Categories
Lajme

Kostot e dokumenteve personale në rajon

Kroatët paguajnë më së shumti për pajisje me pasaportë në rajon. Patentë shoferi më i shtrenjtë në BeH, ndërkohë që pas qytetarëve të Sllovenisë, kosovarët duhet të paguajnë më së shumti për pajisje me letërnjoftim.
Qytetarët e Republikës së Kroacisë paguajnë më së shumti për tu pajisur me pasaportë në rajon. Po ashtu qytetarët e Republikës së Shqipërisë duhet të ndajnë shumën e përafërt me atë të Kroacisë për tu pajisur me këtë dokument udhëtimi, ndërsa për shtetasit e Bosnjës dhe Hercegovinës shpenzimet janë më të lira dhe pavarësisht nga fakti që me vendimin e Këshillit të ministrave çmimi për pasaportë muajin e kaluar është rritur për pesë euro, tregon analiza e Anadolu Agency (AA).
Në të njëjtën kohë çmimin më të lartë për lëshimin e patentave për shoferët në rajon paguajnë qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës, ndërkohë që më i liri ky dokument është për qytetarët e Maqedonisë. Sa i përket letërnjoftimit, pas qytetarëve të Sllovenisë, kosovarët duhet të paguajnë më së shumti për pajisje me letërnjoftim (kartën e identitetit).
– Pajisja me pasaportë në Republikën e Shqipërisë, ndër më të shtrenjta në rajon – 
Sipas të dhënave nga Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Kroacisë shuma totale që qytetarët duhet të paguajnë për pasaportë është 390 kuna apo 50,76 euro. Në Republikën e Shqipërisë kush do të kërkojë të pajiset me pasaportën biometrike duhet të ndajë 6.000 lekë apo 43 euro që është pak më shumë se shuma që duhet të paguajnë qytetarët e një shteti anëtarë të BE-së siç është Republika e Sllovenisë, sepse shpenzimet totale për pajisje me pasaportë të Republikës së Sllovenisë për një periudhë dhjetë vjeçare janë 42,05 euro.
Çmimi pak më i ulët është për qytetarët e Malit të Zi, gjithsej 40 euro. Ndërsa qytetarët e Republikës së Serbisë për pajisje me pasaportë paguajnë gjithsej 30,01 euro. Po ashtu për pajisje me pasaportë biometrike të Republikës së Kosovës qytetarët duhet të paguajnë 30 euro. Pak më lirë kushton marrja pasaportës së Republikës së Maqedonisë, 1.800 denar apo 29,34 euro.
Në fund, qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës deri më 1 tetor për tu pajisur me pasaportë beometrike kanë paguar 40 marka konvertibile (KM) apo 20 euro, ndërkohë që tani ata duhet të ndajnë 50 KM apo 25,56 euro.
–   Pajisja me patentën e shoferit, më e shtrenjtë në BeH  –
Përderisa qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës kanë çmimin më të ulët të marrjes së pasaportës, ata paguajnë më së shumti për pajisje me patentën e shoferit – 60 KM apo 30,67 euro. Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor të Republikës së Shqipërisë për të marrë lejen e drejtimit (patentë) shqiptarët për vlerën e kartonit do të paguajnë 35000 lekë ose 25,17 euro.
Pajisja me patentën e shoferi në Republikën e Kroacisë kushton 186 kuna apo 24,20 euro. Shuma totale për pajisje me patentë shoferi në Republikën e Sllovenisë është 21,41 euro, ndërsa më Republikën e Kosovës 20 euro.
I njëjti dokument në Republikën e Malit të Zi kushton 15 euro duke përfshirë taksat 10 euro dhe kërkesën 5 euro, ndërkohë që në Republikën e Serbisë për të marrë patentë qytetarët paguajnë 1.566 dinarë apo 13,05 euro.
Marrja e patentës në Republikën e Maqedonisë, ka koston më të lirë në rajon, pasi qytetarët saj paguajnë 490 denar apo 8 euro, prej tyre 280 denar për kërkesë, 110 denar për taksën administrative, ndërsa për kartelën 100 denar shtesë.
– Letërnjoftimi në Kroaci më i lirë se në Kosovë – 
Taksat e përgjithshme për pajisje me letërnjoftim në Slloveni janë 18,77 euro. Ndërsa në Kosovë çmimi që do të paguaj secili qytetar që aplikon për tu pajisur me letërnjoftim biometrik është 10 euro. Për gjysmë më lirë nga Republika e Sllovenisë, 1.154 dinarë apo 9,63 euro kushton letërnjoftimi biometrik në Serbi. Në Bosnje dhe Hercegovinë qytetarët paguajnë 18 KM apo 9,20 euro për tu pajisur me letërnjoftim. Ndërsa në Shqipëri për pajisje me letërnjoftim elektronik nevojitën 1.200 lekë apo 8.63 euro.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kroacisë, shpenzimet totale për lëshimin e kartave të identitetit janë 48,50 kuna apo 6.31 euro. Në fund, pajisja me letërnjoftim në Malin e Zi kushton 5 euro, ndërsa në Maqedoni vetëm 190 denar apo 3,1 euro.

Exit mobile version