Pamjet rrëqethëse të cilat po postohen kohë pas kohe nëpër rrjetet sociale (në mungesë të një informimi më të gjerë dhe autentik në lidhje me situatën faktike në teren, si pasojë e  territ informativ të imponuar nga regjimi i atjeshëm si dhe injorimit të kësaj problematike nga mediat tradicionale) përveç që alarmojnë për masakra dhe gjenocid sistematik dhe çnjerëzor që po ushtrohet ndaj popullatës muslimane në këtë vend, këto pamje, në të njejtën kohë, nxjerrin në pah anën e shëmtuar të demokracisë së pretenduar si dhe kutet e dyfishta të cilat janë shndërruar në rregull dhe parim në skenën politike ndërkombëtare.
Përreth tentativave të shumë qarqeve për minimizimin e këtij krimi kundër njerëzimit, pamjet e fundit shokuese satelitore nuk lënë vend për të dyshuar mbi faktin se, muslimanët Rohing’ja (Rohingya), edhe në bazë të deklaratave të Kombeve të Bashkuara, janë populli më i persekutuar në botë.
Kjo dhunë është kaptina më e fundit e një historie të gjatë të represionit shtetëror ndaj kësaj pakice muslimane. Ishte viti 1950 i cili shënoi fillimin e kësaj golgote më të re të popullatës Rohing’ja, vit ky, në të cilin, Burma (emri i mëparshëm i Mianmarit) filloi projektin e ‘burmizimit’ të vendit, edhe atë, përmes nacionalizimit të resurseve si dhe spastrimit etnik. Në vitin 1978, ky minoritet iu nënshtrua shumë masakrave. Ndërsa, në vitin 1982, atyre ju muar e drejta e nënshtetësisë, duke u shndërruar kështu në ‘kafshatë’ të lehtë abuzimi, skllavërie dhe torture, gjë kjo e cila nxiti ekzodusin e dytë të tyre drejt Bangladeshit në vitin 1991-1992.
Popullata Rohing’ja janë pakicë etnike muslimane që numërojnë rreth 800 mijë banorë dhe të cilët kanë jetuar në provincën Arakan/Rakhine me shekuj. Mirëpo, ata përballen me një diskriminim sistematik religjioz dhe etnik, nga shkaku se, në bazë të kushtetutës së Mianmarit, ata nuk janë të klasifikur si një nga 135 pakicat etnike që kanë të drejtën e nënshtetësisë së Mianmarit. Burmezët etnikë i konsiderojnë Rohing’jat si ‘emigrantë ilegal’ të ardhur nga Bangladeshi. Ndërsa, në anën tjetër, Bangladeshi nuk i njeh ata si shtetas të saj.
Së këndejmi, si rezultat i mospasjes së nënshtetësisë, popullata Rohing’ja nuk gëzon kurrfarë të drejtash civile në Mianmar. Regjimi i atjeshëm refuzon të ju jep pjestarëve të këtij komuniteti kartela identifikimi, të cilat janë të domosdoshme për të patur mundësi udhëtimi, për të marrë pasaporta si dhe për t’u inkuadruar në arsimin e lartë. Atyre ju mohohet e drejta e pronës, me ç’rast, toka në të cilën jetojnë mund të ju merret në çdo çast, si dhe ju ndalohet të punësuarit në institucionet shtetërore. Poashtu, ndaj tyre imponohen shumë kufizime në procesin e martesës, duke ua kufizuar edhe të drejtën e numrit të fëmijëve, gjegjësisht për çdo çift dy fëmijë.
Për më tepër, ata i nënshtrohen punës së detyruar, provokimeve si dhe masave tjera shtrënguese. Shërbimet publike, siç janë shëndetësia dhe arsimi, janë të lëna pasdore në rajonet ku jeton ky komunitet. Analfabetizmi në mesin e tyre arrin shifrën rreth 80%. Mbi 40 mijë fëmijë Rohing’ja në Mianmarin perendimor janë të privuar nga e drejta e udhëtimit, ndjekja e shkollimit, apose martesa në të ardhmen; kjo, nga shkaku se, sipas autoriteteve të atjeshme, prindërit e tyre kanë lidhur martesë të pa-autorizuar apose e kanë kaluar limitin e 2 fëmijëve të përcaktuar ndaj tyre nga ana e shtetit. Këtyre fëmijëve të përfshirë në ‘listën e zezë’ ju refuzohet regjistrimi në regjistrin e të lindurve dhe nuk konsiderohen pjesë e familjes, andaj, prindërit janë të detyruar që t’i fshehin ata gjatë kontrolleve që i zhvillojnë autoritetet përkatëse.
Në bazë të kësaj që u tha, nënkuptohet se popullata Rohing’ja ju nënshtrohet shumë kufizimeve të të drejtave esenciale, kufizime këto të cilat arrijnë shkallën e krimeve kundër njerëzimit. Në mesin e këtyre krimeve të cilat po i ushtron regjimi i atjeshëm kundër kësaj popullate mund të veçohen: mohimi i së drejtës së nënshtetësisë, burgimi në kampe të personave të zhvendosur, vrasja, mohimi i së drejtës së udhëtimit, mohimi i së drejtës së arsimit për fëmijët si dhe mohimi i ushqimit dhe barërave (shih: http://www.genocidewatch.org/myanmar.html).
