Nëse e vërejmë se na kanë kapluar sëmundjet e kësaj jete siç janë: Mendjemadhësia, zilia, përgojimi, amoraliteti, dashuria e kësaj bote dhe të harruarit e botës tjetër dhe gjithçka që e shkatërron jetën tonë, duhet ditur se pas këtyre fshihet një gjë e cila quhet pasimi i epsheve (pasimi i epsheve-nefsit në diçka që është e keqe).
Nënshtrimi ndaj All-llahut xh.sh., dhe veçimi i Tij për adhurim është shtylla kryesore e fesë. Andaj, kush i bindet Allahut xh.sh., dhe e ndalon veten aty ku Ai e ka urdhëruar që të ndalet, veçse ka shpëtuar. Thotë All-llahu xh.sh., në Librin e Tij: “E kush iu frikësua paraqitjes para Zotit të vet dhe ndaloi veten prej epsheve, xhenneti është vendi i tij.”(En-Naziat:40-41)
Ndërsa kush i pason kënaqësitë e epshit të tij, dënimi i tij do të jetë shkatërrimi i tij në këtë botë, por edhe në botën tjetër. Thotë All-llahu xh.sh., në Kur’an: “E për sa i përket atij që ka tepruar. Dhe i dha përparësi jetës së kësaj bote, xhehennemi do të jetë vendi i tij.” (En-Naziat: 37-39)
Pra, njeriu do të jetë ose pasues(nënshtrues) i All-llahut xh.sh., dhe të Dërguarit të Tij, ose do të jetë pasues i epshit(nefsit) të tij. Nuk ka mundësi që të jetë në mes të dyjave. Thotë All-llahu xh.sh., në Librin e Tij: “E sikur të përputhej e vërteta me dëshirat e tyre, do të shkatërroheshin qiejt e toka dhe çdo gjë që gjendet në to…”(El-Mu’minun:71)
A e vërejtëm se burimi i së drejtës është pasimi i së vërtetës dhe se burimi i humnerës është pasmi i epsheve?
Pejgamberi a.s., ka thënë: “All-llahu nuk shikon në fytyrat e juaja e as në trupat e juaj, por shikon në zemrat dhe veprat e juaja.”(Transmeton Muslimi)
Patjetër duhet që ta pastrojmë të brendshmen tonë, të pastrojmë nefsin tonë… sepse tek All-llahu nuk ka rëndësi se çfarë trupi apo fytyre kem. E rëndësi është që në brendësinë tonë të jemi të mbushur me devotshmëri(Iman). Devotshmëria është ajo që i dallon njerëzit tek All-llahu ajo e bënë njeriun të jetë më afër Tij, të jetë më i nderuar tek Ai prej njerëzve tjerë…
Ndërsa neve na kalojnë me orë të tëra duke u rregulluar për krijesat, e nuk e pastrojmë vetëm për një orë atë të cilën e shikon All-llahu, e ajo është zemra. Në mënyrë që kur ta shikon All-llahu të gjen: Sinqeritet, dashuri, frikërespekt, përmallim ndaj Tij… e jo të e gjen sikur zemrën e mëkatarit përplot me mendjemadhësi, shirk…
Shumica e njerëzve i kushtojnë vëmendje më shumë zbukurimit të trupave të tyre, shtëpive të tyre, vendin e punës së tyre, veturës së tyre e nuk i kushtojnë vëmendje pastrimit të zemrës pjesë kjo ku All-llahu shikon në të.
Duhet ditur se nëse epshi hynë në një vepër e shkatërron atë. Nëse hynë në zuhd e shkatërron atë dhe e kthen në syfaqësi, nëse hynë në urtësi e kthen atë në errësirë, nëse hynë në ibadet(adhurim) e kthen atë në adet dhe jo adhurim.
Prandaj, ka mbetur prej jetës sonë edhe disa momente aq sa na ka caktuar All-llahu dhe çdo gjë mund të përmirësohet. Andaj, për neve është që të pendohemi me një pendim të sinqertë, të kërkojmë falje tek All-llahu për mëkatet që kem bërë, të hapim një faqe të re me All-llahu xh.sh., sepse Ai është që falë. Ai është që na pranon pendimin… Thotë All-llahu në Kur’anin famëlartë: “Thuaj: “O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar me shumë gabime veten tuaj, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së All-llahut, pse vërtetë All-llahu i falë të gjitha mëkatet, Ai është që shumë falë dhe është mëshirues!”(Ez-Zumer:53)
Pra, të llogaritim veten para se të na llogarisin, t’i peshojmë veprat para se të na peshohen sepse meleku i vdekjes sot të ka kaluar ty për ta marrur dikë tjetër ndërsa nesër e kalon dikë për të marrur ty.
Ne ose do të jem pasues të së vërtetës ose pasues të epsheve. Nëse e pasojmë të vërtetën ajo është rruga që na drejton drejt xhenetit, e nëse i pasojmë epshet duhet ditur se ato e drejtojnë pronarin e saj drejt xhehenemit.