Për Bashkimin Evropian kohëve të fundit shkruhet, flitet, debatohet, bisedohet me të madhe në opinionin publik kosovar e më gjerë, e sidomos pas arritjes së marrëveshjes Thaçi-Daçiç me ndërmjetësimin e baroneshës Ashton, pas së cilës Serbisë iu pranua e drejta për kandidat për të nisur bisedimet për anëtarësim, ndërsa Kosovës e drejta për të nis bisedimet për marrëveshjen për stabilizim dhe asocim në Bashkimin Evropian.
Bashkimi Evropian, përbëhet prej 28 shteteve, në mesin e të cilave edhe Sllovenia, Kroacia, Greqia, Bullgaria dhe Rumania, ndërsa nga Ballkani kanë mbetur edhe 6 shtete akoma të pa anëtarësuara, Serbia, Bosnja, Mali Zi, Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria, të cilët janë në fazat e ndryshme drejt anëtarësimit, prej kandidatit për stabilizim asocim e gjer në kandidatin anëtar për pranim në Bashkimin Evropian.
Në këtë qasje do të ndalem në disa karakteristika apo tipare të Bashkimit Evropian, historinë, lindjen, rëndësinë , kriteret, organizimi, funksionimi, si një organizatë gjithëpërfshirëse dhe plotë fuqishme e integrimeve evropiane.
Zanafilla për integrime evropiane apo aleancës evropiane daton qysh nga Mesjeta, në fillim nga ideja pas dështimit të kryqëzatave për pushtimin e Jerusalemit në vitet 1187 dhe 1291, e më vonë edhe pas pushtimit të Konstantinopojës (Stambollit) nga Perandoria Osmane në vitin 1453, i pari që e ka proklamua këtë ide ishte Pierre Dubois, më tej kanë vazhduar Dante Aligeri, Papa Pio i II-të, Georg Podiebrad, William Penn, Emanuel Kant, Viktor Hygo, Aristide Briand, Graf Richard, e gjer te Winston Churchill i cili më 19 shtator 1946 në fjalimin e tij historik që mbajti në Universitetin e Cirihut inicoi themelimin e Shteteve të Bashkuara të Evropës.
Historia e formimit të Bashkimit Evropian të sotëm, daton nga themelimi i Bashkësisë Evropiane për Thëngjill dhe Çelik, qëllimi i së cilës ishte atëherë që të frenohet prodhimi gjerman i thëngjillit dhe çelikut, i cili për atë kohë kishte një domethënie të madhe ushtarake dhe ekonomike, dhe për ta vënë nën kontrollin ndërkombëtar Gjermaninë. Me iniciativën e Ministrit francez të Punëve të Jashtme, Robert Schuman, i cili ishte i pari që paraqiti në opinionin publik kombëtar dhe evropian konceptin për themelimin e Bashkësisë Evropiane për Thëngjill dhe Çelik, dhe pas bisedimeve dhe konsultimeve njëvjeçare, Gjermania, Franca, Italia, Belgjika, Holanda dhe Luksemburgu me 18 prill 1951 në Paris nënshkruan Kontratën mbi themelimin e Bashkësisë Evropiane për Thëngjill dhe Çelik, e cila hyri në fuqi me 23 korrik 1952 dhe njihet ndryshe edhe si Kontrata e Parisit.
Bashkimi Evropian është një organizatë ndërkombëtare e përbërë prej 28 shteteve anëtare që funksionon në bazë të principit mbi nacional, që do të thotë, në mënyrë të pavarur nga vullneti i shteteve anëtare të tyre, të cilët ia kanë bartur një pjesë të kompetencave të tyre, ushtron pushtet politik dhe juridik. Mund të thuhet se Bashkimi Evropian ka premisa federative, por se i mungojnë atributet e shtetit, pasi që nuk ka një Kushtetutë , dhe se nuk mund të themi që kemi të bëjmë me Shtetet e Bashkuara të Evropës. Bashkimi Evropian është një subjekt juridik i llojit të vet ”sui generis”, është një lidhje e shteteve e veçanta, me një rend juridik që nuk është e njohur gjer tani në drejtën ndërkombëtare.
Organet kryesore politike të Bashkimit Evropian janë: Parlamenti Evropian, Këshilli Evropian, Këshilli i Bashkësisë Evropiane, Komisioni Evropian si dhe Gjykata e Lartë Evropiane, të cilët organe në një apo formë tjetër ushtrojnë rolin legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor.
