Categories
Opinione

Nata e Kadrit, ‘ftesë’ hyjnore për ndryshimin e ‘kursit’ të jetës!

Jeta e kësaj bote i ngjan udhëtimit…! Ky udhëtim jetësor, për dikë është më i gjatë, e për dikë më i shkurtë…!
Pavarësisht kohëzgjatjes së këtij udhëtimi, si dhe pavarësisht linjës / rrugës së zgjedhur për një udhëtim të këtillë, destinacioni është i njejtë dhe i pashmangshëm ; ai destinacion është vdekja dhe Bota Tjetër, ku do të jepet llogari për veprat e bëra…!
E këtillë është jeta e njeriut në këtë botë të përkohshme të sprovave…!
Madje, të shumta janë ndodhitë, sprovat, ‘shenjat’ dhe ‘stacionet’ të cilat i has njeriu përgjatë këtij udhëtimi jetësor… Sa më vigjilent dhe sa më i kujdesshëm ndaj gjitha këtyre ndodhive, sprovave, ‘shenjave’, dhe ‘stacioneve’, aq më i sigurt udhëtimi, si dhe, aq më i lehtë ‘provimi’ në Botën Tjetër…! Përndryshe, çdo pakujdesi, do të na shkaktonte pasoja fatale dhe dështim …!
Kohëzgjatja e këtij udhëtimi – sikurse ‘koha’ në tërësi – është tejet relative… Kjo, ngase, janë ngjarjet, veprat, dhe përjetimet ato të cilat i japin ‘shije’ dhe kuptim kohës…!
Kështu, disa intervale kohore mund të jenë të gjata, por megjithatë, për nga përmbajtja, mund të jenë boshe dhe monotone…! Dhe, në të kundërtën, disa intervale jetësore janë të shkurtëra, por në vehte ngërthejnë shumë kuptime dhe domethënie…!
Së këndejmi, disa çaste janë më të vlefshme se disa orë, disa ditë, disa javë, apo disa muaj… Ndërsa, disa netë dhe disa muaj, janë më të vlefshëm se një vit, disa vite, apo një jetë e tërë…!
Andaj, muaji Ramazan, ndonëse është ‘ditë të numëruara’, ai, në saje të përmbajtjes, rekapitulimit, rikujtimit, ripërtëritjes, dhe rigjenerimit që ngërthen në vehte dhe që na mundëson, paraqet një cikël të plotë vjetor; me ç’rast, e trajnon, e përgatit dhe e furnizon njeriun me energji të mjaftueshme për 11 muajt tjerë të vitit, dhe jo vetëm…
Ndërsa, ajka e këtij Muaji të Bekuar është Nata e Kadrit…
Eh, sikur ta kuptonim mirëfilli se ç’është Nata e Kadrit…!
Nata e Kadrit është shembulli më sublim i ‘substancës dhe përmbajtjes’, karshi ‘relativitetit të kohës’…!
