Kush lë derën të pambyllur i vijnë mysafirë të pathirrur.
Por, i thashë, a thua t’ua mbyll derën? Vallë, a të mbetem pa shokë?
Sepse njeriu pa shokë është si trupi pa kokë!
E saktë. Por, ka dy lloje miqësish në tokë:
Shumë sish janë shoqërues – pak janë vërtet shokë!
Shoqëruesit të zgjedhin, kurse shokët edhe ti i zgjedh.
Por kjo nuk mundet të qëndrojë statike përherë:
Ndodh që ndonjë shoqërues për ty zemrën ther, e ndonjë shok ty ta ther…
O urtak!
Si i ditke ti këto punë për merak!
Jo, asnjëherë, por sidomos kësaj here mos më thuaj “urtak”!
Nëse di diç më shumë se ti për këtë, atëherë unë jam më shumë se ti ahmak!
Të urtët e botës janë marrë vesh se urtësia është dhimbje e shëruar.
E “urtak” quhet veç ai që djegësirën e plagës nuk e ka harruar!
Unë këtu nuk mund të quhem i urtë, meqë shpesh harroj.
Sa e sa rioshë si ti më vijnë, kur befas ua shoh plumbat në gojë…
Por, ç’të bëjmë, riosh, çdo gjë ka çmimin e vet – dhimbje ka në çdo varg!
Asnjë armik nuk të plagos nga afër dhe asnjë mik nga larg!
Dhe mjaft më! Hajt, ik, se s’jam i thirrur as unë, as askush të flasë më shumë!
Plagosja nga miqtë vjen sa herë që deti të çojë dallgë me shkumë!
Kush i ka fajet, do të thuash?
Deti ka shumë të mira, por nëse qëndron në të pandërprerë të bën të vuash.
Kaherë dallgët i ka të vogla, por kur janë të mëdha të pret goditje,
E ndodh që ti i je shtrirë i lirë e je duke bërë soditje.
Shkuma e dallgës nuk është vetvetiu e keqe, po kripa që është në të.
Zemra nuk më plagoset pse dikush më godet, po sepse duhet ta lë.
A ke lënë ndonjëherë ndonjë shok, o urtaku im?
Po, pak sosh, te të cilët nuk kam parë më përmirësim…
Të kuptohemi: të gjithë jemi njerëz dhe ndonjëherë bëjmë gabime.
Por, mua urtaku im më ka mësuar diç që e kam moto në jetën time:
Nëse për herë të parë dikush më shpon, falë i qoftë! Gabojmë. Jemi njerëz.
Nëse ndodh për së dyti, turp i qoftë! Këtu kemi të bëjmë me grerëz!
Nëse edhe për së treti, turp MUA më qoftë! Faji është te ne për të tretën e herës.
Prandaj, po, kam lënë, qoftë pas së tretës, po disa pas së dytës,
Sepse ndonjëherë është budallaki t’i rrish përpara tytës.
Edhe mua ndoshta ndokush ndonjëherë më ka lënë.
Por, kjo çështje është siç urtaku im më pati thënë:
Kur e do dikënd, veç të mirat ia vëren.
Nis të mos e duash, pa edhe të këqijat që s’i ka ia rrëfen.
Shpeshherë do të të plagoset zemra e do të mbetesh me buzëqeshje të thata.
Jeta si e tillë është e shkurtër, por ditët si i plagosur janë të gjata.
Asnjë ndarjeje mos iu gëzo, po pranoje dhe përcille me pikëllim!
Megjithatë, rriju besnik parimeve të tua se plagosja e dytë nuk është pa qëllim!
Duke e ditur se çdo dashuri merr formën e plotë në çastin e ndarjes,
Kuptoje se a duhet t’i kthehesh asaj dashurie sipas sasisë së qarjes!
Arsim Jonuzi
20 mars 2015