Sa herë që ne bëjmë përpjekje të shkruajmë diç për miqtë tanë dhe për gazetën, aq herë vihemi në “siklet”, sidomos kur duhet të “kërkojmë” një kryefjalë që do t’i shkonte me “tamam” a do t’i përshtatej opinionit a vështrimit të radhës. Edhe kësaj radhe “ramë në grackë të asaj dilemës së gomarit të Buridanit!?”. Për këtë shkrim kemi dy tituj, i pari: “Më mirë një armik diktator, sesa një mik anarkist!” dhe titulli i dytë: ”Një fjalim a retorikë e retarduar dhe letargjike!”. U pajtuam dhe u përcaktuam për të parën, për faktin se ky i fundit, ndoshta, shkrimin na e nxjerr shkarravinë.
Dikur moti rilindësit shqiptarë mendjendritur kishin parapëlqyer që të ndërtojnë institucionin e dorëheqjes politike. Këtë e kishin bërë në emër të moralit kolektiv, në emër të emancipimit dhe humanizimit të fjalës së lirë a asaj ndryshe. Një ndër të parët që e respektoi këtë institucion ishte Mit’hat bej Frashri. Ata që e njohin mirë të shkuarën e tij thonë se e kishte braktisur postin e ministrit, duke e zëvendësuar me profesionin e mësuesit parauniversitar. Gjithë këtë e kishte bërë pasi që kishte hetuar anarkinë në qeveri. Asnjëherë nuk u pendua sa u përket bëmave të tij, mbase për këtë ishte i ndërgjegjshëm. Që ne të mos i lakojmë a interpretojmë gabimisht dy nocionet sociologjike në vijim (sepse, tekefundit, nuk është puna jonë), do t’i referohemi fjalorit të gjuhës së sotme shqipe, ku pos të tjerash thuhet: DIKTATURË f. 1. Pushtet i dhunshëm e i pakufizuar shtetëror, që shpreh e mbron interesat e klasës sunduese dhe që ushtrohet me dhunë nga një njeri ose nga një grup njerëzish; pushteti i diktatorit. Diktaturë ushtarake (politike, fashiste, monarkiste). Diktaturë absolute. Diktaturë e egër. Diktatura e skllavopronarëve (e feudalëve, e borgjezisë). Kishte vendosur diktaturë në shtëpi (në zyrë, në ndërmarrje), e tjerë.
Këtij nocioni të interpretuar do t’ia bashkëngjisim në vijim një “mesele”: Mbaj mend një detaj nga një “bisedë informative” të viteve të gjashtëdhjeta të shekullit të kaluar, me një inspektor të UDB-së, i cili ishte i ngarkuar zyrtarisht të inspektojë veprimtarinë armiqësore timen, të shokëve dhe të profesorëve të mi. Ai na mori në pyetje rreth trazirave a demonstratave të vitit 1968. Ne, me atë ndërgjegjen tonë adoleshente (hiq mënjanë mësimdhënësit tanë të mirë dhe të nderuar) dhe të trazuar e “paragjykuam së prapthi”. Në fillim e konceptuam si një njeri të mençur, të moralshëm dhe “demokrat”. Pas shumë vitesh mësuam të vërtetën; ai paraprakisht kishte kryer detyrën e gardianit të një burgu famëkeq. Që atëherë thoshin se e kishin avancuar për faktin se “fyelli i kishte ngecur në një vrimë…, ishte emërmadh e kryefikët”. Ai, me sjelljet dhe veprimet e tij, lëre që diktonte vullnetin dhe qasjen prej diktatori, por edhe nuk përfillte përgjigjet tona. Ndonëse ishte një diktator i kulluar, çuditërisht nuk reflektonte anarkinë.
Christiane Hoffman, opinioniste e njohur gjermane, në një vështrim të saj për diktaturën thotë: “Kur rrëzohen despotët duket sikur ka një arsye për t’u gëzuar. Por ajo që pason diktaturën (hiq mënjanë demokracinë, nënvizim yni) shpesh është më e keqe”. Rrjedhimisht, sipas “mendimit tonë”…, ajo që pason diktaturën duhet të jetë demokracia dhe jo diçka tjetër!??…, por sipas saj, “… nëse njerëzit do të ishin përpara zgjedhjes mes një diktature funksionale dhe një kaosi të shtetit të dështuar, diktatura do të ishte e keqja më e vogël”. Historia e zhvillimit shoqëror thotë se jo gjithherë despotët dhe diktatura zëvendësohet me demokracinë dhe demokratët (shembujt e tillë vijnë nga Siria, Iraku, Libia e shtete të tjera, të cilat këmbë e krye nëpërkëmbën e përjashtuan ligjet). Kësaj ndryshe i thonë anarki funksionale, qoftë ajo të hetohet në familje, në mëhallë, në institucionin e caktuar a edhe në kuadër të një partie politike. Në vijën e korrektesës, po i referohemi fjalorit të shqipes standarde edhe për nocionin e anarkisë.
