Waddah Khanfar
Lindja e Mesme, e cila ndodhet në prag të katastrofës sektare, mund të ringjallë frymën e bashkëjetesës së saj të lashtë me anë të një bashkimi ekonomik.
Javën e kaluar – qartësisht dhe zyrtarisht – lufta në Siri u zgjerua për tu bërë një konflikt i jashtëzakonshëm rajonal. Së pari, Hasan Nasrallah, udhëheqësi I Hezbollahut në Liban, bëri të ditur zyrtarisht, se forcat e tij po luftonin në anën e presidentit sirian Bashar al-Asad. Ndërkohë, në Irak përplasjet mes qeverisë së Nuri al Maliki dhe demonstruesve në provincat suite, hynë në fazën e tyre të përgjakshme. Më pas, me përfundimin e javës, ne pamë bombardimet e Izraelit me shenjestër brenda Sirisë. I gjithë rajoni po përjeton tashmë ndryshimin më të rëndësishëm gjeopolitik, qysh prej periudhës pas luftës së Parë Botërore, kur u rinda harta politike e Lindjes së Mesme.
Ne tashmë po korrim pasojat e hezitimit të  komunitetit ndërkombëtar ndaj regjimit të Asadit. Ky hezitim krijoi hapësirën për Asadin që të shtypte ashpërsisht popullin e tij. Ndërsa Rusia dhe Irani vijuan ta furnizonin me armë regjimin sirian, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian vendosën sanksione që kanë një ndikim negativ mbi Ushtrinë e Lirë Siriane, veçanërisht në lidhje me armët kundra-ajrore. Ato i frikësoheshin faktit që këto armë do të përfundonin  në duar të gabuara, por  në këtë periudhë revolucioni sirian ishte thjesht I brendshëm, xhihadistët nuk kishin asnjë prani të vërtetë. Me rritjen e brutalitetit të regjimit dhe apatisë ndërkombëtare, situate në terren filloi të ndryshojë në favor të grupeve xhihadiste.
Tani dhuna nuk do të mbetet e mbyllur në Siri. Libani është bërë një zgjerim i teatrit të luftës në Siri, dhe deklarata nga udhëheqësi i shiitëve të Hezbollahut në mbështetje të regjimit Alevit të Asadit, e ngriti atje nivelin e polarizimin sektar , në nivele të pazakonta. Nëse përplasja sektare në Irak vijon të përshkallëzohet, situata do të bëhet akoma edhe më e rrezikshme: Iraku, me pozicionin e tij strategjik me pamje nga Gjiri i pasur me naftë, Irani dhe Turqia, është një fuqi baruti që mund të ndezë të gjithë rajonin.
Rreziku i vërtetë është që konflikti sektar në rajon të bëhet i ngulitur. Shumë në Irak po bëjnë tashmë thirrje për krijimin e tre rajoneve mbi bazat sektare dhe etnike: një rajon Shiit dhe një rajon Sunit, përveç rajonit Kurd i cili tashmë gëzon një pavarësi substanciale. Në Siri, masakrimet e sunitëve në rajonet bregdetare të populluara dendur nga Alevitët, gjatë javëve të kaluara është ndërmarrë për të terrorizuar sunitët e mbetur në mbarim. Ky është një hap i rëndësishëm drejt themelimit të një entiteti të plotë Alevit, në qoftë se regjimi humb kontrollin e tij mbi Damask. Kjo nuk do të mund të çojë në qëndrueshmëri dhe begati, por në vazhdimin e gjakmarrjeve të përgjakshme.
Kufinjtë e shteteve të Lindjes së Mesme të themeluara nga marrëveshja Sajks-Piko ishin të palogjikshme dhe të pazbatueshme, si dhe kurrë nuk kanë gëzuar ndonjë legjitimitet në mendjet e popujve Arab. Ato nuk ishin kurrë të aftë që të zhvillohen në komb-shtete të qëndrueshme, ndryshe nga fqinjët si Irani dhe Turqia. Në kundërpërgjigje, lëvizja pan-arabe doli në pah duke kërkuar bashkim, një ëndërr e cila tërhoqi popujt e rajonit por që kurrë nuk u materializuan në terren.
Tashmë duket se marrëveshja Sajks-Piko nuk do të zgjasë që të shohë shekullin e saj të parë. Por ne nuk duhet të shohim për një alternativë që është më e keqe: kufijtë e shumtë artificial do të jenë një recetë për një konflikt të përhershëm. Një zgjidhje është e mundshme nëpërmjet ringjalljes së shpirtit që e ka dalluar Lindjen e Mesme gjatë gjithë historisë së saj. Katër popuj kanë bashkëjetuar në këtë rajon qysh prej kohëve të lashta-Arabët, Kurdët, Turqit si dhe Iranianët-në një mjedis të hapur ekonomik dhe shoqëror. Për shekuj rajoni mbeti një njësi e puqur, pavarësisht shumëllojshmërisë së saj fetare, sektare, etnike, njerëzit, idetë, fetë dhe të mirat lëviznin përreth në liri.
Në vend të animit drejt ndasive sektare dhe fragmentarizimeve etnike, stabiliteti në Lindjen e Mesme është i mundur vetëm nëpërmjet kthimit edhe njëherë tek bashkimi dhe integrimi. Praktikisht, kjo do të thotë krijimin e një zone ekonomike që përfshin Irakun, Libanin, Jordaninë, si dhe që hapet deri në Turqi dhe Iran.  Kjo do të krijonte lirinë e lëvizjes dhe tregtisë, përtej kufijve për të rikthyer atë që ato kanë qenë ndër shekuj: kufijtë të rrjedhshëm. Interesi I vendeve të rajonit shtrihet në themelimin e një sistemi të interesave të ndërthurura përgjatë kufijve; vetëm atëherë do të largohen përçarjet sektare dhe axhendat etnike.
Zona nga Basra në Bejrut është e njohur si gjysmëhëna pjellore për shkak të burimeve dhe begatisë së saj. Nëse mbizotërojnë sektarizmat dhe separatizmat, ajo mund të bëhet vetëm një gjysmë hënë e gjakut dhe lotëve. Gjakderdhja nuk do të mund të kufizohet vetëm në Irak, Siri, dhe Liban sepse konfliktet sektare nuk njohin kufij. Kjo formë e konfliktit politik përhapet shpejt, dhe ka një ndikim të thellë. Nuk do të ketë  përfitues dhe të gjithë do të jenë  humbës.
Përktheu: Ervin Hakorja