“Morali” i këtij viti që është në ikje e sipër u karakterizua me lloj-lloj paragjykimesh, inatesh homerike, “çallëmesh”, etiketimesh dhe mbase edhe me denigrime banale, saqë në fund i doli edhe ajo pak ngjyrë që i kishte mbetur. Shumë intelektualëve, analistëve dhe njohësve të shkëlqyeshëm të rrethanave kulturore gjithandej trevave shqiptare, sot e kësaj dite “do t’u mungojë takati mental” karshi konceptimit të moralit të vitit 2013. Disa njerëz, me plotë gojë do të thonë se ishte “mish”, disa të tjerë do të thonë se ishte “peshk”…, ndërkaq ata që e “hëngrën” këtë “mish a peshk” thanë se kishte shije të thartë, të hidhur dhe mbase edhe (shumë) të kripur!? Vegjetarianët këtë vaki e heshtën, pasi që kjo nuk u hynte në punë.
U paragjykua edhe një manifestim kulturor që u organizua muajin e kaluar, më saktë me datë 21 nëntor të motit 2013, në hapësirat e Qendrës Kulturore në Tetovë nga Shoqata e pedagogëve shqiptarë, kushtuar 105 vjetorit të Kongresit të Manastirit, gjegjë-sisht alfabetit shqip. Në atë manifestim u dhanë, pos të tjerash, mirënjohje arsimtarëve të cilët një kohë të gjatë vuajtën dënimet politike në Petrova Rupa të Goli Otokut famëkeq. Dashamirësit e arsimit shqip pa hezitim e përshëndetën po edhe vlerësuan, ca të tjerë dolën të kënaqur, pos një pseudopatrioti, i cili “që nga vakti i gjyshërve të tij, i ka punët në terezi”. Ai me fjalën e tij të thënë “bythëpraps”, lëre që nuk tha asnjë “llaf përgëzimi”, por edhe këmbë e krye e paragjykoi këtë eveniment, sa kulturor po aq edhe human. Dhe ky “trap a dylber Stambolli”, që mbase është tipik për trevat tona, parashtroi “breshëri pyetjesh” se ç’na ishte ky Kongres i Manastirit, ç’kishin kërkuar shqiptarët mendjendritur në kasabanë e konsujve në motin 1908, me ç’detyrë ishin ngarkuar, ç’punë kishin bërë atje, në ç’gjuhë kishin kuvenduar dhe ç’emër i kishin dhënë “qitapit” që kishte lindur në Manastir!?
Para se ta përmbyll këtë paragraf kushtuar manifestimit në fjalë dhe manifestimeve të tjera kulturore, do të më duhet të parashtroj pyetjen se mos vallë ky mot a vit (kokëlartë a kokulur) në ikje e sipër u karakterizua me “moral të dyfishtë”, a mos vallë u karakterizua me atë heshtje varri tonën kolektive ndaj mungesës së vlerave arsimore, kulturore po edhe politike, a mos vallë kjo heshtjerëndë jona kolektive për kryefjalë, kryeshtyllë a kallëzues duhet ta ketë njeriun që abuzon apo që shkel mbi çdo vlerë, nga njëra anë, dhe, nga ana tjetër, nuk i hyn asnjë gjemb në këmbë…, a mos vallë qëndrimi ynë ndaj kësaj katrahure edhe në të ardhmen duhet të jetë i “afërt, miqësor, i butë…, herë-herë folklorik a edhe megaloman” apo duhet të jetë i ftohtë, i ashpër dhe goditës. Këtij paragrafi do t’ia shtoj një mendim të Shekspirit, i cili dikur moti kishte thënë: “Mendja e një kombi është arsimi, ndërkaq zemra e një kombi është morali”.
