Pasi i krijoi qiejt e tokën, Zoti në këtë botë dërgoi krijesën njeri të cilën e ngarkoi me detyrën që të jetë mëkëmbës i Tij në Tokë. Ky akt paraqet krijimin e tij fizik në këtë botë dhe jo vetëm, pasi krijimi i tij ishte edhe më herët, atëherë kur Zoti i krijoi shpirtërat. Çdo krijesë e krijim, përveç Krijuesit, ka fillim dhe mbarim, e njëashtu dhe krijesa njeri, rrugëtimin në këtë botë e fillon përmes lindjes dhe e përfundon përmes vdekjes. Dhe, gjithsesi se dëshirë e tij është edhe një përfundim i mirë i rrugëtimit të tij në këtë jetë. E, padyshim se, një përfundim i mirë është ai që vjen pas një rrugëtimi të jetuar e shfrytëzuar mirë.

Ky ramazan, në gjendje të jashtëzakonshme pandemike, na ofron një mundësi të jashtëzakonshme për ta jetuar e shfytëzuar mirë këtë muaj, që më pas të shijojmë një fund të bukur të tij. Është mundësi e artë për ne të përkushtohemi maksimalisht në:

– lidhshmërinë tonë më të fortë me Zotin – përkujtojeni, adhurojeni, falënderojeni dhe luteni Zotin.

– kryerjen dhe përsosjen e obligimeve njerëzore dhe fetare – ndihmoni familjen e rrethin ku jetoni, shpërndani buzëqeshje, mirësi e energji pozitive, falënderoni, ngriteni moralin.

– formimin e lidhjeve më të forta familjare e miqësore – lajmëroni e përkujtoni të afërmit, kryeni punët bashkarisht, diskutoni, përgatitni ushqimet së bashku, ndjejeni dhe përjetoni çdo çast.

– nxënien më të mirë të diturive, aftësive dhe zhvillim sa më të mirë personal – libra, trajnime e kurse online nga më të ndryshmet, përfitoni nga to maksimalisht, ushtroni aktivitet fizik.

Ramazani vjen çdo vit për të na përkujtuar e mësuar si duhet të jemi gjatë tërë vitit e jetës, si ta jetojmë e përfundojmë mirë çdo moment e etapë. Ashtu siç çdo natë, siç ka treguar Muhammedi a.s. (paqja qoftë mbi të), që kur shkojmë në shtrat, një melek na pëshpërit në vesh dhe na nxit me fjalët: “Përfundoje natën mirë! Përfundoje natën mirë! Përfundoje natën mirë!” Kjo jetë në të cilën jetojmë të joshur nga koha dhe hapësira që na rrethon, ka edhe dimensione tjera – atë të vetëmashtrimit dhe harresës. Andaj, uroj që këtë Ramazan mos të vetmashtrohemi në realizimin e qëllimeve tona dhe të bëjmë një Ramazan pa kujtime e të harruar shpejtë. Por përkundrazi, ky Ramazan le të merr trajtën e një kujtimi abstrakt që çdo herë do të na e vërshojë çdo qelizë të trupit dhe të shpirtit!

Shkruar nga: Zuhri Kamberi

12.05.2020