Disa jave më parë, europarlamentari britanik me eksperiencë 20 vjeçare, Richard Howitt me proveniencë politike Laburiste dhe proveniencë territoriale nga Anglia Lindore, në vetinë e raportuesit për Maqedoni në Parlamentin Europian bëri një befasi kur me rezolutë deshi të shpallë Maqedoninë vend me ekonomi efiçiente të tregut! Shpjegimi i tij bazik ishte se me këtë do të derdheshin më shumë investime të huaja në Maqedoni, gjë të cilën e dëshirojmë të gjithë ne.
Që në fillim dëshiroj të nënvizojë se personalisht (dhe jo vetëm unë), e çmoj dhe e vlerësoj lartë qëllimin e tij për ti ndihmuar vendit tonë, e me këtë gjithë neve në proceset e eurointegrimeve. Gjithashtu nuk dëshiroj dhe as që pres se dikush do të polemizojë me mua për hir të simpative tona si shqiptarë (për të mos thënë edhe detyrimeve tona), nga përkrahja e parezervë britanike në rrugëtimin tonë drejt përmirësimeve të gabimeve historike që na kanë bërë dikur Evropa dhe ata gjithashtu. Sigurisht që vlerësoj edhe përpjekjen dhe vullnetin e tij për të ndihmuar progresin tonë në përputhje me gjitha planet tona strategjike. Por ama nuk mund të kuptoj dhe ta lëmë pa analizuar këtë përpjekje qëllimmirë të tij. Së pari s’mund ta kuptojë atë vetë, si një personalitet me aq përvoje politike por edhe me arsimim në ekonomi politike, të bëjë një veprim të tillë! Në backgraundin e tije arsimor rezulton që ka diplomuar tre dekada më parë në Universitetin e Oxfordit në fakultetin e Administrim Biznesit në drejtimin Politik, Filozofi dhe Ekonomi si dhe ka magjistruar në studimet e menaxhimit në Universitetin Hertfordshire-Angli! Padyshim që duhet ta dijë (dhe skam hamendje për këtë) se çfarë do të thotë ekonomi funksionale e tregut dhe si mund të arrihet ky status! Poashtu z.Howiit duhet ta dijë, se në të gjitha raportet e “qeverisë së tij”-të Komisionit Europian, pothuaj në vazhdimësi në të njëjtin rangim gjendet çështja kritike e ”ekonomisë (jo)funksionale të tregut”, si një nga pikat më të dobëta krahas administratës joefikase, gjyqësorit të pavarur, mediumeve të lira dhe korrupsionit në vend! Disa prej këtyre kualifikimeve dhe atributeve negative edhe vetë i ka nënvizuar disa herë si brengë dhe çështje të hapura që duhet ti zgjidhë vendi. Më kot ne do “progresojmë” drejt eurointegrimeve, nëse mbetemi me këto atribute, sa do që të dëshirojë të na përkrah në këtë drejtim z.Howitt.
Atëherë, çka e motivoi europarlamentarin dhe raportuesin “tonë” të propozojë një rezolutë të tillë? Nuk mendoj se me deklaratë politike mund të shpallet një kualifikim aq kompleks për një vend. Nëse ka menduar që me këtë do tregojë përkushtim dhe lojalitet ndaj Maqedonisë apo qeverisë, pas disa kritikave dhe “gabimeve” që qeveria ia adresoi atij, e ka edhe më shumë gabim intencën e tij. Kjo do të thotë mashtrim për investitorët, ashtu siç shumë herë kanë manipulua (për të mos thënë mashtrua) edhe Institucione shumë kredibile si FMN dhe BB, kur kanë lëvduar politikat (posaçërisht) ekonomike të kësaj qeverisje dhe 2-3 vite më vonë janë pendua edhe vete! Sa më lart na kanë rangua këto institucione për qasjet reformatore aq më keq e kemi situatën ekonomike dhe standardin jetësor në vend.
Dilemat dhe befasia ime për ketë iniciativë të z.Howitt dalin nga fakti i “mjeshtërisë” perfekte të qeverisjes maqedonase për PR-in dhe mënyrën e prezentimit të vendit si oazë e suksesshme ekonomike e regjionit. Ja pse (fatkeqësisht) jemi aq larg gjendjes që pretendon ta pasqyroje z.Howitt.
