Hëna, sonte i mori Diellit dritë, më shumë se zakonisht
Flladi përshkon mbi fytyrat tona valë, valë qetësisht
Xhungla e mendimeve mori trajtën e një fushe me trëndafila
Ulur pranë Mesazhit të kësaj nate i ndeza dy kandila
Kërkoja të dij vlerën, rëndësinë, madhështinë, si ta quaj?
Ishte më shumë se një jetë, ishte më shumë se një mijë muaj!
Paqe zemra gjeti, atë që nuk ia ofruan netët e tjera
Karshi dimrit të ftohtë në zemër, sonte lulëzoj pranvera
Loti i krypur nëpër faqe se ç’u ëmbëlsua!
Ndërgjegja, dhembshuria u ndezën në mua
E shpresa asnjëherë s’u shua
O Zot i kësaj nate të madhe
Ti je falës, e don faljen, më fal mua!
Në kërkim të natës së Kadrit!
Zurijet Sulejmani