Vala më e re e dhunës ndaj kësaj pakice të xhveshur nga të gjitha të drejtat njerëzore filloi në muajin qershor të vitit të kaluar (2012). Prej atëherë, qindra muslimanë janë vrarë e masakruar, shumë gra dhe vajza të mitura janë dhunuar, mijëra shtëpi dhe prona të tyre janë djegur dhe asgjësuar, ndërsa dhjetëra mijëra tjerë janë zhvendosur dhe deportuar.  Madje, edhe ata që arritën t’i shpëtojnë dhunës sistematike të ushtruar nga ana e popullatës  budiste, me përkrahje direkte dhe të parezervë të murgëve budistë si dhe forcave të sigurimit shtetërore, ata u ballafaquan me fatin e vdekjes tragjike, qoftë nga duart e forcave kufitare të vendit të tyre apose vendeve fqinje, qoftë si rezultat i përmbytjes në lumenj, gjatë tentimit për të ikur nga vdekja, apose si rezultat i urisë dhe kushteve çnjerëzore në të cilat jetojnë refugjatët Rohing’ja nëpër kampet e refugjatëve (lexo ‘kampet e përqëndrimit’) në shtetet fqinje.
Në lidhje me këtë valë më të re të gjenocidit sistematik mbi këtë popullatë të pafajshme, Zyra e Komesarit të Lartë për të Drejtat e Njeriut pranë Kombeve të Bashkuara (The United Nations Office of the High Commissioner for Human Rights), në fund të vitit të kaluar,  lëshoi një raport në të cilin tërhoqi vëmendjen mbi diskriminimin që ushtrohet ndaj këtij komuniteti (shih: http://www.ohchr.org/EN/NewsEvents/Pages/DisplayNews.aspx?NewsID=12716&LangID=E), ndërsa Qendra Pulicer për Raport mbi Krizat (Pulitzer Center on Crisis Reporting) vlerësoi se Rohing’jat janë grupi etnik më i persekutuar në botë (shih: http://pulitzercenter.org/reporting/bangladesh-rohingya-citizenship-stateless-myanmar-burma-human-rights-crisis).
Mirëpo, përreth këtyre raporteve mirakëndëse si dhe alarmimit të situatës nga ana e organizatave të ndryshme për të drejtat e njeriut, në mesin e të cilave veçojmë Human Rights Watch dhe Amnesty International, faktorët dhe lojtarët relevant ndërkombëtar ende nuk kanë marrë ndonjë hap konkret për parandalimin e tragjedisë të cilën po e përjeton ky komunitet. Bile-bile, disa burrështetas të cilët e vizituan Mianmarin gjatë muajve të kaluar, të “mahnitur” me procesin e “demokratizimit” nëpër të cilin po kalon ky vend, më tepër ishin të interesuar për hapjen e këtij tregu të ri për kompanitë dhe korporatat e shteteve të tyre, dhe se nuk e panë të arsyeshme që ta dënojnë këtë gjenocid si dhe të kërkojnë nga autoritetet e atjeshme që t’u vënë fund masakrave që po ushtrohen ndaj popullatës Rohing’ja me bekimin e vet regjimit. Kështuqë, përpos disa deklaratave boshe mbi nevojën e respektimit të të drejtave të njeriut dhe të drejtave të pakicave, asgjë tjetër konkrete nuk u bë për të parandaluar këtë tragjedi humane dhe njerëzore. Bile-bile, mund të thuhet lirisht se, zërat botërorë që u dëgjuan para do kohe në lidhje me lirimin nga burgu të një aktivisteje pro-demokratike (Aung San Suu Kyi) në Mianmar ishin shumë më të mëdha dhe më të fuqishme se sa zërat që dëgjohen sot karshi këtij gjenocidi ndaj një popullate të tërë.
E, kur kësaj dyftyrësie ia shton edhe heshtjen makabre të “ikonës demokratike” burmeze Aung San Suu Kyi, e cila njëherit është fituese e Çmimit Nobël për Paqe, si dhe indiferencën e çuditshme të të “urtit” Dalai Lama, autorit të thënies famoze: ‘Qëllimi ynë parësor në këtë jetë është që t’i ndihmojmë të tjerët. E, nëse nuk ke mundësi të ju ndihmosh atyre, atëherë së paku mos i dëmto ata’, atëherë bëhet shumë e qartë se sa selektive dhe të shëmtuara mund të jenë postulatet e llojit ‘demokraci’ dhe ‘të drejta të njeriut’ kur përdoren si paravan për të arritur interesa të caktuara individuale dhe kolektive, në llogari të vuajtjeve dhe dhimbjeve të dikujt tjetër.
E tashmë që kjo dhunë rrezikon të përfshijë edhe komunitetet tjera muslimane brenda Mianmarit, përmasat e kësaj tragjedie, mos dhashtë Zoti, mund të jenë edhe shumë më të mëdha.
Andaj, a thua vallë do të shohim rizgjim të ndërgjegjes njerëzore, apose kjo ndërgjegje do të vazhdojë të mbetet peng i interesave të ulëta materiale si dhe standardeve të dyfishta?! Ditët në vijim do të jenë dëshmitar më i mirë në lidhje me këtë pyetje.