Derisa këto struktura “të vetëdijesohen” klasa qeverisëse është shumë komode. Prandaj inkurajohet dhe, sapo “inatoset” me opozitën, i kërcënohet me zgjedhje. Ky është edhe një fenomen politik në vete – kudo në demokracitë normale, opozita kërcënohet me zgjedhje të parakohshme, kurse në Maqedoni ndodhë e kundërta – opozita e shkretë “shtanget” sa herë që qeverisja i kërcënohet me zgjedhje të parakohshme!
Garnitura aktuale në Maqedoni, në vitin e tetë të qeverisjes, më shumë se çdo strukturë tjetër e ka “verifikuar” politikisht mandatin e vetë me pothuaj mesatarisht në çdo 15 muaj një palë zgjedhje. Asnjë mandat i parlamentarëve nuk përfundoi në vitin e tretë të qeverisjes! Kjo kohëzgjatje gati do ta rrëzojë rekordin e Italisë në 30 vitet e fundit. Kostot direkte ekonomike janë të matshme, bile edhe ato indirekte mund të jenë të përllogaritshme. Tashmë dihet saktë se sa u kushtojnë tatimpaguesve një palë zgjedhje dhe, madje, kjo saktësi është afërsisht e lartë në kalkulimin e kostos së fushatave partiake së paku të 4-5 partive më të mëdha. Megjithëse, ç’është e vërteta, asnjëherë nuk janë llogaritur kostot oportune që shkaktojnë zgjedhjet, posaçërisht ato parlamentare!
Kostot e mandateve
Ndonëse në një tekst si ky nuk është e mundur të bëhet një analizë e plotë, qëllimi i këtij shtjellimi është të hapet ky problem, të fillojë të debatohet dhe, mbase, edhe të studiohet më thellë dhe shkencërisht. Studiues të politikave publike kanë rastin nga kjo çështje debative të nxjerrin edhe teza për hulumtime edhe në nivel të doktoratës! Kjo, para se gjithash, u bë fenomen që përsëritet rreth 4 herë për 8 vite, u krijua seri e mjaftueshme kohore (së paku një dekadë), u përsëriten sjelljet vendimbërëse të politikave publike në çdo cikël, krejt kjo me një llogloring (tregtim) politik me saktësi të lartë në rezultatet e pritura! Të gjitha këto janë atribute të mjaftueshme për krijimin e variablave në varg statistiko-matematikor dhe për matjen shkencore të kostos, krahas kostove indirekte edhe atyre oportune! Ekonomistët e dinë rëndësinë e kostove oportune, por për lexuesit e thjesht nevojitet një shpjegim plastik: kostot e një alternative të humbur në krahasim me alternativen e zgjedhur janë oportune. Në këtë rast pse të kërkohet një fillimmandati (4-vjeçar) kur asnjëri deri më sot nuk u konsumua deri në fund? Çka do të thotë kjo posaçërisht në kushtet e një shteti me shumë halle ekonomike dhe sociale, krahas atyre etnike dhe kulturore!
Atëherë, në lidhje me këtë të ngremë disa dilema dhe probleme, apo më mirë thënë çështje, kryesisht të natyrës ekonomike por që kanë prapavijë dhe interes, mbi të gjitha politik.
Pas një mandati të plotë të kësaj garniture qeverisëse nga viti 2006 (aludoj në VMRO-në, se strukturat tona janë të papërfillshëm në vendimbërje), edhe pse ne dy cikle parlamentare nga dy vite, në vigjilje të gjoja tejkalimit të krizës ekonomike globale, bëmë disa analiza shkencore të politikave ekonomike gjatë dhe pas krizës financiare. Publikimet u bënë në revista shkencore me renome (Gjermani dhe me vonë edhe Britani), qe më në fund (para 3-4 muajsh) këto gjetje të kompilohen dhe citohen në përmbledhjet e botuesve shumë relevant (shih botimin Spinger, 2013) për kontribute ekonomike shkencore në regjionin e Europës Qëndrore dhe Jug-Lindore. Konstatimi shkencor i bazuar në matjet empirike dhe statistikat ekonomike për 5-6 vite radhazi në Maqedoni dëshmuan se dizajnimi i politikave ekonomike nuk bëhet (si zakonisht) konform cikleve ekonomike (anti ose pro), por ato kryesisht ndjekin objektivat dhe ciklet politike të “klasës qeverisëse”!
