Nacionalizmi shqiptar ka zhvilluar kultin e gjuhës, si askund tjetër në botë. Ajo është ndoshta objekti më i rëndësishëm në tempullin e kombit. Nuk di të ketë popull që të ketë shpenzuar kaq shumë himne, poezi, shkrime, por edhe veprimtari politike, deri në përballje fizike, për gjuhën e vet. Shqipja është ndoshta e vetmja gjuhë që ka dëshmorët e saj, siç është Papa Kristo Negovani ose Dhaskal Todri, të ekzekutuar nga shovinizmi grek për shkak të veprimtarisë së tyre në përhapjen e shkrimit shqip.
Natyrisht gjuha shqipe është një pasuri vërtetë e çmuar, gjë që mund ta konstatosh qoftë edhe nëpërmjet folklorit të pasur, i cili mbart vlera letrare të jashtëzakonshme duke dëshmuar thellësinë e mendimit, pasurinë shpirtërore dhe shijen e hollë estetike të shoqërisë tradicionale shqiptare. Megjithatë, kjo nuk është e mjaftueshme për një nivel të tillë adhurimi për gjuhën. Një faktor tjetër është edhe fakti që nacionalizmi shqiptar përqafoi modelin gjerman të kombit kulturor, ku gjuha është një prej shtyllave kryesore që mbi të cilat ngrihet kombi, por edhe kjo mbetet përsëri e pamjaftueshme.
Ndoshta shpjegimi më i mirë do të duhej kërkuar në dy arsye kryesore. E para, duke qenë se paradoksalisht gjuha shqipe është shkruar vonë dhe nuk kemi një literaturë të pasur e funksionale deri në mesin e shek. XIX, bëhet e nevojshme që patriotët ta promovonin atë si vlerë ekzistuese, për të legjitimuar kombin shqiptar në opinionin publik ndërkombëtar. Nga ana tjetër, siç pohojnë edhe shumë studiues modernë, gjuha është parë si elementi thelbësor ku mund të lidhet identiteti shqiptar, për sa kohë, ndryshe nga fqinjët, kombi shqiptar nuk mund të lidhej dot pas një feje, për shkak të pluralitetit të besimeve që bart. Në këtë mënyrë, rilindasit i dhanë gjuhës peshën kryesore në formimin e identitetit shqiptar, duke e bërë atë objektin më të rëndësishëm që i bashkon të gjithë shqiptarët, e që njëkohësisht i ndan ata nga popujt e tjerë në rajon.
Përtej liturgjisë
Sigurisht, promovimi i mësimit, përdorimit e kultivimit të gjuhës ka qenë një angazhim mjaft i vyer në themelimin e kombit shqiptar. Megjithatë, shenjtërimi i gjuhës ka sjellë edhe pengesa në periudha më të vona, të cilat kanë të bëjnë me aspektin funksional të saj.
Ekzagjerimi i puritanizmit linguistik, të ndërmarrë, diku në emër të patriotizmit, diku tjetër në emër të europianizimit, në një konceptim hantingtonian “arratisjeje nga lindja”, ka sjellë deformimin dhe denatyralizimin e saj në mjaft aspekte. Natyrisht, fjalët e huaja përbëjnë një problem për çdo gjuhë, por ato janë shpesh të nevojshme e madje të domosdoshme. Nuk kemi arsye për të eliminuar çdo fjalë të huaj, kur për to nuk gjejmë një zëvendësuese në shqip që t’i përgjigjet saktësisht kuptimit të kërkuar.
