Shkas i këtij shkrimi është shkelja flagrante e vazhdueshme e Kushtetutës së Bashkësisë Islame në Kosovë. Ruajtja e saj, me sa duket është bërë e pamundur. Nevoja për një kushtetutë të re, për lidership të ri dhe për logjikë tjetër fare të punës është e domosdoshme. Punonjësit dhe dashamirët e Bashkësisë Islame duhet të lëvizin. Bashkësia Islame në Kosovë ka nevojë për të gjithë ne!
Shkruan: Dr. Mustafa BAJRAMI
Për dallim nga shumë kategori tjera juridike të cilat definohen në bazë të përmbajtjes së tyre, “definimi kushtetues i kushtetutës” është shumë i vështirë. Edhe pse pjesa dërmuese e teksteve të kushtetutës aludojnë në definicionin e kushtetutës, ato nuk sjellin definicione dhe si të tilla, kushtetutat nuk definojnë vetveten. Këtë punë e kryejnë teoritë sociologjike, filozofike, shkencat politike etj.
Për definicionin juridik të Kushtetutës i cili është më i rëndësishmi, ekzistojnë pikëpamje të ndryshme të cilat mund t’i përmbledhim në dy grupe: Kushtetuta në kuptimin formal (akti juridik më i lartë që bihet nga organi përfaqësues i cili është bartës i pushtetit ligjdhënës ose nga organi special kushtetues, me procedura ndryshe nga ato që sjellin ligje, dispozita dhe akte të tjera) dhe kushtetuta në kuptimin material  (tërësia e normave juridike të cilat qëndrojnë mbi një numër aktesh juridike që kanë funksion kushtetues). Dallimi mes kuptimit formal dhe atij material përqendrohet në formë, ani pse ka dallime edhe në përmbajtje. Në kuptimin e parë ajo është e shkruar dhe e kodifikuar me fuqinë më të lartë juridike, e miratuar nga organi më i lartë ligjvënës dhe me procedurë të veçantë. Në kuptimin dytë është përmbledhja e normave dhe rregullave themelore që rregullojnë bazat e rendit shoqëror, shtetëror dhe juridik.
Historia e “Kushtetutës”
Fjala kushtetutë (lat: constitutio) për herë të parë përmendet në Greqinë e vjetër (Platoni dhe Aristoteli), më vonë romakët përgatiten disa akte ligjore të cilat i quajtën constitucione. Vetëm pas shek. XVII, fjala kushtetutë fillon të merr kuptimin e mirëfilltë. Dokumenti i parë modern që deri diku i ngjason kushtetutave të sotme është Statuti i San Marinos i vitit 1600 dhe Instrumenti i Qeverisjes i vitit 1653 (The Instrument of Goverment-Kushtetuta e Oliver Kromvellit në Angli). Të ngjashme me to përmenden edhe Karta e Madhe e Lirive (Magna Charta Libertatum e vitit 1215, (neni 63 i saj përkufizon posaçërisht prerogativat gjyqësore të mbretit, përshkruan sentencat e ligjshmërisë kundër privimit të lirive dhe të drejtave të gjyqësisë dhe respektimit të kushtetutës), pastaj Peticioni mbi të drejtat 1628, Ligji mbi të drejtat, 1688, (Bill of Right), Habeas corpus act i vitit 1690 si dhe Deklarata e pavarësisë së SHBA-ve e vitit 1776. Kushtetuta e SHBA-ve e vitit 1787 si dhe ato të Francës 1791, 1793, konsiderohen të parat në kuptimin e plotë të fjalës. Ka raste kur kushtetuta proklamohet si Eminacion i vullnetit të Zotit (Civitas Dei). Në kohët më të vonshme janë paraqitur emërtime të reja si dokument, deklaratë etj. Fatkeqësisht, edhe sot ekzistojnë shtete dhe institucione që në mënyrë arbitrare atakojnë kushtetutat për të mbrojtur interesat e klasës udhëheqëse diktatoriale në shtete dhe institucione.
Në ditët e sotme shtetet e botës, madje edhe atje ku sadopak frymon demokracia, kanë kushtetutën e tyre si aktin më të lartë të rregullimit shtetëror. Shikuar në aspektin praktik, asnjë kushtetutë nuk është e përhershme dhe nuk mund të qëndrojë e njëjtë. Rrethanat shoqërore dhe dinamika e jetës  janë ato të cilave duhet t’i përshtatet kushtetuta në praktikë. Përgjatë 200 viteve të zhvillimit të kushtetutshmërisë moderne, kushtetuta u bë një dukuri universale e mbi 190 shteteve të pavarura të cilat e kanë kushtetutën ose janë rrugë të përgatitjes së saj. Mes kushtetutave ka dallime të mëdha, por ka raste kur dy e më shumë sosh janë të njëjta.
