Mes matematikës dhe gjuhëve të huaja, kanë pasur mundësi të përcaktohen maturantët për t’iu nënshtruar lëndës së dyte zgjedhore të provimit të maturës shtetërore, që do të mbahet nesër (e martë) me fillim në orën 10:00.
Numri i maturantëve të cilët janë paraqitur për t’iu nënshtruar provimit të maturës shtetërore është 19.289.
‘Sikur vitet e kaluara, edhe kësaj herë interesim më i vogël është për tu testuar në matematikë, ndërsa më i madh për gjuhë të huaja. Më shumë janë përcaktuar për gjuhë angleze dhe gjermane, ndërsa më pak për frënge dhe ruse’, thonë në Qendrën shtetërore për vlerësim.
Sipas të dhënave zyrtare të Qendrës shtetërore për vlerësim, për lëndën e matematikës janë përcaktuar 2.184 nxënës, për gjuhë angleze 16.498, gjuhë gjermane 212 nxënës, (ose 42 për qind më shumë se vitin e kaluar); gjuhë frënge janë përcaktuar 188 maturantë, ndërsa për gjuhë ruse vetëm 46 maturantë.
Maturantët e shkollave të artit lëndë zgjedhore kanë filozofinë dhe estetikën, vetëm 12 janë paraqitur për filozofi ndërsa 76 të tjerë për lëndën e estetikës.
Rezultatet preliminare të maturës shtetërore priten të dalin pas një muaji.
Afati i dytë i maturës shtetërore është me 13 gusht në gjuhë amtare, dhe 15 gusht në lëndët zgjedhore.
Të shtunën, maturantët iu nënshtruan provimit të maturës në gjuhë amtare. /Portalb
Categories