Menderes Kuçi , kryetari i Odës Veri-Perëndimore të Maqedonisë (OEMVP), në një intervistë të gjatë për Radio Evropa e Lirë ka vlerësuar se për sa u përket investimeve, vendi duhet të fokusohet tek kurbetçinjtë tanë dhe tek fqinjët tanë.
“Nëse investitori nuk është nga rajoni jonë, nëse nuk i njeh rrethanat, apo mentalitetin tonë, me këto informacione që ai ka, nuk do të vendos lehtë të vijë dhe të investojë  në vendin tonë.Ne duhet të fokusohemi tek investimet e kurbetçinjve tanë dhe të rrethit që na rrethon, domethënë tek Serbia, serbët na dinë kush dhe çka jemi ne, deri dje ishim fqinj me ta, gjithashtu edhe tek shqiptarët, kosovarët  dhe bullgarët”, ka thënë Kuçi.
Ai, këtë mendim ka shfaqur kur është pyetur për  investimin e paralajmëruar të afaristitit kontravers, indiam Subrata Roy, në Lubanishtë  të Ohrit.  Pasi është shprehur se nuk do të duhej që të ishim skeptik për atë që përfaqëson projekti, ai ka vlerësuar se  ky investitor  po pranohet me skepticizëm dhe me shumë probleme.
“Mirëpo duke patur parasysh që shumë po bisedohet dhe po negociohet,  kjo më shumë i ngjan një parade, sesa diçkaje reale që pritet të ndodh në vend. Megjithatë  nëse projekti do të realizohet, do të sillte para të reja , investime të reja, që do të thoshin diçka për vendin”, është përgjigur Kuçi.
Kryetari i OEMVP Menderes Kuçi ka vlerësuar se ne nuk duhet të presim dhe të shohim se çka bëjnë tjerët në rajon për të dalë nga recesioni, por pikërisht  fokusohemi në realizimin e projekteve të mesme dhe të vogla, duke patur parasysh edhe statusin e padefinuar të vendit , në raport me anëtarësimin tonë në BE dhe NATO, zgjidhjen e kontestit të emrit etj.
“Kështu, caku jonë duhet të jenë ata që na besojnë, ndërsa ata që na besojnë janë kurbetçinjtë  tanë, për nxitjen e të cilëve  bëhet shumë pak apo s’bëhet asgjë”, ka vlerësuar ndër të tjera Kuçi, në intervistën për Radio Evropa e Lirë.