PYETJA: Hoxhë i nderuar, më intereson kur është ajo koha në të cilën Allahu nuk e kthen lutjen e lutësit në ditën e xhuma?
Mr. Bashkim ALIU
PËRGJIGJA:
Së pari të thekson se është e vërtetë konform hadithit të Pejgamberit s.a.v.s. se në ditën e xhuma ka një kohë, apo siç e shpreh edhe vetë i dërguari i Allahut “sa’atun”, kur Allahu nuk e kthen prapë lutjen e besimtarit.
Mirëpo, dijetarët islamë kanë debatuar shumë rreth asaj se kur është kjo kohë, dhe për këtë jepen më shumë mendime.Vetëm do të tregoj se Ibn Haxheri, në veprën e tij Fet’hu-l-Bari, përmend se për çështjen në fjalë janë dhënë 43 mendime.
Mirëpo, Ibn Haxheri, përparësi u jep dy mendimeve:1)Sipas këtij mendimi, koha kur pranohet lutja në ditën e xhuma, është momenti kur ligjëruesi hyp në hutbe dhe derisa të mbarojë ligjërata, apo namazi i xhumasë; 2)Sipas këtij mendimi, kjo kohë është fundi i ditës së xhuma, apo pas namazit të iqindisë, e deri në mbarim të ditës.
Është e vërtetë se kjo kohë ekziston, por nuk ka dëshmi dhe argument të prerë se kur është saktë kjo kohë.Mendimet që përmenden, janë mendime të dijetarëve që nuk guxojmë t’i pranojmë në mënyrë decide të sakta, apo t’i demantojmë në mënyrë kategorike.
Për këtë, duhet që besimtari ditën e xhuma vazhdimisht të lutet, me shpresë se do ta kap këtë kohë.Kjo ndikon që ai të jetë i përkushtuar lutjes vaxhdimisht, e jo të presë një termin të caktuar, dhe çdo gjë të përfundoj me këtë.
Në fund, të përmendi se disa dijetar mendojnë se kjo kohë lëviz prej xhumaje në xhuma, gjegjësisht, çdo xhuma nuk është në të njejtin termin, por ka mundësi që një xhuma psh. Të jetë në fillim të ditës, një xhuma në mesditë, një xhuma në pjesën e fundit të ditës e kështu me rrathë.
Lutja pranohet nëse i kemi të plotësuara edhe kushtet e parapara, ndërkaq është gabim të mendohet se gjatë gjithë javës do të jemi larg përmendjes së Zotit, larg Pejgamberit dhe detyrave fetare, e pastaj një ditë xhumaje, apo më saktë thenë një moment të caktuar do të lutemi dhe do të na pranohet lutja.Ne duhet vazhdimisht të punojmë dhe të ecim në rrugën e Islamit, sepse në këtë mënyrë do të arrimë kënaqësi në këtë jetë dhe shpëtim në jetën tjetër.
Allahu e di më së miri.
Categories