Ka fituar 36 ndeshje si profesionist në boks, por sfida e fundit ishte më e rëndësishmja në karrierën e tij, njëkohësisht edhe më emocionuesja, pasi për herë të parë para ndeshjes ështëkënduar ‘live’ himni kombëtar shqiptar dhe Nuri Seferi ka marrë zemër dyfish. Me mbështetjen edhe të mijërave tifozëve shqiptarë nga mbarë Gjermania, boksieri shqiptar jo vetëm që ka fituar ndeshjen bindshëm dhe është shpallur kampion Europe, por i është hapur e drejta për të sfiduar kampionin e botës dhe në versionin WBO të arrijë të shpallet kampion bote. Ky është edhe objektivi i tij tashmë. Në një intervistë dhënë për “Gazeta Shqiptare”, Seferi rrëfen karrierën dhe dëshirën që ka si sportist…
Jeni shpallur kampion Europe, por edhe pse nuk keni nënshtetësi shqiptare, ju në ndeshjen e fundit u prezantuat me himnin shqiptar dhe me flamurin kuqezi ?
NURI SEFERI : Vërtet nuk jam nga Shqipëria, por jam shqiptar dhe s’mund të përfaqësoja Maqedoninë apo Zvicrën thjesht se kam pasaportat e këtyre dy vendeve. Ju pohoj se në momentin e himnit shqiptar, u karikova dyfish dhe kundërshtari hungarez m’u duk shumë i vogël në atë moment. Gjithçka shkoi mirë, kjo edhe falë mbështetjes së shumë tifozëve shqiptarë që kishin mbushur sallën. Plot 9 milionë shikues në mbarë botën e kanë ndjekur, ku sinjali i “Euro-sportit” më shumë nga Ballkani kishte pasur ndjekës, pra në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni.
Ndeshja e fundit e 16 majit, ishte më e bukura në karrierën tuaj?
NURI SEFERI : Nuk e di, tifozët dinë ta dallojnë më mirë këtë. Personalisht mendoj se ka qenë më e rëndësishmja e karrierës, sepse tani më hapet mundësia për t’u ndeshur për titullin botëror. Mendoj se çdo fitore është e bukur, ashtu si çdo humbje është e hidhur.
Kur do t’ju shohim në ring për të sfiduar kampionin e botës?
NURI SEFERI : Së pari, në shtator do të bëhet ratifikimi i titullit tim europian dhe, sipas rregullave, 90% duhet të jem unë ai që do të sfidojë kampionin në fuqi Marco Huck. Besoj se në fund të këtij viti ose maksimumi në fillim të vitit tjetër do të ndeshem me të. Ndihem në formë dhe do të stërvitem edhe më shumë. Është momenti im dhe dua ta shfrytëzoj këtë mundësi.
Sërish me himnin shqiptar dhe flamurin kuqezi do boksoni?
NURI SEFERI : Po po, deri në fund të karrierës sime do të jem kuqezi, as që e diskutoj këtë. Boksi është sport individual, kështu që zgjedhja ka qenë dhe është personale. Jam lindur në troje shqiptare, rritur deri 16 vjeç në Gostivar, kështu që unë jam tërësisht shqiptar, pavarësisht se ku zgjodha të jetoj apo ku po stërvitem sot.
Megjithatë, shqiptarët më shumë mbajnë mend fitoren tënde ndaj serbit Stankoviç…
Kjo për dy arsye mendoj. Së pari, dihet tashmë mendimi për serbët, dhe e dyta, fitova që në raundin e parë, me një të majtë të fortë, ku kundërshtari u shemb përdhe. Pavarësisht provokimeve të tij para sfidës, në fund e përfaqova si sportist. Sporti nuk duhet të ngjallë kurrë urrejtje. Për dijeni, një nga trajnerët e mi është rus dhe kur unë fitoj, është i pari që më sjell flamurin shqiptar.
Categories