Allahu i Madhnueshëm, këtë Natë e ka bërë më të vlefshme se ‘një mijë muaj’… Thotë Allahu Fuqiplotë: “Ne e zbritëm atë (Kur’anin) në Natën e Kadrit. E ç’të bëri ty të dish se ç’është Nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e rëndësishme se një mijë muaj! Me lejen e Zotit të tyre në (atë natë) të zbresin engjëjt dhe shpirti (Xhibrili) për secilën çështje. Ajo (që përcakton Zoti) është paqe deri në agim të mëngjesit”. (Kur’an: Sureja El-Kadr, Ajetet 1-5)
Duke u bazuar në ajetet e lartëpërmendura, kuptojmë se, Allahu i Madhnueshëm, këtë Natë e ka dalluar në saje të aspekteve që vijojnë:
I “Ne e zbritëm atë (Kur’anin) në Natën e Kadrit”
Përmes këtij ajeti (verseti), Allahu i Lartësuar, përpos që na njofton në lidhje me faktin se, në këtë Natë zbriti Kur’ani Famëlartë, si udhërrëfyes për njerëzit, sqarues i rrugës së drejtë, dhe dallues i të vërtetës nga gënjeshtra… Ai (Allahu), përmes përmendjes së tërësisë së Kur’anit, na përkujton në lidhje me rolin dhe rëndësinë që ka Shpallja Hyjnore në jetën e njeriut, si dhe, na rikujton në lidhje me ‘qasjen integrale’ që duhet ta kemi ndaj këtij Libri, duke e shndërruar atë në platformë kryesore në të gjitha aspektet e jetës sonë… Mu ashtu siç veproi dhe siç na mësoi i Dërguari i Allahut, Muhammedi (paqa dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të), i cili ishte ‘Kur’an që ecte mbi tokë’, dhe, ‘Morali i të cilit ishte Kur’ani’…
Së këndejmi, prej neve kërkohet që, në këtë Natë, të zotohemi dhe të japim besën se referenca jonë – në të gjitha sferat e aktivitetit – do të jetë pikërisht ky Libër i Shenjtë…!
II “E ç’të bëri ty të dish se ç’është Nata e Kadrit?”
Zbritja e një sureje (kaptine) të tërë në lidhje me këtë Natë, nuk është gjë e rastësishme… Madhështinë dhe sekretet të cilat e dallojnë këtë natë kundrejt gjitha netëve tjera, Allahu Fuqiplotë i shpjegon në tri ajetet e mëposhtme, siç do të shohim në vazhdim…
III “Nata e Kadrit është më e rëndësishme se një mijë muaj!”
A thua vallë, si është e mundur që një natë të jetë më e rëndësishme se një mijë muaj, kur dihet se, një mijë muaj janë përafërsisht 83 vite, respektivisht një jetë e tërë…?!
Këtë aspekt mund ta kuptojmë, vetëm nëse kemi parasyshë faktin se, janë vendimet e mëdha dhe të rëndësishme – përkitazi me qëndrimet, planet dhe kursin e jetës – ato të cilat e definojnë jetën si të tillë…
Kështu, në saje të këtyre vendimeve, disa jetë nuk vlejnë as sa disa çaste (siç është jeta që jetohet pa dritën e udhëzimin hyjnor)… Ndërsa, disa çaste vlejnë sa një jetë e tërë (siç është Nata e Kadrit, si dhe jeta e cila jetohet nën hijen e udhëzimeve hyjnore)…!
Andaj, neve na mbetet të zgjedhim se çfarë jete dëshirojmë të jetojmë…
Nëse zgjedhim që të jetojmë jetë stihike, pa parime, pa kritere, me kënaqësi të përkohshme, etj.; jeta e tillë, përpos që nuk do të jetë e qëndrueshme, fundi i së njejtës do të jetë zhgënjyes…!
Ndërsa, nëse zgjedhim që të jetojmë jetë të njerëzishme, të dinjitetshme, me parime, me kritere, me vlera, etj.; jeta e këtillë do të na garantonte një ‘përfundim të mirë’, gjegjësisht, kënaqësi dhe mirëqenie në këtë jetë, si dhe shpëtim në Botën Tjetër…!
IV “Me lejen e Zotit të tyre në (atë natë) të zbresin engjëjt dhe shpirti (Xhibrili) për secilën çështje”
Bazuar në Dijen Absolute si dhe Vendimin dhe Caktimin e Allahut Fuqiplotë, dhe, në saje të vendimeve të lira të ndërmarra nga ana e njerëzve përkitazi me qasjen e tyre ndaj jetës, në këtë Natë, Allahu Fuqiplotë dërgon engjujt e Tij (duke përfshirë këtu edhe Xhibrilin alejhis-selam), që të sjellin dhe ekzekutojnë vendimet e Allahut përkitazi me gjitha çështjet që kanë të bëjnë me jetën e çdo njeriu, edhe atë, për një vit të plotë…!