Ashtu si kultura, edhe gjuha pasurohet nëpërmjet këmbimit, gjithmonë duke ruajtur tërësinë e saj. Hermetizimi nuk është aspak i shëndetshëm. Shpesh, puritanizmi linguistik sjell sforcime që, jo vetëm krijojnë boshllëk, i cili nuk mbushet dot nga fjalori i pastër shqip, por ai dëmton kuptimin e fjalëve ekzistuese, duke i veshur ato me konotacione të reja, artificiale. Ne mund e ndalojmë fjalët e huaja, por nuk ndalojmë dot kuptimet e huaja që na hyjnë nga komunikimi me gjuhë dhe kultura të tjera. Për sa kohë këto kuptime, ide, mendime do t’i shenjojmë në mënyrë të sforcuar nga leksiku i shqipes në emër të puritanizmit, nuk do të bëjmë gjë tjetër vetëm se do të deformojmë fjalët ekzistuese duke u mveshur kuptime të reja.
Një fjalë shqipe, e cila përdoret për të zëvendësuar një fjalë të huaj, jo gjithmonë i përgjigjet me përpikëri kuptimit të fjalës së huaj që zëvendëson. Kjo do të sjellë zgjerimin e kuptimeve për fjalën e përdorur, gjë që do të thotë t’ia ndryshosh kuptimin ekzistues në shqip. Në fund fare, kjo gjë shpie drejt çveshjes së fjalëve nga kuptimet ekzistuese, duke i bërë ato të tregojnë objekte gjithnjë e më të përgjithësuara, gjë që çon në deformim të gjuhës.
Në fakt, gjuha është një mjet dhe duhet parë si e tillë. Ajo luan disa funksione jetike për njeriun dhe shoqërinë njerëzore dhe nuk është thjesht suvenir e as altar me funksione vetëm simbolike. Përkundrazi, ajo ka funksione thelbësore në shoqëri dhe zhveshja prej tyre sjell kërcënim. Përveç komunikimit, ajo bart edhe funksione të tjera kulturore. Duke qenë e lidhur ngushtësisht me mendimin, ajo lidhet po kaq ngushtësisht edhe me kulturën, për sa kohë që kultura është produkt i perceptimeve shoqërore mbi botën.
Gjuha është dukuri kulturore dhe njëkohësisht një nga faktorët më të rëndësishëm në prodhimin e një kulture. Edward Spair ka hedhur tezën se shoqëritë përpunojnë konceptime të ndryshme për botën dhe se modelet e organizimit gjuhësor, ndikojnë në krijimin e tyre. Sipas kësaj, fjalët me të cilat i përshkruajmë sendet ndikojnë në perceptimin që krijojmë për to. Ashtu siç organizohet gjuha në sisteme gramatikore, edhe mendimi organizohet në atë mënyrë që të jetë pasqyrim i strukturës gjuhësore në të cilën ai ndërtohet. Struktura jonë gjuhësore orienton mendimin tonë në modelet që i përshtaten të folurit tonë.
Natyrisht, ka diskutime se deri në ç’nivel kjo dukuri e kushtëzon formimin kulturor. Disa teoricienë i japin asaj një rol absolut, ndërkohë që disa të tjerë një rol më të vogël, por të gjithë e shohin atë si të rëndësishme në formësimin e formacioneve kulturore të shoqërive. Kjo do të thotë se kultura shqiptare është, në një masë të konsiderueshme, produkt i gjuhës shqipe dhe se shqipja nuk është thjesht mjet identifikues i shqiptarëve, por është një instrument i rëndësishëm i prodhimit të kulturës sonë. Ne jemi këta që jemi edhe falë gjuhës që flasim dhe se ndryshimet në gjuhë sjellin tjetërsim kulturor.
Grackat e fjalëve
Gjuha, pra, ka një raport të afërt me mendimin. Njerëzit mendojnë me fjalë dhe kjo e bën atë kusht të mendimit. Për këtë arsye, mbrojtja e gjuhës dhe lëvrimi i saj është e domosdoshme për ta ruajtur mendjen e shoqërisë. Por, gjuha mund të bëhet gjithashtu edhe burg i mendimit. Fjalët janë shpesh gracka për mendjen. Duke u përdorur në mënyrë të gabuar, ideologjike ose mitologjike, fjalët krijojnë kuptime të rreme dhe kjo është mënyra sesi grupe të ndryshme interesi, përhapin bindje të gabuara në opinionin publik. Ideologjitë janë ato që, më së shumti, i shkatërrojnë gjuhët dhe kuptimin e fjalëve, duke konstruktuar kuptime të ngurta e të mangëta për to. Që në lashtësi Konfuci thoshte se, që të shmangim luftërat, duhet të biem dakord për fjalët.
