Ministri i Mbrojtjes i Turqisë, Ismet Yilmaz, nisi të enjten një vizitë zyrtare në Tiranë, në kuadër të forcimit të bashkëpunimit ushtarak mes dy vendeve.
Ismet Yëlmaz është pritur me truprojë nderi në Ministrinë e Mbrojtjes. Ministri Yëlmaz shoqërohet në këtë vizitë nga një delegacion me ushtarakë të lartë të Forcave të Armatosura të Turqisë.
Ai është pritur nga ministri i mbrojtjes Arben Imami. Në përfundim të takimit dy ministrit dhanë një konferencë për shtyp.
Ministri Imami vlerësoi mbështetjen e Turqisë në fushën ushtarake si edhe rolin konstruktiv që ky shtet ka luajtur në paqen dhe stabilitetin në rajon. Imami tha se Turqia mbetet partneri ynë strategjik edhe në fushën ushtarake. “Kemi bashkëpunime për aeroportin e Kuçovës dhe për portin e Pashalimanit. Portin e Pashalimanit synojmë ta kthejmë në një port që nuk do të përdoret vetëm nga Shqipëria por nga e gjithë Aleanca e Atlantikut të Veriut”.
Ministri turk i Mbrojtjes, Ismet Yëlmaz, deklaroi se “për paqe në Ballkan duhet që Shqipëria të jetë e fuqishme. Ne duam paqe në Ballkan kështu që duam edhe që Shqipëria të jetë e fuqishme”.
Në vazhdim, ministri turk do të takojë edhe Kryeministrin Berisha si dhe Presidentin Nishani, më pas do të vijojë me një vizitë dy ditore në Kosovë.