Toka është e mbushur plot me njerëz të ndjerë që kishin shumë dëshira dhe plane për të nesërmen, që sot thonin se nesër do të jenë të mirë, që sot thonin se nesër do të nis të lexoj librin, do ta bëj atë e do ta bëj këtë, që sot thonin se nesër unë do t’ua shpreh dashurinë të dashurve e miqve. Mirëpo nga e thëna në të bërë është një det i tërë, e ai det është “koha” që po nuk dite të manovrosh me të gjatë notimit, ai det të përmbyt.
Ditët po kalonin shumë shpejtë dhe sikur të gjithë donim të ndalonte koha për një çast. Epo ja sot ka ndaluar koha për një moment, po pushon gjithçka. Ashtu qetë nëpër shtëpitë tona depërtojë edhe i bekuari Ramazani. Sikur ato të dyja të ishin kapur dorë për dore për t’i bashkuar forcat dhe erdhën këtu për të na larguar ne nga fortunat e jetës dhe për t’u ju kthyer veteve tona e shpirtrave tanë.
Është mëngjes i ri? Ditë e re?! Po frymojmë edhe një ditë! Ke për të ngrënë dhe pi dhe një kulm mbi kokë?! Atëhere frymo një herë, Allah thuaj – trego se je gjallë! Frymo dy herë – Lartësoje e Madhëroje Atë! Falënderoje Atë dhe frymo e dëshmo sërish dhe sërish se beson dhe shpreson te Ai Një dhe i Vetëm! Mëso se Zotit nuk i nevojitemi ne në kopshtin e Tij, por ne kemi nevoj për Të që të rritemi.
Dil nga dhoma – atë të cilin e sheh të parin thuaja fjalën e mirë, gëzoi e tregoju që i do. Sot bëj diçka ndryshe, mëso diçka të re. Mëso si mbillet një fidan, një lule dhe përkujdesu për to.
Shko, kape librin, po të pret ty ta shoqërosh, mos lejo që grabitqarët e kohës të të humbin ty. “Pasha Kohën! Nuk ka dyshim se njeriu është në një humbje të sigurtë.” (El-Asr: 1-2)
Po ikën një pjesë e ditës, po ikën një pjesë e jetës tënde, përqafoje fort atë se ajo nuk të kthehet më! Vëre trupin në lëvizje, puno dhe largo një pengesë qoftë në shtëpi apo në rrugë.
Ndalo për pak, frymo sërish. Përshpërit duke përmendur Atë!
Qohu në këmbë, hidh botën më një anë, dhe lidhu me të sikur të jetë takimi yt i fundit në këtë botë me Të. Përulu e duaj paqe djathtas e majtas.
Afroju nënës, asaj që të solli në jetë, afroju ngase parajsën e ke te këmbët e saj, te duart e saja! Qëndroi pranë e shiko se çfarë ka nevojë ajo, po nuk bëre mirësi me të, mirësitë e tjera kot i ke.
Tani ulu rreth sofrës, mbush gotat e tjerëve me ujë. Ndalo sërish për një moment, është momenti i artë, ngriti duart – kërko prej Tij me një siguri se Ai të dëgjon dhe do ta jep më të mirën për ty.
“Kaloi etja, u lagën venat dhe u realizua shpërblimi”. U ngope?! Mos humb asnjë minutë, vrapo tek mirësia sërish, largo një pjatë nga tavolina. Një pjesë nga ëmbëlsira, dërgoja me buzëqeshje te dera fqiut.
Lidhu me të tjerët, duke përjetuar faljen e Tij bashkarisht. Lutu për miqtë! Lute Zotin për një zemër të drejtë.
Pas pak vetmoju me veten, ndalu dhe bëji llogaritë e tua të mira dhe të liga. Vendos të largosh gjithçka që qëndron si pengesë ndërmjet zemrës tënde dhe Zotit të Madhërishëm. Largoju mëkateve, ato i vdesin zemrat dhe shkaktojnë nënçmim.
Është momenti t’i kthehemi veteve tona, e ti shohim mangësitë e tona pa shikuar mangësitë e huaja.
Netët e gjata të presin tani, se si do ti gjallërosh ato të ngelet ty. Ngrihu ec drejt Tij, se Ai do vrapon drejt teje!
Shkruar nga: Azra Saliu
Nga 10 ditëshi i mëshirës në 10 ditëshin e faljes
07.05.2020