Gjendja e papunësisë për rininë është njëri nga problemet kryesor të Maqedonisë, kurse ai do të rritet edhe më shumë, siç është duke u thelluar kriza ekonomike.
Një raport i përgatitur nga Bashkimi Europian me titull : “IRJM, një shikim mbi zhvillimin e burimeve njerëzore” tregon se ky vend po përballet me sfida serioze në fushën e punësimit.
Pjesa më e madhe e të papunëve janë të paaftë të gjejnë një punë për një periudhë të paktën një vjeçare, ndërsa për 60% kërkimi zgjat më shumë se katër vjet. Ky fenomen është prezent në të gjitha kategoritë, veçanërisht tek të rinjtë, përfshi këtu edhe të rinjtë e diplomuar, gratë, minoritetet etj, raporton agjencia e lajmeve INA.
Në Maqedoni punësimi i femrave po rritet, por me një normë të ulët. Raporti bën të ditur se Maqedonia është ndër vendet që ka papunësinë më të lartë te të rinjtë në Ballkanin Perëndimr.  Faktorët që kanë ndikuar në këtë trend janë të lidhur me një sërë aspektesh, ndërsa kërkohet që të përmirësohen politikat.
Një nga problemet kryesore në tregun e punës është kapaciteti i ulët i ekonomisë për krijimin e vendeve të punës.
Organizata për Bashkëpunim Rajonal dhe Integrime Evropiane (OBRIE) vlerëson se, ulja e papunësisë është kyçe për integrimin e shtetit në Bashkimin Evropian dhe në këtë drejtim Qeveria duhet t’i zvogëlojë pengesat për krijimin e vendeve të reja të punës, duke e përforcuar klimën e biznesit.
Një pjesë e të rinjve duke parë gjendjen e rëndë të tyre dhe pa perspektivën në vend, i`a mësyjnë rrugëve të mërgimit, vetëm e vetëm për të pasur dhe për të tentuar për një jetë më të mirë dhe një sprovë për të shmangur skamjen që ka mbërthyer. (INA)