Edhe në Tetovë me interesim të madh janë ndjekur zgjedhjet lokale në Turqi dhe sdo mend se simpatitë kanë qenë ndaj partisë të kryeministrit turk Rexhep Taip Erdogan, këtë e dëshmon edhe panoja e vendosur përballë sheshit të Tetovës me fotografinë e Erdoganit në të cilin shihet shkrimi “Sagllam Irade” që do të thotë “Vullneti I hekurt”.
Në mektebin e Xhamisë së Pashës në Tetovë mualimi 82 vjeçar me famë botërore Mulla Mahmud Ef. Asllani ua mëson fëmijëve leximin e Kuranit. Pikërisht këtë mekteb siç na thanë e kanë ndërtuar shokët e Taip Erdoganit, dhe gjatë vizitës së tij ne vitin 2011 ishte Erdogani ai që bëri hapjen solemne të këtij mektebi. Mulla Mahmudi evokon kujtime nga ai takim dhe takimin që ka realizuar me Erdoganin në kryeqytetin turk Ankara.
“Erdogani dhe shokët e tij e kanë ndërtuar këtë mekteb dhe ai personalisht erdhi më vizitoi në këtë mekteb, i vizitoi edhe hapësirat e tij dhe u interesua si zhvillohet mësimi fetar. E kam takuar edhe në Turqi, kur parlamenti turk në Ankara përmendi emrin tim dhe Erdogani u kishte thënë bashkëpunëtorëve që ta ndalni hoxhën se kam për të biseduar me të. Pastaj më takoi, biseduam për shumë gjëra…”, – thekson hoxhë Mahmudi.
Hoxha e konsideron fitoren e Erdoganit si fitore të të gjithë myslimanëve kudo që jan në botë.
“Jo vetëm tek ne. Por, për fitoren e tij duhet që të gëzohen të gjithë myslimanët kudo që janë në botë sepse ai ka bërë shumë për myslimanët. Në qoftë se je i drejtë dhe punon me drejtësi Zoti kurrë nuk ta kthen shpinën, mendoj, se i këtillë është Erdogani me shokët e tij” – thekson hoxhë Mahmudi.
Ndryshe, Mulla Mahmud Ef.Asllani në qarqet më të larta fetare njihet si mësuesi më i njohur i Kuranit në botë. Atij mirënjohje për veprimtarinë e tij fetare në këtë drejtim i ka ndarë edhe Mbreti i Arabisë Saudite, si “mualim i shquar botëror”.
Po ashtu, hoxha ka falënderuar Erdoganin me shokët e tij që mundësuan ndërtimin e mektebit të Xhamisë së Pashës, ku ka shumë të interesuar për të mësuar leximin e Kuranit.
/ Rean Saiti/