Një incident me kontekst fetar ka ndodhur në Burrel. Një infermiere e besimit islam nuk është pranuar nga mjekja e spitalit të këtij qyteti për të ushtruar detyrën, për shkak se është e mbuluar me shami. Konflikti ka nisur që të hënën, ndërsa dje ka degjeneruar deri në dhunë fizike ndaj drejtorit të spitalit, Behar Sina, i cili i ka dalë në mbrojtje infermieres së sapoemëruar, Irma Haka. Mësohet se më 3 qershor, kreu i spitalit ka vendosur që 32-vjeçarja Haka të punojë si infermiere pranë mjekes endokrinologe Fatmira Gjoka. Ndërkohë, kjo e fundit nuk e ka pranuar në zyrë besimtaren myslimane, duke i kujtuar asaj se institucioni është laik dhe se nuk pranohen femrat e mbuluara me shami.
E indinjuar, Irma Haka ka vënë në dijeni drejtorin e spitalit për situatën e krijuar. Përplasja mjeke-infermiere ka marrë përmasa të tjera, pasi Fatmira Gjoka ka refuzuar haptas Sinën. Dje mjekja në fjalë ka sharë me fjalë fyese drejtorin e spitalit, ndërsa kushëriri i saj, Sabri Hysneli e ka goditur atë me grushte. Menjëherë pas incidentit të rëndë, Behar Sina ka bërë denoncim në Komisariatin e Burrelit. Blutë kanë shoqëruar mjeken Fatmira Gjoka dhe kushëririn e saj Hysneli, dhe i kanë marrë në pyetje rreth ngjarjes. Ndonëse i dhunuar keqas, drejtori i Spitalit të Burrelit i ka falur mjeken dhe të afërmin e saj. Incidenti mes palëve është mbyllur, ndërsa është vendosur që Irma Haka të vijojë punën si infermiere.
Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Haka deklaroi se ndihet shumë e fyer nga akti i mjekes. Ajo kërkoi që t’i jepet fund diskriminimit për shkak të bindjeve fetare.
Znj.Irma, mund të na thoni si ndodhi përplasja të hënën mes jush dhe mjekes Fatmira Gjoka?
Të hënën, drejtori i Spitalit të Burrelit, Behar Sina, më emëroi me vendim që të punoja si infermiere pranë mjekes Fatmira Gjoka. Unë shkova në vendin e punës ku më ishte caktuar. Trokita në derë, por mjekja më ndaloi të futesha në zyrë.
Përse nuk ju pranoi në zyrë mjekja Gjoka?
Unë i kërkova mjekes se cila ishte arsyeja, por ajo m’u përgjigj:
Ti je e mbuluar me shami. Ky është institucion laik e jo fetar, dhe shteti është laik, ndaj shko e puno në ato institucione ku të lejohet të mbash shami.
Si reaguat ju?
U ndjeva shumë e fyer nga reagimi i mjekes. Unë i thashë asaj që i di shumë mirë ligjet, dhe kam të drejtën e arsimimit dhe të punësimit në institucionet publike e private pa u imponuar nga besimi fetar dhe se mbulesa ime nuk bëhet pengesë për asgjë.
Prej sa kohësh mbani shami dhe a keni pasur probleme për shkak të besimit tuaj gjatë kohës që keni qenë studente në degën e Infermierisë në Tiranë?
Unë jam besimtare myslimane. Që prej më shumë se 10 vitesh mbaj shami. Jam 32 vjeçe, e martuar dhe me një fëmijë. Edhe bashkëshorti im është besimtar i fesë islame. Asnjëherë tjetër nuk kam pasur probleme të tilla. Unë jam diplomuar në vitin 2010, dhe gjatë kohës që isha në fakultet askush nuk më ka thënë gjë në lidhje me besimin tim apo faktin që isha e mbuluar.
Kur keni bërë kërkesë për punësim, si ju kanë pritur?
Kam kërkuar që të punësohem që kur mbarova studimet, pra që para 3 vitesh, ndërsa kam vijuar pa shkëputje dhe masterin. Kudo që kam trokitur më kanë mirëpritur, nuk ka qenë problem me mbulesën time. Përplasja e vetme ishte me mjeken Fatmira Gjoka.
Cili është apeli juaj?
E përsëris, ndihem shumë e fyer nga akti i mjekes. Kërkoj drejtësi dhe stop diskriminimit.
MJEKJA FATMIRA GJOKA
E kontaktuar në linjë telefonike rreth incidentit të ndodhur në Spitalin e Burrelit, mjekja Fatmira Gjoka mohoi gjithçka.
Alo znj. Gjoka. Mund të na thoni versionin tuaj rreth incidentit të ndodhur në institucionin ku ju punoni?
Nuk ka ndodhur asgjë. Absolutisht asgjë.
Ne sapo kontaktuam me drejtorin e spitalit, i cili pohoi se ju keni refuzuar të punoni me infermieren e sapoemëruar e që mbante shami në kokë?
Nuk ka ndodhur asgjë.
Po ju jeni shoqëruar në polici, si nuk ka ndodhur asgjë?
Jua kanë dhënë emrin gabim.
Mjekja mbyll telefonin.
(GazetaShqiptare)
Categories