Së pari, një ekonomi tregu është funksionale kur krijohen kushte dhe rregulla strikte loje për të gjithë pjesëmarrësit në treg. Për të gjithë, pa përjashtim, të mund të hyjnë në sektor dhe të lëshojnë atë, nën kritere dhe kushte të njëjta. Bile rregullatori dhe mbikëqyrësi (qeverisja) të kujdeset për këtë fokus. A e dinë z.Howitt sa larg kësaj gjendje është Maqedonia si edhe i gjithë regjioni. Në disa segmente (si ai i mediumeve dhe demokracisë funksionale) edhe e fundit në regjion! Në disa sektor kur u tentua të futet konkurrenca, aktorët u alivanosen dhe u burgosën (ndërtimtaria me lokacione qendrore, lojërat e fatit, shërbimet e shpedicionit, sigurimet fizike, spitale strategjike,…etj).
Së dyti, të krijohet siguri juridike e pronës, vendimeve biznesore dhe transaksioneve. Me këtë gjyqësor që asnjëherë s’je i sigurt për drejtësi, asnjë biznes nuk ka perspektivë. Qoftë larg të tentoni të ristrukturoni dhe te nxjerrni teprica teknologjike nga struktura e kompanisë, pas 1 apo 2 vitesh gjykatat e korruptuara do tua kthejnë “triumfuesit” që tu paguani paga dhe penale të pamerituara. Raste të tilla ka me mijëra, zaten edhe shteti, e posaçërisht pushteti lokal e dinë vetë këtë gjendje se kanë paguar çmim për këtë.
Së treti, në një ekonomi ku vetë shteti, është punëdhënësi dhe blerësi më i madh dhe bile skajshmërisht selektiv, si mund të pretendohet për atribut të ekonomisë funksionale. Diskriminimet dhe diferencimet individuale mbi baza politiko-partiake shkojnë deri atje që edhe prodhuesit bujqësor individual të parakontraktuar (prodhuesit e duhanit, rrushit,…etj) i detyrojnë ti lutin grumbulluesit e detyrueshëm tua blejnë prodhimet e parakontraktuara me shumë çmime nënçmuese. Rasti i prodhuesve të duhanit në Studeniçan dhe ato të Cërnilishtes më parë, fletë më mirë se gjithçka për këtë funksionalitet të ekonomisë së tregut. Punëdhënia me tenderime dhe punësimi me “pëlqime” vetëm se e vulosin këtë nebulozë të “tregut funksional”!
Së fundi, më gjithëpërfshirëse (do zgjatej pafundësisht lista numerike) do nënvizojë faktorët shtesë që matin funksionalitetin e një ekonomie duke nisur nga: administrata joefikase publike, infrastruktura ekonomike e prapambetur (rrugë, hekurudha, energji, gas,…), korrupsioni rritës, jostabiliteti social e politik, arsimim masiv sasior përballë atijë cilësor, produktivitet rënës, jofunksionalitet të tregut të punës, qasje shumë të vështirë në huamarrje biznesore, transparencë minimale në qeverisje, ngulfatje të sektorit civil dhe të drejtave të njeriut, bllokadë integrimesh, bllokim politik të institucioneve që kanë (pa)varësi politike,…dhe shume atribute tjera që po të kvantifikohen me një notë midis 1 dhe 5, shumica do ishin midis 1 dhe 2!
Këto dhe shumë arsye tjera, që për shkak hapësirës së limituar nuk i shtjellojmë këtu, më bëjnë kureshtar të “mësojë” ku e gjeti gjykimin dhe arsyen një profil i politikanit europian si Howitt të propozoj me “akt proklamues politik” të shpall vendin si të tillë. Ajo që është edhe më befasuese është heshtja e opozitës për këtë “peshqesh të paarritshëm” të europarlamentarit! Nuk mbanë frika e saj nga PR-i i pozitës se kush ia donë të keqen vendit. Këto dhe tjerat demagogji duhet demaskuar se do jetë vonë! Thjesht ta ftojmë z.Howitt dhe dashamirë tjerë të vendit si ai, të mundohen të bindin ndonjë investitor të huaj të vijë në Maqedoni, por ama me kushte të barabarta si ato vendorë dhe jo me statuse preferenciale kolonialiste që të shohin analizat dhe vlerësimet për investimet e tyre! Nuk është faji te investitorët e paktë por te kushtet joatraktive për biznesbërje. Realiteti demanton çdo raport të BB për reformim të klimës së biznesit. Sektori real nuk reagon mbi bazë të raporteve (PR) perceptive.
Statusin e ekonomisë funksionale të tregut duhet ta meritojmë. Vetëm ashtu ia vlen ai status. Çdo gjë që të falet nuk është e qëndrueshme. Një e dhënë një-një e ngrënë thotë populli. Prandaj, faleminderit z.Howitt!
EDITOR
11 years ago
next article
A shihet apostazia si krim në islam?
you might also like
JO KRIME, NË EMËR TË NDERIT! – Dr. Bashkim Aliu
2 years ago
Agjërimi shkollë e durimit
3 years ago
Një vazo me shumë lule!
3 years ago