Interpretimi i kushtetutës nevojë e kohës
Interpretimi i Kushtetutës është akt shumë i rëndësishëm ku qartësia dhe kuptueshmëria e saj garantohet nëpërmes interpretimit strikt. Interpretimi i fuqisë më të lartë juridike (kushtetuta) garanton epërsinë e saj në gjithë rendin juridik. Së këndejmi, kushtetutshmëria e saj kërkon mbrojtjen prej dëmtimeve formale, materiale dhe të tjera. Në sistemet kushtetuese demokratike, respektimi i kushtetutshmërisë si dhe ruajtja e saj është detyrim i organeve të pushtetit dhe të bartësve të funksioneve tjera. Organet e specializuara për mbrojtjen e saj janë gjyqet, respektivisht sistemi i gjyqësisë. Në vendet ku ekziston Gjykata Kushtetuese, kjo e fundit është mbrojtësja kryesore e kushtetutshmërisë.
Kushtetuta në përgjithësi përfshinë tri ndarjet themelore të qeverisjes: pushteti legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor, të ndarë nga njëri-tjetri. Rëndësia e ndarjes së pushteteve ka të bëjë me krijimin e kushteve për kontroll ku secili ushtron pushtetin e kontrollit mbi tjetrin. Kur sistemi i ndarjes së pushteteve dështon, ajo çon në shfuqizimin e kontratës shoqërore. Me terma ligjore, shkatërrimi i sistemit udhëheqës dhe paraqitja e një sistemi të bazuar mbi sundimin e një njeriu, është pasojë e shfuqizimit të kushtetutës. Diçka e ngjashme sot ndodh në Bashkësinë Islame në Kosovë. Kur shkelet kushtetuta, kreu përqendrohet mbi marrëdhëniet personale, nepotizëm, parregullsi dhe forma tjera anti-kushtetuese. Aty fillohet të flitet për merita personale, për lodhje kinse pa nevojë dhe ankesa për mosvlerësimin e punës së udhëheqësit. Idetë dhe vizionet e reja refuzohen, njerëzit me pikëpamje përparimtare shantazhohen, si përfundim, mugullon centralizmi despotik.
Rasti i Bashkësisë Islame
Sigurimi dhe mbrojtja e kushtetutës kërkon një qytetari aktive, në rastin konkret xhematë aktiv dhe të vetëdijesuar. Xhemati janë përgjegjës për mbrojtjen dhe forcimin e saj. Posaçërisht punonjësit e Bashkësisë Islame janë ata që duhet të sakrifikojnë interesat vetjake imediate për një sistem që garanton prosperitet afatgjatë. Përfitimi imediat mbi bazën e raporteve personale, nepotizmi dhe parregullsitë tjera do t’i kushtojnë shumë Bashkësisë Islame.
Bashkësia Islame në Kosovë e cila po përballet me pasojat që dolën nga amendamentimi antikushtetues, sikur edhe më parë për shkaqe tjera, tani po përjeton jo-stabilitet të paparë. Për shkak të krizave të vazhdueshme si rezultat i hapave të gabueshëm të kreut të saj dhe në mungesë të një organi mbikëqyrës që do të mbikëqyrte dhe interpretonte veprimet  e kreut të BIK-ut ndaj kushtetutës por edhe të tjerëve ndaj saj, Bashkësia Islame është vënë para një kollapsi të gjithanshëm dhe të paparë gjerë më tani. Përgjatë sistemit monist Bashkësia Islame shtypej nëpërmes presioneve komuniste, nëpërmes programeve të caktuara për ta ngecë aktivitetin e saj, sot po ngecet dhe po përjeton katrahura të mëdha për shkak të qëndrimeve të ngurta të kreut të saj. I gjithë aktiviteti i Bashkësisë Islame është përqendruar në të ashtuquajturën “kriza e myftiut” të cilën vet kreu i saj e ka krijuar. Kritikat qëllimmira, këshillimet e aty-këtushme apo cila do iniciativë për ndryshime pozitive, nga kreu i BIK-ut klasifikohen si sulme tendencioze ndaj Bashkësisë Islame. Jetësimi i mësimeve islame është vënë në pikëpyetje. Lidershipi i tanishëm ka nevojë për këshilla e kryesorja është dorëheqja kolektive. Krerët e saj janë në hyxhym për poste dhe pozita që mundohen ti ruajnë me çdo kusht. Imazhi i Bashkësisë Islame është e damkosur keq nga veprimet e ulëta të lidershipit të tanishëm. Krejt çka shkruhet për Bashkësinë Islame është lufta për pushtet e ndihmuar nga parregullsitë që s’dinë të ndalur. Nevoja për rimëkëmbje është mase e domosdoshme, imediate në të njëjtën kohë.