Arsimi
Sipas Qeverisë, arsimi dhe krijimi i resurseve janë “fuqi” dhe përparësi krahasimore. Pa u arritur një cilësi minimale pas-tranzitive në këtë sektor, u kalua në sasi (kuantitet) ekstreme – arsimi i mesëm u bë i detyrueshëm dhe u bë disperzimi e fragmentimi i programeve studimore nëpër “fshatra e livadhe”. Kjo në plan afatmesëm (cikël 4-vjeçar baras me 2 cikle parlamentare!) e uli derdhjen dhe presionin në tregun e punës, që filloi “ta zbusë” normën e papunësisë! Mbi 200 mijë kompjuterë personalë u blenë për “të larë ca para publike”, ani se nxënësve përditë u bie tavani dhe kulmi mbi kokë dhe mbajnë mësim me xhupa të veshur, se nuk kanë as ngrohje minimale! Këto politika vazhduan deri sot dhe rezultuan me rreth 50% të të papunëve me fakultet dhe, ndoshta, mbi 20% me diploma master e disa qindra “doktor shkencash”! Imagjinojeni se me këtë intensitet dhe dinamikë çfarë do të ndodhte pas 4-5 vitesh! Rezultat i këtyre politikave do të ishin shumë të diplomuar dhe shumë pak të arsimuar!
Administrata publike
Ky është një problem strukturor dhe fenomen i kontaminuar politik! Numrin e saktë të të punësuarve në këtë sektor askush nuk e tregon, edhe pse shumëkush e imagjinon! Ne jemi të mendimit se ai e ka tejkaluar rekordin prej 160 mijë, duke përfshirë edhe mbi 3 mijë (jo vetëm shqiptarë) që rrinë në “stand-by” si “ushtri rezervë”! Krejt kjo me qëllim politik dhe performim për zbutjen e papunësisë. Duke rritur sasinë, gjithnjë e më tepër bie cilësia, por kjo variabël, së paku, është në përpjesëtim të drejtë me kostot fiskale të tatimpaguesve, me kostot oportune, sepse ashtu lihen anash shumë projekte alternative, si dhe me kostot e korrupsionit, sepse ashtu rritet burokracia dhe labirintet e shërbimeve publike. Hulumtimet e fundit dëshmojnë se “semaforët e satisfaksionit” rezultojnë me rreth 83% kënaqësi nga shërbimet publike, një rezultat që mund të gjendet vetëm në vendin e Kim Jongut (në Korenë e Veriut). Pra, përsëri prapavija është politike, edhe pse kostot janë ekonomike.
Politikat sociale
Këto politika shprehin paralajmërim për rritjen e pensioneve, pagave, ndihmave sociale dhe programe tjera të “thyerjes dhe përdredhjes” së pensionistëve nëpër qendra skijimi, e deri te “rritja” e pagës minimale pas 3-4 vitesh, pa llogaritur se kush do ta paguajë atë! Diçka që mund t’ua kenë edhe qeverisjet ultramajtiste. Natyrisht, edhe këto bëhen për motive dhe qëllime politike. Nuk duhet të jesh ekonomist që të mund t’i kalkulosh kriteret e pagës minimale, por duhet të jesh manipulues që ta llogarisësh efektin e premtimit në kohë pas 3-4 viteve! Në këtë situatë askush nuk mund të kundërshtojë, madje as opozita e majtë, të cilës ia kanë zënë terrenin dhe luajnë më mirë në të majtë se aty ku janë deklaruar. Krejt këto kosto kanë një emërues të përbashkët – rritja e tatimeve dhe ky fenomen në ekonominë bazike njihet si “efekti i shtytjes” së faktorit dalës në ekonomi (crowding-out effect). Me rëndësi janë efektet politike që dëshmojnë konsistencë në mbështetje, posaçërisht nga shtresat sociale, që janë i vetmi “treg” me potencial në rritje permanente.
