Një punkt i cili do të merrej me mbledhjen e produktit të mjaltit dhe shpërndarjes së tij do t’ishte më se i nevojshëm dhe Kërçova, për sa i përket prodhimit të mjaltit, mund të ngre emrin e saj në sferën e prodhimeve, pasi mjalti i saj vërtetë është e cilësisë së lartë.
Bletaria dhe kultivimi i bletëve, është njëra ndër degët më të vjetra me të cilën janë marrë banorët e Kërçovës dhe të rrethinës së saj.
Kjo degë e bujqësisë daton që nga kohërat më të lashta dhe si traditë ka vazhduar edhe në ditët e sotme. Rrethina e Kërçovës, me pozitën e saj gjeografike, ka parakushte të shkëlqyeshme për zhvillimin e kësaj veprimtarie.
Mjalti i Kërçovës, tashmë ka tejkaluar kufijtë e Kërçovës dhe ajo tashmë është bërë e njohur edhe në mbarë hapësirat shqiptare. Cilësia e lartë dhe pastërtia e mjaltës e ka bërë Kërçovën sinonim të këtij produkti fisnik. Megjithatë, edhe pse mjalti i Kërçovës është bërë e njohur gjithandej, prodhimi dhe kultivimi i bletëve ende ka mbetur si çështje e pasionit apo si çështje e vazhdimit të traditës. Prodhimi i këtij produkti që daton që nga periudha ilire, kur fiset ilire ishin të njohur për mjaltin dhe produktet e tij, tashmë ka mbetur në duart e individëve të pasionuar pas kësaj dege të bujqësisë.
Kultivuesit individualë në Kërçovë janë të njohur për cilësinë e mjaltës që ata prodhojnë dhe njëri ndër këta kultivues pasionant është edhe Hasan Limani nga Zajazi i Kërçovës.
Në kopshtin e tij të bletëve, ai tashmë ka mbi 10 koshere të bletëve, dhe shprehet i kënaqur nga puna që kryen. “Ndonëse bletët i kultivoj si çështje pasioni, nuk mund të ankohem se kjo veprimtari është e paleverdishme. Po u nise njëherë të merresh me bletët, do të duash gjithnjë të jesh pranë tyre. Ata kanë një sistem të sofistikuar të punës. Zgjojet e bletëve, janë model i organizimit dhe pikërisht për këtë që në çastin e parë të kontaktit me ta, të krijojnë përshtypje të cilën nuk mund ta largosh dhe të bëjnë për vete me të parën. Meqë familja ime e ka pasur traditë kultivimin e bletëve unë fillimisht iu qasa kultivimit të tyre veç për hobi, sa për ta kaluar kohën e lirë, po tanimë kam arritur që të krijoj mbi 10 kosha me bletë dhe gjatë vitit të nxjerr në treg mbi 1000 kilogramë mjaltë. Sa i përket kultivimit të bletës, nuk është ndonjë profesion i vështirë, por është kaq shumë fisnik, dhe
si i këtillë kërkon shumë angazhim. Kur jemi te mirëmbajtja e zgjojeve të bletëve duhet të jemi të kujdesshëm për mirëmbajtjen e koshereve, për ruajtjen e pastërtisë së zgjojeve, po ashtu edhe për kohën dhe mjetet të cilat janë të nevojshme për kultivimin e tyre. Këtë hobi tani për tani jam duke e kryer së bashku me bashkëshorten time, e cila më ndihmon shumë, sidomos gjatë kohës kur unë nuk jam në shtëpi, domethënë kur jam në punë. Me punën tonë të pasionuar kemi arritur të shtojmë numrin e familjeve të bletëve dhe tanimë të kemi mbi 130 sëndukë apo kosha, siç i quajmë ne. Sa i përket plasmanit të mjaltit jam tejet i kënaqur dhe mund të them se marrja me bletari, pos që është pasion, mund të jetë edhe profesion që të sjell profit. Tani për tani, nuk jam i detyruar që të dal në treg, pasi shumica e konsumatorëve më njohin dhe vijnë ta blejnë mjaltin prej në shtëpi, pasi mjalti që prodhon në zgjojet e mia është e cilësisë së lartë, pasi mali i Bukoçit është në afërsi dhe bleta ka mjaft kullosë. Megjithatë këtë vit kemi pasur ca probleme të vogla me kohën e cila nuk ka qenë edhe aq e përshtatshme për punën e bletës. Kanë rënë shira të shpeshta dhe kjo ka krijuar probleme dhe me këtë rast edhe ka rënë prodhimtaria, po përsëri mund të them me plot gojë se jam i kënaqur nga kjo punë, pasi pos harxhimeve që po bëjmë arrijmë të kemi edhe fitim. Meqë ky është pasioni im, vite më parë iu rreka edhe hartimit të një broshure për kultivimin e bletëve, të cilën desha t’ua shpërndajë bletarëve, të cilëve edhe ua kam ofruar si material, po deri më tani kjo broshurë më ka mbetur e pa botuar”, rrëfen Hasan Limani, mësues në shkollën fillore të Çelikajve në Zajaz.
Kërçova ka kushte të volitshme për zhvillimin e bletarisë, po idetë për ngritjen e kësaj dege, ende po mbeten në nivelin e pasionit, pasi një formë e organizuar e kultivimit të bletëve dhe prodhimit të mjaltit mungon. Një punkt i cili do të merrej me mbledhjen e produktit të mjaltit dhe shpërndarjes së tij do t’ishte më se i nevojshëm dhe Kërçova, për sa i përket prodhimit të mjaltit, mund të ngre emrin e saj në sferën e prodhimeve, pasi mjalti i saj vërtetë është e cilësisë së lartë. Se a do të sjellë e ardhmja ditë të mira për kultivimin e bletëve, degë për të cilën natyra dhe gjeografia e Kërçovës ofron kushte fantastike, mbetet të shihet. Gjer më atëherë, krijimi i një brendi për produktin e mjaltës së Kërçovës është i pashmangshëm. Tani për tani kjo ka ngelur në duart e individëve, të cilët me këtë veprimtari merren nga pasioni e tradita dhe jo nga profesioni./koha/
EDITOR
10 years ago
previous article
Mbishkrime në restorant: Na vjen keq, ndalohet hyrja e muslimanëve
next article
Futbollisti malazez pranon fenë Islame
you might also like
REAGIM ME RASTIN VANJA
12 months ago
ÇMIMI “HAFËZI I RI I VITIT”
2 years ago
Çmimi “Shkencëtari i ri i vitit”
2 years ago