Përdorimi i termave abuzivë si barazi, progres, racio, revolucion, emancipim, modernizëm etj, u ka ndihmuar ideologjive që lidhen me to, duke e ka çuar mendimin botëror në shtigje të dyshimta, duke u bërë shkak i instalimit të pushteteve nga më mizorët e madje duke ndikuar në shpërthimin e dy luftërave botërore. Këto fjalë kanë sjellë konstruksionet më të mëdha në iluzionet e botës moderne, duke ofruar kuptime që i kanë zënë kurth mendimit njerëzor. Përdorimi i tyre ka shtresëzuar një diskurs mitologjik, përtej mundësive racionale të realizimit të aspiratave që përfaqësojnë.
Shqipja e re
Gjuha shqipe ka kaluar natyrisht nëpër disa faza gjatë periudhës moderne duke filluar nga ajo e rilindjes, komunizmit dhe periudhës së sotme postkomuniste. Rilindasit ishin ata që hodhën bazat e modernizimit të shoqërisë shqiptare e, natyrisht, ndikimi i këtij procesi shfaqet edhe në gjuhë. Ata sollën embrionet e ligjërimit shoqëror modern, duke formuluar edhe kornizat themelore kulturore e politike të kombit shqiptar. Retorika e rilindësve solli një sërë elementësh ideologjikë (siç janë ato që kanë të bëjnë me kombin dhe nacionalizmin), por ata u munduan që modernizimin e shqiptarëve ta mbështesin mbi themele të traditës.
Në këtë drejtim, ata lëvruan gjuhën shqipe, prodhuan studime të rëndësishme dhe hodhën themelet për standardizimin e saj. Por, patriotët shqiptarë nuk e panë këtë proces si një thyerje dhe nuk ndoqën një logjikë dialektike në përplasje me të kaluarën. Përkundrazi, ata e panë modernitetin si një sfidë që duhet përballur, duke bërë të mundur që ai të ndërtohet mbi vlerat tradicionale të trashëguara.
Elitat intelektuale gjatë kësaj periudhe i referoheshin gjithmonë etnosit shqiptar, duke i kërkuar në traditë e folklor bazën për lëvrimin e kulturës. Kështu, në botimet e tyre hasim shumë përmbledhje e shënime mbi folklorin, e madje një pjesë e mirë e poezisë shqipe u shkrua duke u mbështetur mbi të. Duke qenë se nacionalizmi shqiptar ndoqi modelin e kombit kulturor, elitat shqiptare shfaqën një veneracion të madh për traditën, kulturën popullore, etnosin, në përgjithësi. Kjo bën që edhe gjuha e lëvruar nga patriotët shqiptarë të mos infektohej nga gjuhë dhe doktrina të huaja, por të mbetet e natyralizuar me mjedisin kulturor shqiptar.
Shqipja ideologjike
Indoktrinimi dhe denatyrizimi më i madh që i është bërë gjuhës dhe mendimit ka qenë ai i kohës së komunizmit. Diktatura u përpoq të instalonte në Shqipëri angazhimin më aventuresk të menduar ndonjëherë, duke importuar nga Bashkimi Sovjetik teknologjinë e një inxhinierie sociale nga më futuristet e utopiket. Njeriu i ri, i projektuar nga Partia, ishte një monstër që shpërfytyroi çdo aspekt të kulturës dhe trashëgimisë shqiptare.