ANARKI f. 1. Gjendje që krijohet në shoqëri, kur mungon pushteti shtetëror i organizuar dhe kur nuk veprojnë ligjet e rregullat e detyrueshme për anëtarët e shoqërisë; mohim i shtetit dhe i çfarëdo pushteti politik të organizuar. Anarkia feudale. Mbretëron anarkia. 2. Çrregullim që krijohet nga mungesa e drejtimit, e organizimit dhe e planifikimit; çrregullim i madh…, në një fushë. Anarkia në prodhim. Bie në anarki. Sjell (mbjell) anarki.
Një pështjellim i tillë u hetua në Partinë Demokratike që në momentin kur ajo i humbi zgjedhjet e fundit parlamentare. Këtë pështjellim më së miri e diktuan ata që dikur lindjen e kësaj partie e konceptuan si “shpëtim dhe shpresë të kombit”. Kjo anarki funksionale nuk ishte kurrgjë tjetër pos një pjellë e abuzimit të tejzgjatur të posteve nga ana e ca funksionarëve të lartë partiakë, ca prej të cilëve shkuan aq larg, saqë disa struktura të partisë politike i shndërruar në stane për të grumbulluar a sistemuar “barinj” që nuk dallojnë djathin nga gjiza, leshin nga lëkura, pelën prej kalit, dashin prej deles, delen prej qengjit, shqerrën prej kecit, kecin prej maçokut, pronarin a qehajain prej rrogëtarit…, disa nuk dalluan kryesinë e partisë prej kryeparit, kuvendin prej degës dhe nëndegës së partisë, nuk dalluan dhe nuk vlerësuan votën e sovranit, premtimin prej gënjeshtrës e të tjera. Ca prej tyre edhe e nëpërkëmbën moralin e dorëheqjes politike, jo pse nuk e bënin punën e tyre ashtu siç duhej, por pse padrejtësisht kishin zënë vendet e njerëzve të cilët dinë ta bëjnë punën ashtu si duhet.
E gjithë kjo katrahurë, lesheli apo anarki u duk a u reflektua në kuvendin e fundit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, në veçanti në atë fjalimin e Lulzim Bashës. Se ishte një fjalim në veten e parë, të dytën a të tretën, se ishte një fjalim i dalëboje, letargjik, patetik dhe dëshpërues, se ishte një fjalim nostalgjik, se ishte një kopje e keqe dhe e zbehtë e asaj retorikës së doktorit, se ishte një përpjekje a alternativë e radhës për të dalë nga humnera ku kohë më parë ishte zhytur fund e majë…, se (nuk) ishte as peshk e as mish, se ishte një fjalim dënese për pushtetin e humbur, se ishte një fjalim ndjesie dhe i nxituar i dalë nga një mendje e shkapërderdhur gjithandej…, asnjeri nuk e kuptoi, por ama se ishte një retorikë që përloti “bashkëpunëtorët dhe bashkëmendimtarët” e tij, gjithsesi se ishte “me tapi!?”.
Njerëzit e urtë dikur thoshin: Të gabosh pa qëllim është njerëzore, të kërkosh të falur në emrin tënd personal, është më shumë se humane, por ama të gabosh me qëllim dhe të kërkosh ndjesë në emër të të tjerëve ose edhe këtë hiç fare të mos e bësh, o është marrëzi, o është tallje me njerëzit që të shkojnë pas. E kjo e thënë ma kujton vaktin e njëmendjesisë apo diktaturën e proletariatit si dhe njerëzit të cilët vetvetes po edhe të tjerëve pranë tyre u jepnin a u ngjitnin tituj jomeritorë a të përdalë. Ditë më parë doli një kërkimfalje nga goja e kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, z. Lulzim Basha, që m’u duk njësoj si një thes mielli bosh, që sa herë që ta shkundësh, aq herë prej saj dalin krunde. Fjalimi a retorika e tij ishte njësoj si ai mentaliteti komunist i së shkuarës, një vështrim sa qesharak, po aq edhe tragjik, sa i vonuar po aq edhe… Fjalimi i Lulzim Bashës përloti edhe Majlinda Bregun, do lot që nuk dihej se kujt i dedikoheshin…, partisë, Sali Berishës, kohëve të shkuara, pushtetit absolut apo posteve të humbura. Nganjëherë këto përlotje (të paragjykuara) ta rikujtojnë ditën kur u varros Enver Hoxha. Neve na mbetet të parashtrojmë pyetjen: në atë ndjesë sa kishte me të vërtetë moral (nëse vërtet ishte ndjesë politike).
Një njeri që donte t’i ndihmojë mikut, i pat sugjeruar me fjalët – pse nuk shkon te psikiatri të kurohesh, kurse ai ia paska kthyer – nuk kam nevojë se kam zonjën në shtëpi!? Ndërkaq një proverb popullor thotë shkoqur: “Kur nuk më tirret ago baba, nuk më tirret!”. Ose ajo tjetra me kopenë e dhenve të uritura që – kur nuk duan të kullotin – kërkojnë dajakun e çobanit dhe atë thikën e kasapit!?
EDITOR
10 years ago
previous article
Ata që sot qajnë për Kobanin, ku ishin dje kur bombardohej Halepi?
you might also like
JO KRIME, NË EMËR TË NDERIT! – Dr. Bashkim Aliu
2 years ago
Agjërimi shkollë e durimit
3 years ago
Një vazo me shumë lule!
3 years ago