Categories
Lajme Lajme FRI

Me rastin e Vitit të Ri Hixhri – 1443, FRI realizon manifestimin tradicional “Në gjurmët e më të mirëve”, për herë të 21-të me radhë

Forumi Rinor Islam, mbrëmë, në sheshin “Skenderbeu”, realizoi manifestimin, tashmë tradicional, “Në gjurmët e më të mirëve”, manifestim ky që realizohet me rastin e Vitit të Ri Islam – Hixhri 1443. Vlen të theksohet se FRI e realizon këtë manifestim për herë të 21-të me radhë, duke e parë atë si një mundësi për të përçuar mesazhet fisnike të Kuranit dhe për të stimuluar dijen në vendin tonë.

Programin e filloi hafiz Jetmir Zendeli me leximin e disa ajeteve nga Kurani Famëlartë, për të vijuar më pas fjalimi i kryetarit të FRI-së, Mr. Xhabir Emini.

Pjesën artistike të këtij programi e filloi kënduesi i mirënjohur i ilahive, Menduh Allajbeg, i cili solli në skenë ilahinë me titull “Allah o Nur”.

Shpërndarja e dekoratave dhe dhuratave filloi me nxënësit më të dalluar të shkollave të mesme të qyteteve të ndryshme, ku edhe këtë vjet për shkak të rrethanave të pandemisë ky numër ishte shumë solid.

Çmimi “Hafizi i ri i vitit”, të cilin FRI e ndan në këtë manifestim, këtë vit i takoi hafizes Bora Ramadani, nga Tetova.

Pas kësaj vijoi fjalimi i teologut të nderuar nga Shqipëria, Vladimir Kera, i cili nderoi manifestimin duke u bërë pjesë e programit me disa këshilla të vyeshme motivuese.

FRI ndan edhe çmimin “Shkenctari i ri i vitit”, për të cilin çmim komisioni këtë herë e përgjodhi Mr. Zemërart Asani.

Personalitetet dhe subjeket e dalluara të dekoruara nga FRI në manifestimin e Hixhrit ishin:
VIZION TREJD – në kategorinë e donatorëve, si mbështetës i aktiviteteve tona.
AAG – për angazhimin në sferën e avansimit të gruas në shoqëri.
Prof. Milaim Fejziu – për kontributin e dhënë në fushën e dijes.
Doktor Ilir Demiri – për angazhimin e tij në luftimin e virusit Covid- 19.
Abdurrahim Idrizi – për arritjet në fushën e sportit – karate.
Azem Marana – në kategorinë post – mortum, për aktivizmin në sferën e dijes dhe patriotizmit.

Pas kësaj pjese, ilahisti Menduh Allajbeg performoi ilahinë e mirënjohur “Selam të bëjnë trojet tona”.

Pjesa e fundit e programit iu dedikuar ndarjes së shpërblimeve të studentëve më të mirë nga disa universitete në vend, edhe atë: Universiteti i Tetovës, Universiteti i Evropës Juglindore, Universiteti “Nënë Tereza”, Universiteti “Shën Qirili dhe Metodi” dhe Universiteti Ndërkombëtar Ballkanik. Në mesin e studentëve të dalluar, këtë vit vetëm një nga to ishte me mesataren 10,00.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Exit mobile version