Dje, më 30 korrik të vitit 2014 në sheshin e qytetit të Kumanovës u organizua koncert me ilahi, që shënoi përfundimin e aktiviteteve të Forumit Rinor Islam në nivel republikan. Koncerti ishte bashkorganizim me shoqatën edukative “Vllaznia”.
Koncerti u hap nga moderatori, i cili përshëndeti të pranishmit dhe numëroi aktivitetet që kanë ndodhur gjatë muajit të bekuar. Pastaj fjala iu dha Nënkryetarit të Forumit Rinor Islam – Dega Kumanovë dhe përgjegjësit për koncertin në fjalë – Valon Elezit, i cili i përshëndeti të pranishmit dhe falënderoi qytetarët për përkrahjen e gjithmonshme me prani në aktivitetet e FRI-së.
Më pas u thirrën një nga një për të kënduar ilahi këndues të ndryshëm nga Kumanova dhe Shkupi, ndër të cilët numërojmë: Abdullah Shaqiri, Avni Nebiu, Nderim Alimi, Bunjamin Çajani, Musli Musliu, Adem Mehmedi e Nafidan Miftari.
Koncerti u përmbyll me thënien zëshëm të salavateve dhe tekbireve dhe me hedhjen e fishekzjarreve.
Poashtu një koncert i tillë me ilahi u mbajt edhe në Prilep nga ana e degës së FRI-së nga ky qytet, një program i pasur me ilahi, poezi të recituar nga nxënësit e disa shkollave fillore në këtë rajon.
Ishin këto aktivitetet përmbyllëse të Forumit Rinor Islam për muajin e Ramazanit, nën moton “Ramazani, muaji i lirisë dhe shpresës”
Zyra për Marrëdhënie me Publikun e Forumit Rinor Islam