Nderim Nexhipi, njëri prej futbollistëve më të mirë shqiptar nga Maqedonia edhe zyrtarisht karrierën e tij do ta vazhdoj jashtë vendit. Kështu, shkupjani të premten ka vërë nënshkrimin e tij për skuadrën e ligës së parë rumune, FC Vaslui. Nexhipi ekskluzivisht për gazetën “Zhurnal Plus” e zbuloi këtë lajm duke u shprehur shumë i kënaqur që sërish po i kthehet karrierës së tij internacionale.
“Momentalisht gjendem në Spanjë pasi këtu ekipi rumun po bën përgatitjet për stinorin pranveror. Me drejtuesit e skuadrës u morëm vesh shpejtë, duke më ofruar kushte që i kënaqnin interesat e mija. Unë vendosa që të vë nënshkrimin tim në marrëveshje duke u bërë lojtar i këtij ekipi për 2 vite e gjysmë”, tha Nexhipi, duke shtuar se bëhet fjalë për një ekip i cili është ndër më të fortat në Rumuni. “Ekipi posedon lojtar shumë kualitativ ku shpresoj se së bashku do të tregojmë loja të mira si në kampionat ashtu edhe në garat evropiane”.
Ndryshe, se bëhet fjalë për ekip kualitativ tregon fakti se në vitet e kaluara vazhdimisht skuadra rumune ka marr pjesë në garat ndërkombëtare. Sivjet ata u paraqiten në Ligën e Kampionëve ku u eliminuan nga skuadra turke Fenerbahçe, e pafat ishte edhe nga skuadra italiane Inter.
Me këtë marrëveshje, ekipi i Shkëndijës ku u paraqit mesfushori ka humbur një lojtar shumë të rëndësishëm. Nderim Nexhipi e ka filluar karrierën në skuadrën shkupjane Slloga Jug (Shkupi), kurse më pas kalon tek skuadra gjermane Herta dhe Wolsburg. Mandej shkon te Vardari, Rabotniçki, te Lirsi, Qarabagh dhe së fundi te Shkëndija.