Edhe në këtë mot në ikje sipër, u paragjykuan zgjedhjet vendore në Republikën e Kosovës dhe të asaj të Maqedonisë…, nuk mbetën pas pa u denigruar edhe zgjedhjet parlamentare në Republikën e Shqipërisë. Pavarësisht nga “rezultatet” e dala të (pa) pritshme nga këto “gara”, mbetet të themi e të konstatojmë se këto zgjedhje duhet të jenë përfundimisht një leksion a edhe një test përballë Bashkimit Evropian. Këto zgjedhje ngërthenin në vete votën deliberative të sovranit (zgjedhësit), e cila votë më shumë ishte ndëshkuese sesa për ndryshime. Kjo votë e trekëndëshit politik shqiptar kësaj radhe ashtu pamëshirshëm ndëshkoi arrogancën, gjegjësisht qëndrimin përbuzës e mospërfillës të “pushtetarëve” kundrejt votuesve…, ajo votë tronditi themelet e korrupsionit (sot sikur t’i parashtrosh pyetje atij politikani nga Tirana, që vuan opozitarin e çmendur e të rebeluar, se ç’nënkupton me nocionin korrupsion ta jep “hazërxhevapin” me sa vijon: t’i vjedhësh lekët e popullit apo të vësh dorë në thesarin e shtetit, ajo votë deliberative ndëshkoi makiavelizmin e politikanëve provincialë si dhe keqqeverisjen vendore dhe atë qendrore në Shqipëri dhe në Kosovë…, ajo votë e sovranit ndëshkoi edhe premtimet fëmijërore, të zbehta dhe të zbrazëta që dilnin nga gojët e gjithfarë sejmenësh, ndërmjetësuesish dhe “tyxharësh aksham pazari” të Tiranës, Shkupit dhe Prishtinës. Pavarësisht nga kjo që thamë më lart, këto zgjedhje nga pala humbëse sot e kësaj dite mbeten të kontestuara, “të kurdisura, të vjedhura, të blera” e tjerë. Të mëtosh që këtij paragrafi t’i shtosh diç më tepër, do të thotë ta prishësh krejt atë që ke shkruar.
Edhe në “këtë vit politik, po edhe diplomatik”, Republika e Shqipërisë dhe ajo e Maqedonisë nuk “kaluan klasën”, sepse nuk i mësuan a nuk i shkruan “detyrat e shtëpisë” që ua kishte caktuar paraprakisht komisioni evropian. Ky komision, nga dy shtetet e lartpërmendura nuk kërkoi retorika politike boshe, përkundrazi u kërkoi që të bëjnë reforma rrënjësore si në aspekt politik, njashtu edhe në aspekt ekonomik…, mandej nga ata kërkoi zgjedhje parlamentare të lira dhe të ndershme, kërkoi që të çrrënjosin zakonet e vjetra, të flakin korrupsionin, kërkoi krijimin e një klime dhe filozofibërje politike krejt tjetërfare. Dhe kur ky komision konstatoi se këto detyra shtëpiake ishin tipike ballkanase, ministrive për punë të jashtme të shteteve të lartpërmendura ua “ngriu” marrjen e statusit kandidat. “Skepticizmi im ndaj kësaj meseleje politike” më detyron të parashtroj pyetjen se a mos vallë e gjithë kjo JO ishte një “hile” e radhës e komisionit evropian, apo “kjo vaki” përputhet me 100-vjetorin e “krijimit të Shqipërisë londineze”. Ku ta dijë njeri!? Po të më pyesni mua, unë nuk do të përgjigjem. Që unë ta kuptoj këtë “refuzim”, më duhet ta lexoj mes rreshtash alfabetin e diplomacisë së Brukselit… Nuk jam i marrë ta bëj këtë…
Republika e Shqipërisë, po edhe e Maqedonisë, edhe kësaj radhe nuk arritën deri në fund t’i mësojnë leksionet sa u përket kritereve dhe standardeve që të mundësojnë anëtarësimit në familjen evropiane…, për këtë dhe arsye të tjera “babagjyshi, gjegjësisht komisari evropian për zgjerim, Shtefan Fyle nga Brukseli”, edhe për këtë fundvit nuk do t’i sjellë peshqeshe Republikës së Maqedonisë, po as Republikës së Shqipërisë… Në vend të “karameleve dhe sheqerkave” do t’u dërgojë vërejtje publike, po edhe diplomatike se si duhet bërë detyrat shtëpiake…, dorën në zemër, këto pyetje dhe detyra gjithsesi se janë shumë të vështira për këto treva të Gadishullit Ilirik, sidomos për shtetet që nuk përfundojnë më atë ndërkalim (politik, ekonomik e tjerë) të tejzgjatur, të bezdisshëm dhe zhvatës, atë ndërkalim (tranzicion) ku njerëzve që s’u bëjnë punët nuk penalizohen, po as nuk i avancojnë e as nuk i lavdërojnë njerëzit që punët i bëjnë me përkushtim dhe me ndërgjegje!?
P. S.
I nderuari Zoti Shtefan Fyle, “Gëzuar Viti i Ri 2014!”
Categories