Gjatë këtyre ditëve është duke vazhduar odiseada rreth “Kullës së Jetimit” në Prevallë, por tani në një formë dhe mënyrë tjetër duke kaluar lënda prej organit administrativ të nivelit lokal, Drejtorisë së urbanizmit dhe planifikimit hapësinor të komunës së Prizrenit, në organin administrativ të nivelit qendror, Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë të qeverisë së Republikës së Kosovës.
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor(MMPH) me vendimin nr. 1498/13 të datës 03.05.2013 e ka “shfuqizuar vendimin e MMPH-së me nr.06/949/1-ZSP-1045 të datës 04.09.2006 dhe pëlqimin e ministrit me nr. të prot.06/2464/1 i datës 04.09.2006, me të cilën tani e tutje ndërpriten të gjitha aktivitetet ndërtimore në zonën e Prevallës, pjesë e Parkut Nacional”Sharri” për afat të pacaktuar”, me të cilën i merr të drejtat e deleguara në kompetencë të Komunës së Prizrenit me arsyetimin se është bërë degradimi dhe kaosi urbanistik për shkak të mos zbatimit të vendimit të MMPH-së nga ana e Komunës së Prizrenit.
Përkundër këtij vendimi të MMPH-së të Kosovës, me të cilin i janë marr kompetenca për të vepruar në Prevallë, Drejtoria për urbanizëm dhe planifikim hapësinor të komunës Prizrenit solli aktvendimin nr.04-353, të datës 28.08.2014. me të cilin obligon SHHB. ”Kalliri i Mirësisë ” nga Prizreni,”që në mënyrë vullnetare dhe me shpenzimet e veta të largoj-dislokoj objektin, në të kundërtën objekti do të dislokohet nga shërbimi kompetent i Komunës së Prizrenit në afat prej 15 ditësh nga hyrja në fuqi e aktit administrativ, ndërsa të gjitha shpenzimet e ekzekutimit do të barten investitorit”. Ky aktvendimi i DUPH-së të Komunës së Prizrenit është jo vetëm kundër ligjor, por edhe abstrakt, që i njëjti organ i cili 11 vite më pas e ka pajisur me të gjitha lejet paraprake për ndërtim të objektit të ”Kullës së Jetimit”, tani 11 vite pas kësaj i revokon apo i shfuqizon vendimet e veta. Nga kjo mund të nënkuptohet se ky është një vendim kryekëput politik e jo vendim ligjor, i cili është ndërmarrë në kuadër të veprimeve të gjera kundër individëve, imamëve dhe shoqatave në Kosovë për ” kërcënimin dhe rrezikun e Kosovës nga terrorizmi”.
”Kulla e Jetimit” në Prevallë nuk ka të bëjë asgjë me ” grupet të dyshuara terroriste”, pasi që tërë veprimtarinë e vet e zhvillon konform statutit në mënyrë publike, e cila edhe mund të kontrollohet në çdo moment. Objekti i ”Kullës së Jetimit” në Prevallë është vend publik dhe i njëjti i hapur në çdo kohë dhe mund të vizitohet nga çdo individ apo grup, qoftë vendor apo ndërkombëtar, të cilëve ju ofrohen shërbime hoteliere. SHHB.”Kalliri i Mirësisë” nuk mbanë përgjegjësi për individët apo grupet që e vizitojnë objektin e ”Kullës së Jetimit” sepse kjo është detyrë e organeve shtetërore për ruajtjen e rendit publik. SHHB.” Kalliri i Mirësisë” është përgjegjës vetëm për veprimtarin e vet konform statutit të saj, si dhe për stafin dhe punonjësit e vet që janë të angazhuar në punët e përcaktuara sipas detyrës që i kryejnë në objektin e “Kullës së Jetimit” në Prevallë. Organet policore kohë më parë për shkak të dyshimeve kanë bërë edhe bastisjen e objektit të ”Kullës së Jetimit” në Prevallë por nuk kanë konstatuar e as që kanë gjet ndonjë provë se kjo shoqatë humanitare merret me aktivitete të ndaluara që prishin rendin publik apo diç tjetër të kundërligjshëm. Komuna e Prizrenit gjatë 11-të viteve të kaluara nuk ka bërë asnjë inspektim të objektit, nuk ka përpiluar asnjë procesverbal lidhur me aktivitetin e ”Kullës së Jetimit” në Prevallë, me të cilin në rast se do të kishte diç që do të kishte vërtetuar, do të duhej të kishte urdhëruar objektin në fjalë, që për një afat të caktuar kohor të eliminojë tejkalimet eventuale të veprimtarisë së saj. Pas afatit kohor, në rast se pala, në rastin konkret, SHHB:”Kalliri i Mirësisë”, nuk do kishte vepruar konform udhëzimeve të dhëna, atëherë ajo do të kishte pas drejtën ligjore të veproj dhe të sjell vendime të caktuara. Por jo në atë mënyrë, që objektin e ”Kullës së Jetimit” të rrënojë, por të ndaloj apo të kufizojë tejkalimet e vërtetuara eventuale faktike.