Është indikativ fakti që, këto vendime dhe caktime, jo vetëm që merren në krye të një viti kalendarik, dhe pas shumë shanseve të ofruara, por, të njejtat, vijnë pas një shansi madhështor që i është dhënë në dispozicion njeriut për përmirësimin e qasjes së tij ndaj jetës në tërësi, e që është muaji Ramazan. Kjo, përreth faktit që, kjo Natë ndodhet në pjesën e tretë (të fundit) të Ramazanit, kur pritet të arrihet kulminacioni i përkushtimit në këtë drejtim…!
V “Ajo (që përcakton Zoti) është paqe deri në agim të mëngjesit”
Nga ky ajet kuptojmë se, kjo Natë, jo vetëm që është paqe në vetvete, por edhe vendimet dhe caktimet e Allahut që ndërmerren, shpallen dhe ekzekutohen në këtë Natë, janë në funksion të paqes së gjithmbarshme…
Poashtu, Allahu Fuqiplotë, përmes këtij ajeti, na inkurajon që, përgjatë vendimeve tona për përcaktimin e kursit tonë jetësor, gjithmonë ta kemi parasyshë paqen me vetveten, me të tjerët, dhe me gjërat që na rrethojnë…!
Duke marë parasyshë këto aspekte dalluese të Natës së Kadrit, si dhe, kur kemi parasyshë faktet se:
1. Kjo natë ndodhet në pjesën e tretë dhe të fundit të Ramazanit; pjesë kjo, në të cilën fillojmë t’i ndjejmë efektet dhe rezultatet e agjërimit, me gjitha dimensionet që ngërthen në vehte ky obligim, në mesin e të cilave do të veçonim: ripërtërirjen e lidhjes sonë me Krijuesin, rikujtimin e ‘besës’ së dhënë ndaj Zotit të gjithësisë, rikthimin e balancit në mes aspektit trupor / material dhe atij shpirtëror, ringritjen etike dhe morale, ridefinimin e prioriteteve tona jetësore, fisnikërimin e ndjenjave dhe sjelljeve tona, etj.
2. Kjo Natë vjen pas rreth një muaj trajnimi, dhe shënon momentin e meditimit, analizimit, vetëllogaritjes, dhe vlerësimit të së kaluarës; me qëllim të rishikimit, ridefinimit dhe ripozicionimit për të ardhmen…
3. Kjo Natë shënon kurorëzim të adhurimeve, punëve të mira, dhe lutjeve…; moment kulminant të orvatjes njerëzore për ndryshim…; si dhe, zotim për një qasje të re ndaj jetës dhe të ardhmes…
4. Në këtë Natë, bazuar në Dijen Absolute si dhe Vendimin dhe Caktimin e Allahut Fuqiplotë, dhe, në saje të vendimeve të lira të ndërmarra nga ana e njerëzve përkitazi me qasjen e tyre ndaj jetës, Allahu Fuqiplotë angazhon engjujt e Tij për shpërndarjen e ‘vendimeve’, ‘dekreteve’, dhe ‘kontratave’ të reja për çdonjërin prej tyre…
5. Kjo Natë përsëritet për çdo vit; duke ofruar – në këtë mënyrë – shans dhe mundësi të vazhdueshme që njerëzit ta ndryshojnë vehten…
Duke marë parasyshë të gjitha këto aspekte dhe fakte që u përmendën, si dhe shumë e shumë aspekte dhe fakte tjera të cilat mbetën pa u përmend…; kjo Natë, me të drejtë mban epitetin e Natës së ‘Kadrit’…
Andaj, le të mos e humbim këtë ‘ftesë’ hyjnore për ndryshimin e ‘kursit’ të jetës sonë…; si dhe, ‘le ta llogarisim vehten, para se të llogaritemi’…!
Nga: Sali Shasivari

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Exit mobile version