekje që emri i Xherdan Shaqiit në të ardhmen të shqiptohet drejtë, që domethënë kështu: Xherdan Shaqiri (për gjermanishtfolësit: Dscherdan Schadschiri).”