Pas ankesës së bërë në afatin e paraparë ligjor, kundrejt vendimit të DUPH-së të Prizrenit, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Kosovës(MMPH-ja) solli aktvendimin nr. A-245/14 në çështjen administrative lidhur me ankesën e SHHB.”Kalliri i Mirësisë”, kundër aktvendimit nr. 04-353 të datës 28.08.2014 të DUPH-së të komunës së Prizrenit. Në vendimin e vet, MMPH-ja e Kosovës në vend se të vërtetojë ankesën, dhe të hedh poshtë aktvendimin e DUPH-së së Prizrenit, si kundërligjore, pasi që më parë ja ka marrë kompetencat e tilla, vendimi i saj jo vetëm që është kundërligjor, por edhe absurd i llojit të vet.:”Refuzohet si e pabazë ankesa e SHHB.”Kalliri i Mirësisë”, në Prizren. Vërtetohet aktvendimi nr.04-353, datë 28.08.2014, të Drejtorisë për urbanizim dhe planifikim hapësinor, Komuna e Prizrenit”.
MMPH-ja e Kosovës, në vend se në vendimin e vet, të merret me fakte dhe prova materiale të prezantuara në ankesë, ajo fare nuk merret me to. Në vend se MMPH-ja e Kosovës të rrëzojë aktvendimin e DUPH-së së Prizrenit, si një vendim kundërligjor, ajo vet sjell një vendim kundërligjor, pasi që kohë parë ka sjell vendimin me të cilin i merr kompetencat territoriale për veprim të DUPH-së të Prizrenit, në Prevallë të Prizrenit, dhe se pas saj vetëm ajo është kompetente për të sjell vendime për ndërtim apo rrënim të objekteve në Prevallë, Në përfundim të vendimit për Këshilla Juridike ceket:”Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur mund të inicioj konflikt administrativ me padi në Gjykatën Themelore të Prishtinës-Departamenti për Çështjet Administrative, në afat prej 30 ditësh, nga dita e pranimit të njëjtit”.
SHHB.”Kalliri i Mirësisë” nga Prizreni, konform Këshillave Juridike të cekur në vendimin e MMPH-së të Kosovës, duke u mbështetur në nenin 10, paragrafi 1, të Ligjit për Konfliktet Administrative:”10.1.Të drejtë për të nisur konfliktin administrativ ka personi fizik si dhe personi juridik, nëse vlerëson se me aktin administrativ përfundimtar në procedurën administrative, i është shkelur ndonjë e drejtë apo interes ligjor, si dhe nenit 13, paragrafi 1, :”13.1.Konflikti administrativ mund të fillojë vetëm kundër aktit administrativ të nxjerrë në procedurën administrative në shkallën e dytë”, në afatin e paraparë ligjor, ka ngrit Padinë për Konflikt Administrativ pran Gjykatës Themelore në Prishtinë-Departamentit për Çështje Administrative. Në padinë e saj, SHHB.” Kalliri i Mirësisë” përveç tjerash ceket:” Theksojmë se në rastin e dhënies së lejes ndërtimore si dhe dokumentacionit përcjellës nuk theksohet dedikimi i objektit. Po ashtu deri në marrjen e vendimit nga ana e Komunës së Prizrenit nuk ka pasur asnjë vërejtje lidhur me veprimtarinë që është zhvilluar në këtë objekt. Se aktvendimi i DUPH-së,KK Prizren është i kundërligjshëm argumentohet me faktin se MMPH-ja para marrjes së këtij vendimi ia ka marrë të gjitha të drejtat e Komunës së Prizrenit për të vepruar përkitazi me Prevallën. Të drejtat të cilat janë ekskluzivisht në kompetencë të MMPH-së, andaj refuzimi i ankesës dhe vërtetimi i aktvendimit të DUPH-së me vendimin e MMPH-së është i kundërligjshëm”.