Parlamenti Evropian është i vetmi organ i Bashkimit Evropian i zgjedhur në mënyrë të drejtpërdrejtë, po njëkohësisht edhe i vetmi institucion mbi nacional në botë që zgjidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë. Parlamenti Evropian përbëhet nga përfaqësuesit e popujve të shteteve anëtare që rrjedhimisht edhe i përfaqësojnë popujt anëtarë të BE-së. Deputetët e Parlamentit Evropian zgjidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë në zgjedhjet e drejtpërdrejta për Parlamentin Evropian të cilët mbahen çdo 5 vjet, sa edhe zgjat periudha legjislative. Numri i tanishëm i deputetëve të Parlamentit Evropian është 754, përfaqësimi në të bëhet në mënyrë degresive proporcionale, ku një shtet anëtar i Bashkësisë Evropiane përfaqësohet me më së paku 6 deputetë, apo me më së shumti 96 deputetë në Parlamentin Evropian. Parlamenti Evropian së bashku me Këshillin e Bashkimit Evropian ushtrojnë pushtetin legjislativ. Kompetencat e Parlamentit Evropian ndahen në pesë lëmi të ndryshme: kompetencat legjislative, buxhetore, kontrollit politik, funksionit këshillëdhënës si dhe pjesëmarrjen e tij në zgjedhjen e Presidentit të Komisionit Evropian.
Këshilli Evropian është organ i Bashkimit Evropian i cili përbëhet vetëm nga kryetarët e shteteve apo kryeministrave të qeverive të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, si dhe nga Presidenti i Këshillit Evropian dhe Presidenti i Komisionit Evropian, ndërsa në punimet e saja merr pjesë edhe përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe të sigurisë. Këshilli Evropian definon prioritetet, objektivat dhe qëllimet e përgjithshme politike, si dhe arritjen e konsensusit lidhur me çështjet madhore politike për të cilët shpesh Këshilli i Bashkimit Evropian nuk arrin të gjejë kompromis. Këshilli Evropian zgjedh Presidentin e Këshillit Evropian me shumicë votash për një mandat prej dy vite e gjysmë i cili mundet të rizgjidhet vetëm edhe njëherë. Këshilli Evropian njashtu i propozon Parlamentit Evropian një kandidat për Presidentin e Komisionit Evropian i cili zgjidhet me shumicë votash në Parlamentin Evropian. Këshilli Evropian njashtu emëron edhe Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për siguri dhe politikë të jashtme i cili miratohet nga Presidenti i Komisionit Evropian.
Këshilli i Bashkimit Evropian është organ i Bashkimit Evropian i cili përbëhet nga ministrat e shteteve anëtare të saj. Kryesimi i Këshillit bëhet me radhë nga shtetet anëtare dhe ndërrohet çdo 6 muaj. Këshilli i Bashkimit Evropian së bashku me Parlamentin Evropian vepron si një organ ligjdhënës dhe ushtron së bashku edhe kompetencat buxhetore. Ai përcakton interesat strategjike si dhe vijën politike të sigurisë dhe të politikës së jashtme me qëllim të arritjes së qëllimeve të përcaktuara të Këshillit të Bashkimit Evropian. Këshilli i Bashkimit Evropian merr vendimin për pranimin e shteteve të reja anëtare të Bashkimit Evropian si dhe është kompetent për lidhjen e marrëveshjeve me shtetet tjera apo me organizata ndërkombëtare.
Komisioni Evropian është organ i Bashkimit Evropian i cili përbëhet nga një anëtar i shteteve anëtare të BE-së si dhe nga Presidenti i Komisionit Evropian dhe Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe të sigurisë. Anëtarët e Komisionit Evropian zgjidhen nga Këshilli Evropian me pajtim të Presidentit të Komisionit Evropian nga propozimet e shteteve anëtare me një mandat 5 vjeçar, ndërsa Presidentin e Komisionit Evropian e zgjedh Parlamenti Evropian me propozim të Këshillit të Bashkimit Evropian. Komisioni Evropian ka monopolin e iniciativës legjislative lidhur me nxjerrjen e akteve juridike të Bashkimit Evropian. Parimisht, një akt normativ mund të nxjerret vetëm me propozimin e Komisionit Evropian, i cili në mënyrë autonome merr vendimet e saja. Komisioni Evropian ka për detyrë të kontrollojë zbatimin e kontratave themeluese nga ana e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.