Politikat e subvencionit
Politikat e subvencionit, posaçërisht ato bujqësore, nga 2006 deri në 2013 janë rritur mbi 400%, edhe pse efektet dalëse janë akoma negative – rënia e produktivitetit, eksportit dhe punësimeve në sektorin e bujqësisë. Vetëm 3-4 javë para çdo cikli zgjedhor paguhen subvencionet e prapambetura ose, më mirë të thuhet, shpërndahen rreth 30-40 mil. Euro, që kanë efekt maksimal elektoral, posaçërisht te familjet bujqësore dhe ato rurale. Ky sektor dhe kjo strukture me shumë të drejtë nga analistët politikë të garniturës qeverisëse është targetuar si më sensitiv dhe reaktiv në “shpërblime” edhe modeste! Madje, është ndërtuar një varësi ciklike nga pritjet elektorale – mezi presin zgjedhje pa zgjidhje!
Derisa këto struktura “të vetëdijesohen” klasa qeverisëse është shumë komode. Prandaj inkurajohet dhe, sapo “inatoset” me opozitën, i kërcënohet me zgjedhje. Ky është edhe një fenomen politik në vete – kudo në demokracitë normale, opozita kërcënohet me zgjedhje të parakohshme, kurse në Maqedoni ndodhë e kundërta – opozita e shkretë “dridhet” sa herë që qeverisja i kërcënohet me zgjedhje të parakohshme! Matematika politike e kësaj qeverisjeje për nga saktësia ia kalon edhe ekonomisë. Dhe, kjo e fundit nuk është gjithaq ekzakte sa rezultatet e projektuara politike mbi bazë të përllogaritjeve ekonomike.
Politikat fiskale
Sa u takon politikave fiskale, aty kemi ekspansion të pandërprerë me rezultantë minimale ekonomike. Si pasojë, borxhi publik (më mirë thënë ai “i publikuar”!), në vlera absolute është dyfishuar për 7 vite (nga 1,8 mrd. E në rreth 4,0 mrd. E), edhe pse ekonomia në total për këto 7 vite është rritur për së paku 20%. Ministri i Financave si rëndom me “lojë fjalësh” na “mëson” si ta matim borxhin në përpjesëtim me PBB-në dhe jo në vlerë absolute. Në “gjuhën e ministrit” kjo matje shpjegohet kështu – në vitet e qeverisjes së tij në Maqedoni pesë herë më shpejt është rritur borxhi publik sesa PBB-ja! Nëse ai nuk preferon me rritje borxhi 100% (siç i kritikoi disa gazetare), ja edhe me krahasimin relativ, që nënkupton se, shkurt e shqip, borxhi është rritur pesë herë më shpejt se ekonomia! Efektet negative ekonomike janë të matshme, por ato politike – me kostot fiskale në kërkim të “identitetit antik” – mbetet t’i matin politikanët! Ndërsa ata dihet si matin – me kohëzgjatjen e qëndrimit në pushtet mundësinë e “thithjes” prej tij.
Politikat monetare
Politikat monetare vërehet vetëm në dimensionin e kreditimit rënës dhe rritjes permanente të borxheve të këqija, edhe pse për habi bankat e rrisin profitabilitetin më shumë se çdo sektor tjetër. Tashmë jo vetëm ekonomistët e kuptojnë indikatorin e rritjes së profitabilitetit të bankave në Maqedoni për 58% në vitin 2013 në krahasim me atë të vitit paraprak (2012). Për pasojë, jolikuiditeti është rritës dhe falimentimet e kompanive janë gjithnjë e më shumë! Përsëri “kreatori” kryesor i politikave ekonomike, ministri i Financave po apelon gjithnjë e më tepër që bankat komerciale ta rrisin kreditimin, ndërkohe që ai nuk e ndal turrin e vet me shpenzimin! Ai harron se ka një bankë shtetërore, që ai e ka emërtuar Banka për Përkrahje të Zhvillimit, të cilën ministri e ka “kapitalizuar” me vetëm 2 mil. Euro (po aq sa edhe ka kredituar – nëse minusohen kreditë e BEI-t) ose, thjesht, ka kreditua 340 herë më pak se banka e parë komerciale në vend! A ka dyfytyrësi më të madhe se ta apelosh te të tjerët atë që s’e bën dot vetë! Duke shpenzuar para publike pa usull, ai i “sterilizon” bankat komerciale dhe u krijon atyre profit me risk minimal, ndërsa i dekurajon për kreditim të sektorit privat, ani se apelon për tjetër sjellje! Pra, edhe këtu duke konsumuar, kryesisht për projekte ekonomikisht joproduktive, por me përfitime politike, ai e përmbush kushtin e tezës së parashtruar në fillim të analizës.