Duke pritur në afatin e paraparë ligjor, që Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti i Administratës, të caktojë seancën për shqyrtim gjyqësor në të cilin do të ftohen të dy palët në procedurën administrative në rastin në fjalë, dhe do të prezantohen faktet dhe provat materiale lidhur me objektin e ”Kullës së Jetimit” në Prevallë, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Kosovës, edhe pse vet e ka udhëzuar me mjete juridike që të bëjë padi për Konflikt Administrativ pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, në kundërshtim me vendimin e vet të mëparshëm, sjell vendimin e ri me të cilin SHHB.”Kalliri i Mirësisë” e “urdhëron që në afat prej 15 ditësh vet të rrënojë objektin e ”Kullës së Jetimit” në Prevallë, në rast të mos veprimit të vet, MMPH-ja e Kosovës do ta rrënojë objektin në fjalë, ndërsa shpenzimet do t’i bart SHHB.” Kalliri i Mirësisë”. Kundër këtij aktvendimi pala mund të incioj konflikt administrativ në afat prej 15 ditësh në Gjykatën Themelore në Prishtinë, por tani me klauzulën se ankesa kundër këtij vendimi nuk e ndalon ekzekutimin e tij”. Shtet ligjor se jo mahi, njëherë të rrënon e pastaj thotë , ankohu, pasi që të rrënon. Çdo koment është i tepërt. MMPH-ja thirret në bazë të Vendimit nr. 42/2014, të datës 14.12.2014 për rrënimin e të gjitha objekteve pa leje ndërtimi, ndërsa zbaton vendimin për rrënimin e objektit të ”Kullës së Jetimit” me leje valide ndërtimi. Nga kjo haptas mund të nënkuptohet se zhvillohet një procedurë politike e cila fare nuk ka të bëjë asgjë me aspektin ligjor, dhe është në kundërshtim me nenin 37 të Ligjit mbi Procedurën Administrative, pasi që nuk është zhvilluar as një procedurë administrative e cila do të paraprinte marrjes së aktvendimit.
Po të ishte shteti i Kosovës shtet ligjor, vendimmarrësit jo vetëm që do të dënoheshin moralisht, por do të ndiqeshin edhe penalisht për shkeljen e kompetencave dhe sjelljen e vendimeve antiligjore. Pavarësia e Kosovës konsiderohet ”sui generis”, por nuk do të thotë që organet administrative në Kosovë mund të sjellin edhe vendime “sui generis” në Kosovë. Ky vendim është kryekëput politik në vazhdën e aksioneve të ndërmarra në Kosovë, që filloi me burgosjen e imamëve dhe të tjerëve, të vendimit për pezullimin e disa OJQ-ve, i cili është i drejtuar kundër myslimanëve të Kosovës dhe që është një shkelje flagrante e drejtave dhe lirive njerëzore. Këto vendime të tilla janë papresedan, për një shoqëri demokratike dhe rend juridik, dhe me vendime të tilla kundërligjore Kosova synon të aderojë në Bashkimin Evropian.
Në shtetet e Bashkimit Evropian është praktikë që para se të bihet një aktvendim në procedurën administrative hulumtohen dhe analizohen të gjitha provat dhe faktet ekzistuese për palën në procedurë, çoftë ai person fizik apo juridik. Pala në procedurën administrative ka të drejtë të përdori të gjitha mjetet juridike për ankiminin e një aktvendimi në të cilët prezanton provat dhe faktet e saja, para se organi administrativ të bien një vendim, më pas i shqyrton dhe analizon me kujdes të duhur dhe seriozitet maksimal provat dhe faktet e prezantuara në procedurën administrative pas së cilës bie edhe aktvendimin administrativ konform ligjit të caktuar në fuqi.
Në Kosovë për momentin është duke funksionuari shteti politik, e jo shteti ligjor, shtet ligjor të cilin do të duhej ta ketë Kosova, pasi që në fazën e ardhshme do të duhet të plotësojë të gjitha obligimet nga 35 kapitujt e paraparë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, e kjo nuk është kurrgjë tjetër, veç se një procedurë e gjatë administrative ligjore, por assesi procedurë politike.
EDITOR
10 years ago
previous article
Muslimani i parë kapiten i policisë në Boston, SHBA
you might also like
JO KRIME, NË EMËR TË NDERIT! – Dr. Bashkim Aliu
2 years ago
Agjërimi shkollë e durimit
3 years ago
Një vazo me shumë lule!
3 years ago