Në funksion të këtij projekti komunizmi ndërtoi një makineri të tërë që fabrikonte mendimin dhe sjelljen shoqërore. Ai angazhoi në këtë ndërmarrje shkollat, mediat, kinematografinë, teatrot, e deri në shtrirjet më kapilare të strukturave partiake në çdo qendër pune. Ideologjia zyrtare përpunoi vokabularin e saj doktrinar, i cili injektohej çdo ditë në shoqëri, nëpërmjet industrisë më të zhvilluar që ndërtoi ai regjim, industrisë së përpunimit mendor të masave. Shqipja e njeriut të ri ishte e vetmja dritare për të parë e kuptuar botën, e cila natyrisht diktonte botëkuptime skematike që pengonin çdo lloj lirie dhe kthjelltësie intelektuale.
Sot shqiptarët janë ende të mbërthyer në rrjetën konceptuale të atij regjimi. Në një masë të madhe shqiptarët vijojnë ende ta shpjegojnë botën përmes termave të kësaj periudhe. Ende edhe sot, librat e historisë, studimet shoqërore, kulturore e letrare, si edhe shtypi i përditshëm reflektojnë terminologjinë marksiste, e cila ka ndryshuar shumë pak nga koha e komunizmit. Mendimi dialektik, koncepti i masave, popullit, megalomania dhe ngarkesat mitologjike, janë ende të ngulitura mirë në qasjet e studimeve të këtyre fushave. Do të duhet ende shumë kohë që elitat intelektuale dhe më pas shoqëria të çlirohen nga paradigmat e së kaluarës komuniste.
Kjo ka bërë që debatet mbi gjuhën që zhvillohen sot, të mos e adresojnë drejt problematikën e kohës. Shumica e gjuhëtarëve kanë mbetur në klishetë e instaluara këtu e 50 vjet dhe e kanë të vështirë të rrokin një sërë problemesh të një natyre më sociologjike që lidhet me gjuhën. Debati më i dashur për shumë prej tyre është ai mbi ndryshimin e standardit zyrtar të imponuar arbitrarisht prej Enver Hoxhës, që disa e sulmojnë, edhe për arsye krahinore, përveçse shkencore, ndërsa disa të tjerë e mbrojnë, më shumë për shkak të një inercie historike e madje edhe politike.
Në fakt, më tepër se probleme të strukturës, ajo çfarë duhet reformuar ka të bëjë me semantikën e cila nuk është çliruar ende nga intoksikimi ideologjik. Sidomos termat me ngarkesë ideologjike janë ende të mirushqyera nga bota konceptuale e regjimit të kaluar.
Globalishtja pa mësues
Nga ana tjetër, prurjet e reja kulturore kanë sjellë zhvillime që standardi i fosilizuar shqiptar nuk u gjen përgjigje. Në shumë aspekte gjuha letrare mbetet e pafolshme, sidomos nga të rinjtë, përderisa duket se jeton kulturalisht në një univers tjetër. Interesante është të shohësh filmat e dubluar, kryesisht ata për fëmijë, të cilët ofrojnë një miksim të gjuhës së shkruar letrare, me struktura e mënyra të shprehuri të gjuhëve të huaja nga janë përkthyer. Kjo ka bërë që shumë fëmijë të fitojnë mënyra të shprehuri që tingëllojnë artificiale dhe shpesh komike. Mund të thuhet se fëmijët e sotëm, në përgjithësi, nuk flasin një shqipe normale, por një dialekt të ri të krijuar nga Bang Bang-u.
