Komiteti i Helsinkit (KH) ka kërkuar sot llogari nga Kuvendi, për faktin se janë fshirë stenogramet e seancës plenare të ditës 24 dhjetor, 2012.
KH ka kërkuar nga Kuvendi fillimin e hetimeve të pavarura për zbardhjen e plotë të rastit, si dhe të deklaratave të deputetëve opozitarë se natën e 23 dhjetorit, kishin qenë të xhiruar fshehurazi nga pjesëtarë policorë.
Këto konstatime, KH i ka bërë në raportin e publikuar sot, ku konstaton se ngjarjet e të a.q. “e hëna e zezë”, i kanë dhënë goditje të fortë rendit kushtetues dhe parimeve themelore të shtetit juridik.
“Shqetëson veçmas fakti se deputetët e opozitës u nxorën me forcë jashtë sallës plenare nga persona ende të paidentifikuar, për të cilët nuk dihet nëse kanë qenë pjesëtarë të njësiteve speciale policore, apo të sigurimit të Kuvendit. Ekzistojnë dyshime të bazuara se mënjanimi i deputetëve ka qenë e paramenduar dhe tendencioze”, thuhet në raportin e KH-së.
Sipas KH-së, xhirimet tregojnë se është shkelur parimi i ndarjes së pushteteve, për shkak se pjesëtarët e Policisë kanë bërë dëbimin e deputetëve, me urdhër të ministrit Zoran Stavrevski.