Jeta për 400 banorët e komunës Qendër të Mallakastrës nuk është më si më parë.
Banesat e tyre po ikin bashkë me dheun nga fshati, ndërsa ata kanë mbetur pa strehë. Deri më tani, 15 banesa janë dëmtuar plotësisht, por fatin e njëjtë duket se do ta pësojnë edhe të tjera, pasi rrëshqitjet e dherave vazhdojnë.
Lëvizjet masive të tokës që po ndodhin në fshatin Ngracie, nisën natën e shkuar, por fatmirësisht nuk ka të lënduar. Banorët janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre. Forcat e policisë, Shtabi i Emergjencave si dhe drejtues të pushtetit vendor shkuan atje, duke strehuar përkohësisht banorët në një hotel.
Nga ana tjetër, po nxirret ç’të mundet nga banesat që po shkojnë drejt shkatërrimit. Tek vendi ku po ndodhin rrëshqitjet, shkoi sot edhe ministri i Punëve Publike dhe Transportit Sokol Olldashi si dhe ai i Brendshëm Flamur Noka, të cilët i kërkuan banorëve që të pranojnë evakuimin për të shmangur të gjitha rreziqet.
“Rrëshqitja e dherave vazhdon ende dhe kjo zonë është e pabanueshme ndaj dhe banorët duhet të shpërngulen në një zonë të sigurt”, deklaroi ministri Olldashi. Më tej ai shtoi se rrëshqitja ka nisur në orët e vona të natës. “Situata ishte kritike dhe mund të shkaktonte viktima dhe dëme shumë më të mëdha. ne do të gjejmë një zgjidhje në kohë sa më të shpejtë për të sistemuar gjithë këta banorë”, siguroi Olldashi.
Aktualisht 11 familje janë sistemuar në ambientet e hotel “Gjanica”, ndërsa autoritetet po shqyrtojnë mundësitë e një sistemimi e tyre. Ndërkohë ministri Noka informoi se është ngritur komisioni për evidentimin e dëmeve materiale. Sipas kryetarit të komunës, Agron Kapllani, sipërfaqja e tokës që është zhvendosur si rezultat i rrëshqitjes është rreth 40 ha. Ndërkohë që rruga që lidh fshatin me Qendrën e komunës është bërë e pakalueshme./Start/
Categories