Problemet e gjuhës, në fakt, janë shumë komplekse sot, për shkak të një sërë zhvillimesh që lidhen me modernitetin, të cilat studiuesit nuk para i marrin në konsideratë. Sidomos të rinjtë po jetojnë sot në një univers që fare pak ka lidhje me kulturën shqiptare të trashëguar, i cili në fakt nuk ka ndonjë lidhje të mirë me asnjë kulturë reale, por formohet nga dukuri krejtësisht akulturore, siç është kultura e konsumit në një shoqëri globale. Të rinjtë shqiptarë po adaptojnë modele kulturore të zbrazëta, me maniera të huazuara refleksivisht nga produktet mediatike më surrogate të botës së komercit, të cilat i bëjnë ata të ngjajnë teatralë. E gjithë kjo ndikon natyrisht edhe në gjuhën e të rinjve që po masakrohet mes dhëmbëve të tyre.
Të folurit e të rinjve sot është më tepër një zhargon vulgar, që priret të reduktojë gjithnjë e më tepër numrin e fjalëve në përdorim. Gjuha e tyre është një asfiksi kuptimore, e vënë në funksionim nëpërmjet një sërë skemash të thjeshta të adaptuara shabllon nga mediat. Për rrjedhojë, bota e të rinjve është sot tmerrësisht e varfër, e thjeshtë, primitive e vulgare. Këtë mund ta konstatosh jo vetëm kur i dëgjon të flasin, por edhe kur i sheh të shkruajnë në facebook ose në blogje.
Drejt zhdukjes
Në fakt, ky është një problem global, por në një realitet si ai shqiptar, ku mungon edhe trashëgimia, ai bëhet vdekjeprurës. Sociologët e psikologët ankohen se një dukuri e tillë po merr përhapje të jashtëzakonshme, falë mosleximit dhe falë vulgarizimit masiv kulturor që ofrojnë mediat dhe interneti. Të rinjtë po shndërrohen në analfabetë të diplomuar dhe kjo po shqetëson kudo studiuesit dhe institucionet që merren me këtë fushë.
Hart Wegner ka shkruar një libër shumë të ndjerë mbi këtë fenomen, një libër që të trishton në çdo rresht: Lamtumirë Fjalë. Autori evidenton aty të gjitha sëmundjet e modernitetit, të cilat po e çojnë shoqërinë drejt vdekjes së fjalëve. Kjo vërehet në çdo aspekt, që nga varfëria e të shprehurit, tek të shkruarit me shkurtime, e deri te prirja për ta zëvendësuar fjalën me simbole e numra. Fjala po shkon gradualisht drejt imazhit, i cili po e zhvesh mendjen e njeriut nga fuqia e të menduarit. Kjo do të thotë se e ardhmja, sipas autorit, pritet të jetë zhgënjyese.
Shqipëria, natyrisht, është edhe më keq. Degradimit intelektual që sjell moderniteti dhe kultura e konsumit, të cilat në Shqipëri gjejnë një shtrirje më të gjerë se kudo, i shtohet edhe e kaluara, e cila ofron denatyrimin spektakolar të një trashëgimie totalitare. Gjuha shqipe sot po ndrydhet si në morsë prej shqipes totalitare enveriste dhe shqipes globale snobiste të një prirjeje infantile për të qenë sa më trendi, e shfaqur kjo edhe tek mosha konsiderueshëm të mëdha. Të diskutosh mbi gjuhën shqipe sot do të thotë të diskutosh mbi diçka që tashmë po i largohet realitetit. Në shumë aspekte gjuha e sotme është bërë jofunksionale duke mos ofruar dot mekanizmat e duhura për t’u përshtatur.
Në këto kushte, gegë e toskë që zihen sot për standardin, shumë shpejt do të kuptojnë se kanë dalë krejtësisht në një univers tjetër ku nuk do të mund të gjejnë dot as përkthyes për t’u marrë vesh.
admin
11 years ago
previous article
Arabia Saudite: Falas në Internet përmes Wikipedia Zero
next article
Marrëveshja historike në mes G 5+1 dhe Iranit
you might also like
JO KRIME, NË EMËR TË NDERIT! – Dr. Bashkim Aliu
2 years ago
Agjërimi shkollë e durimit
3 years ago
Një vazo me shumë lule!
3 years ago