PYETJA 1: Si do të falet i burgosuri apo i zënuri peng në kohën e hetimeve, kur ai i ka duart dhe këmbët e lidhura, është i ngjitur për muri, kokën e ka të mbështjellur me najlon, nuk është i pastër nga të dy papastërtitë, bile ndoshta edhe është privuar nga kryerja e nevojës në mënyrë normale disa ditë me radhë?
PËRGJIGJA
I tërë falënderimi i takon sinqerisht vetëm Allahut. E lusim Allahun e Madhërishëm që t’i lirojë të burgosurit dhe të zënurit peng, t’i mëshirojë dhe t’u ndihmojë.
Namazi është obligim për çdo musliman në çdo gjendje, kur është i shëndoshë dhe i sëmurë, në raste normale dhe në sprova, kur është në shtëpi dhe në udhëtim, në paqë dhe në luftë. Nëse personi është në vetëdije, nuk ka arsyetim për lënien e namazit në asnjë gjendje. Allahu i Madhërishëm ka thënë:<<Vazhdoni rregullisht namazet (faljet), e edhe atë namazin e mesëm , dhe ndaj Allahut të jeni respektues (në namaze)(238) E nëse këni frikë (nga armiku), atëherë faluni duke ecur ose kalors , por kur të jeni të siguruar, përkujtoni (me namaz) Allahun ashtu si u mësoi Ai për atë që ju nuk dinit (239)>>.
Ajeti në fjalë sinjalizon se muslimani falet në rast frike, d.m.th. kur të shpërthen lufta dhe të ketë konfrontim frontal, duke qenë në këmbë apo i hypur në ndonjë mjet transporti, si të mundet, gjegjësisht falet duke qenë në picgauer, tank e aeroplan luftarak, në bazë të mundësive. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. i ka thënë Imran ibn Husajnit:”Fale namazin në këmbë, e nëse nuk mundesh, atëherë falu ulur, e nëse nuk mundesh edhe kështu, atëherë falu i mbështetur”.
Allahu i Madhërishëm ka thënë:<<Andaj, sa të keni mundësi ruanu prej dënimit të Allahut…>>. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë:”Kur t’ju urdhërojë për ndonjë çështje, bënie atë sa të mundeni”.
Është e njohur në të drejtën islame se kushtet të cilat lypen të plotësohen për të qenë namazi valid, siç është:pastërtia prej flliqësive dhe papastërtisë fetare, drejtimi kah kibleja, mbulimi i avretit dhe kushtet tjera të validitetit (shurutu sihha), pezullohen në rast të pamundësisë së plotësimit të tyre. Këtë tretman e kanë edhe konditat-el-erkan, siç janë:qëndrimi në këmbë, rukuja, sexhdeja dhe ruknet tjera. Kështu, kush nuk mund të pastrohet me ujë, dhe ka mundësi të pastrohet me tejemum, ai do të falet me tejemum dhe kjo i mjafton dhe e zen vendin edhe të abdesit edhe të guslit. E nëse nuk mundet as të marrë tejemum, siç është rasti i shtruar edhe në pyetje, dhe këtë juristët islamë e quajnë “fakidu ettahurejn”(privimi nga të dy llojet e pastërtive), gjegjësisht nuk ka as ujë e as tokë për tejemum, atëherë personi në fjalë do të falet edhe pa abdes edhe pa tejemum. Dijetari i shquar Ibn Rexheb, në veprën e tij Xhamiu-l-ulumi vel hikemi duke e komentuar hadithin:” Kur t’ju urdhërojë për ndonjë çështje, bënie atë sa të mundeni”, ka thënë:”Ky hadith është argument se kush nuk ka mundësi ta bëjë në tërësi atë me të cilën urdhërohet, por ka mundësu të bëjë një pjesë të saj, ai duhet ta bëjë atë që ka mundësi. Kjo është konstante në çështjet juridike…”.
Kush nuk ka mundësi të kthehet kah kibleja, siç është rasti me këtë të burgosur të ngjitur për muri, do të falet në atë gjendje si është.
Kush nuk ka mundësi të falet duke bërë ruku dhe sexhde, duke qenë në këmbë apo ulur, do të falet me isharete, duke bërë me isharet me kokë apo me vetulla, si të mundet. Kaq është farz për personin në fjalë, ngase Allahu nuk e ngarkon atë me farze tjera derisa është në këtë gjendje. Allahu i Madhërishëm ka thënë:<<…Ai ju zgjodhi ju, dhe nuk ju obligoi në fe me ndonjë vështirësi…>>.
Muslimani i cili është në këtë sprovë, duhet të mbështetet në Allahun dhe të ndihmohet me namaz, siç ndihmohet me durim. Këto dy gjëra janë arsenali i tij në luftën kundër armiqve të Allahut. I Lartmadhërishmi ka thënë:<<O ju që keni besuar, kërkoni ndihmë me durim e me të falur, se vërtetë Allahu është me durimtarët (153)>>.
Nuk ka arsye për lënien e namazit, pos kur njeriu është i alivanosur, gjegjësisht kur nuk është në vetëdije. Atëherë, prej tij bie obligimi dhe nuk i shkruhet kjo për mëkat. Allahu e di më së miri.
Prej arabishtes:Bashkim Aliu
(Pjesë e shkëputur prej librit Fetava muasire-Fetva Bashkëkohore, pjesa e III)