Gjykata e Lartë Evropiane përbëhet nga një gjyqtar nga çdo shtet anëtar i Bashkimit Evropian, si dhe nga 8 avokatët e përgjithshëm. Gjyqtarët dhe avokatët emërohen nga qeveritë e shteteve anëtare me marrëveshje të përbashkët, mandati tyre është 6 vjet. Gjyqtarët nga radha e tyre zgjedhin Presidentin e Gjykatës së Lartë Evropiane me mandat 3 vjeçar i cili mund të rizgjidhet edhe për një mandat. Gjykata e Larë Evropiane ka për detyrë të sigurojë respektimin e së drejtës në interpretimin dhe zbatimin e kontratave themeluese nga ana e institucioneve legjislative dhe ekzekutive të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian. Gjykata e Lartë Evropiane e luan rolin e një Gjykate Kushtetuese Evropiane e cila përfshin veprimin e shteteve anëtare, veprimin ose mos veprimin e organeve të Bashkimit Evropian si dhe një varg çështjesh tjera nga kompetencat e saja të përcaktuara.
Kosovën e pret një rrugë e gjatë me plot mundime dhe detyra të shumta për të aderuar në Bashkimin Evropian, pasi që kjo nuk mund të mbetet një oazë e veçuar në Ballkan, por para se të nisen negociatat për pranimin e saj në Bashkimin Evropian, një prej barrierave më të rënda që e ka para vetes, është mos njohja e pavarësisë së saj nga 5 shtetet e Bashkimit Evropian( Spanja, Greqia, Qiproja, Rumania dhe Sllovakia) për momentin, dhe se pa e kapërcyer këtë barrierë e ka të pamundur të nis këtë udhëtim të gjatë drejt Bashkimit Evropian. E pas kapërcimit të kësaj pengese, atëherë ka me qenë më lehtë, edhe pse e presin shumë punë për të plotësuar kriteret politike, ekonomike dhe juridike me Traktatin e Lisbonës dhe përmbushja një nga një e 35 kapitujve të parapara, e cila do të merr shumë kohë, pasi që Kroacisë si të tillë kanë qenë të nevojshme plot 10 vite, e vështirë që Kosova me kapacitetet e saja që i posedon, duke marrë parasysh se vetëm pesë vite kanë kaluar nga shpallja e pavarësisë së saj, dhe se akoma nuk e ka përfunduar në aspektin ndërkombëtar të së drejtës ndërkombëtare rrumbullaksimin e shtetësisë së saj, vështirë do të mund t’i përmbush këto kushte të parapara për pranim në Bashkimin Evropian.
Sido që të jetë, Kosova duhet maksimalisht që prej tani, pasi në dhjetor do të nisin negociatat për stabilizim dhe asocim në Bashkimin Evropian, t’i përvjelë mangët me të gjitha kapacitetet e saja politike, shtetërore, strukturale, ekonomike, organizative dhe me një seriozitet maksimal të punojë ditë e natë që të plotësoj të gjitha parakushtet qe e presin në zikzaken e gjatë kohore drejt Bashkimit Evropian. Parakusht i parë që e pret është plotësimi i të gjitha kritereve për të përmbushur të gjitha obligimet të parapara për liberalizimin e vizave, për të mundësuar që edhe kosovarët të mund të udhëtojnë lirshëm dhe pa viza në të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian të zonës Shengen.
Ndoshta Kosova mund të shpresojë se udhëtimi i gjatë i saj në një nga vitet e ardhshme do të mund të shkurtohej, në rast se eventualisht Bashkimi Evropian arrin konsensusin e plotë të pranimit në pako të këtyre gjashtë shteteve të mbetura të Ballkanit Perëndimor (Serbia, Bosnja, Mali i Zi, Shqipëria, Maqedonia dhe Kosova), e që paraqet një oazë e mbetur, rreth e përçark e kufizuar me Bashkimin Evropian, një organizatë evropiane gjithëpërfshirëse e përbërë prej 28 shteteve me mbi 500 milion banorë të saj.
Gjer atëherë të shpresojmë të kemi shëndet e jetë, dhe sukses të mbarë drejt realizimit të aspiratave të shqiptarëve në përgjithësi e të Kosovës në veçanti drejt anëtarësimit të saj në Bashkimin Evropian.
EDITOR
11 years ago
previous article
Fotografia e fundit e Isa Boletinit para se të vritej
next article
Reforma, nevojë e domosdoshme!
you might also like
JO KRIME, NË EMËR TË NDERIT! – Dr. Bashkim Aliu
2 years ago
Agjërimi shkollë e durimit
3 years ago
Një vazo me shumë lule!
3 years ago