Sfidat me të cilat nesër do të përballet Bashkësia Islame, sot duhet lexuar si nevojë për të kuptuar seriozitetin e problemeve që janë grumbulluar. Pasojat e dala nga keq-menaxhimi mund të tejkalohen vetëm nëpërmes aktivitetit të përbashkët dhe gjithëpërfshirës. Kuadrot e nëpërkëmbura, të hedhur rrugëve, të përjashtuar pa të drejtë ligjore, duhet afruar dhe së bashku të punohet në riparimin e situatës, nëse është i mundur. Institucioni më i lartë fetar islam i vendit është në shpërbërje e sipër. Vetëkënaqësia e kreut të Bashkësisë Islame, prononcimet e çoroditura të mbështjella me të pavërteta me gjithë qëndrimet e gabueshme edhe më tutje do të gërryejnë themelet e këtij institucioni. Shikuar si dokument në tërësi që po nëpërkëmbet ditë e më shumë, Kushtetuta e Bashkësisë Islame duhet të garantojë qëndrueshmëri të bazuar në parimet dhe dispozitat e Fesë Islame, të promovoj lirinë, paqen, barazinë, respektin, mos-diskriminimin dhe drejtësinë sociale. Ruajtja dhe promovimi i vlerave tona kombëtare dhe nacionale duhet të zë hapësirë të meritueshme në kushtetutën e Bashkësisë Islame. Interpretimi gramatikor/gjuhësor/literal, (po jo vetëm ai) i kushtetutës së tanishme të BIK-ut tmerrësisht qet në pah huazimin dhe plagjiaturën gati të fjalëpërfjalshme të kushtetutës së Bashkësisë Islame të Bosnjës (shiko; Glasnik, Sarajevë 1990, nr. 2). Edhe pse e përkthyer me një mjeshtri të madhe, ajo nuk do të duhej të ishte kopje e kushtetutës sonë. Kushtetutën e Bashkësisë Islame në Kosovë duhet ta përpilojnë njerëzit profesionalistë, të ndihmuar të gjitha profilet e nevojshme dhe nga dijetarë islam që kanë përvoja juridike dhe në rast se nuk gjinden, të kërkohet ndihmesë edhe nga jashtë vendit tonë. Ajo duhet të jetë e kompletuar dhe t’i përgjigjet dinamikave të kohës dhe hapësirës në të cilën jetojmë. Me përpilimin apo ndryshimet eventuale të kushtetutës nuk bënë, nuk mund dhe nuk guxon të lejohet të merret një sekretar i Kryesisë së BIK-ut që nuk ka as shkollimin adekuat e as përvojë të  mjaftueshme. Ai mund të kontribuoj në sfera tjera të punës. Përfundimisht duhet të punohet në emër të qëndrueshmërisë ndaj rrethanave dhe funksionalizimit afatgjatë të Kushtetutës së Bashkësisë Islame.
Si duhet vepruar dhe çka duhet ndryshuar?
Tanimë kur kushtetuta e Bashkësisë Islame ka nevojë për ndryshime substanciale sidomos të atyre dimensioneve që ndërlidhen me zgjedhjen e myftiut, shikuar në kontekstin e ndryshimeve, “rasti i myftiut” konsiderohet shkas por edhe moment i duhur të bëhen ndryshime të nevojshme.
Dështimi i zgjedhjes në mënyrë demokratike të myftiut hedh në dritë nevojën e themelimit të një Këshilli Iniciues, jo për ndryshimin por për përpilimin e kushtetutës së re, krejtësisht tjetër nga përvoja e gjertanishme. Këshilli Iniciues i përbërë nga personalitete të njohura dhe me njerëz që dinë dhe janë të gatshëm të përballohen me nevojat dhe sfidat e kohës do të duhej të udhëhiqte për një kohë Bashkësinë Islame e pas përpilimit të kushtetutës së re të shpallë zgjedhje të përgjithshme konform kushtetutës. Në këtë kohë, duhet të përpilohen rregullore të reja për gjithë Këshillat e Bashkësisë Islame dhe për të gjitha institucionet dhe instancat e saj.
Së këndejmi Bashkësia Islame e Kosovës brenda një periudhe relativisht të shkurtër mund të përballet me probleme edhe më të mëdha që mund të qojnë në humbjen e vazhdueshme të imazhit, besueshmërisë, reputacionit por edhe peshës së saj. Duke ditur që ndryshimet kushtetuese janë procese që marrin kohë dhe që nuk mund të bëhen shpesh por edhe janë të vështira, duhet shfrytëzuar rastin që ndryshimet të zgjerohen edhe në logjikën e punës dhe në ingerencat reale të Kuvendit të Bashkësisë Islame. Kuvendi duhet të ketë një rol permanent dhe të pazëvendësueshëm në jetësimin e programeve të punës dhe dispozitave të Fesë Islame. Në këtë mënyrë mendojmë që Kushtetuta e Bashkësisë Islame do të futet në binaret e funksionalizimit afatgjatë ku do të lirohet nga kthetrat e despotizmit të tanishëm që ka ngulfatur gjithë aktivitetin e Bashkësisë Islame.