(Apo, për një plesht a digjet jorgani!?)
Shkruan: Dr. Mustafa Bajrami
Despotizmit të kreut të tanishëm të Bashkësisë Islame i ka mbetur pa kaluar vetëm edhe një kufi; të bjen ligje mbi normat e Kur’anit dhe Sunnetit, sepse, veprimet anti-islame dhe antiligjore të cilat i arsyeton me fetva të çoroditura drejtpërdrejti po bien ndesh me mësimet e Islamit. Historia e mendimit politik na mëson se shfaqja e pakënaqësive dhe kërkesave për demokraci vjen edhe si rezultat i shkeljes së ligjshmërisë dhe të drejtave të individëve nëpër institucione dhe në shoqëri.
Cilat janë organet e Bashkësisë Islame në Kosovë
Shikuar në kushtetuten e Bashkësisë Islame, “Këshilli i Xhematit” është organ i një xhamie i përbërë nga imami i xhamisë, nga një muteveli dhe nga tre anëtarë të xhematit të xhamisë (KXH). Togfjalëshi “Këshill i Bashkësisë Islame” nënkupton Bashkësinë Islame në nivel rajonal të një qyteti (KBI), ndërsa emërtimi “Kryesia e Bashkësia Islame në Kosovë” nënkupton nivelin qendror me qendër në Prishtinë (BIK). Kjo e fundit është organ ekzekutiv i Kuvendit të BIK-ut dhe organi më i lartë për çështje fetare, fetare-arsimore, administrative, pronësore e të tjera. “Kuvendi i Bashkësisë Islame në Kosovë” është emërtim për organin më të lartë përfaqësues dhe ligjdhënës i BIK-ut.
Si organizohen zgjedhjet në Bashkësinë Islame, të këshillave dhe për Kuvend?
Sistemi zgjedhor në BIK është i rregulluar sipas një dispozite të cilën, në fakt thuajse askush nuk e respekton, aq më pak kreu i Bashkësisë Islame. Zgjedhjet në nivele lokale organizohen në çdo katër vjet. Secila xhami delegon nga tre anëtarë që formojnë Kuvendin Zgjedhor i cili propozon anëtarët e ardhshëm të KBI-së. Lista i dërgohet Kryesisë së BIK-ut ku Muftiu i Kosovës i njeh vetes të drejtën e ndërhyrjes në përzgjedhjen e emrave për themelimin e KBI-së. Numri i anëtarëve në KBI varet nga numri i xhamive, respektivisht numrit të popullatës. E keqja e këtij sistemi është se Muftiu, ndryshon renditjen sipas nevojave, refuzon cilin do kandidatë të zgjedhur, sidomos ata që nuk konsiderohen krah i politikës së tij. Vetëm në zgjedhjet e fundit ka pasur shkelje ligjore aq shumë sa që u shkarkuan anëtarë të tërë, kryetarë, e ka pas raste ku edhe pas shkarkimit me pa të drejtë të disa anëtarëve dhe kryetarëve, pas refuzimit të këtyre të fundit, ata janë rikthyer në pozitat e mëparshme.
Zgjedhjet për anëtarë të Kuvendit të BIK-ut mbahen në çdo pesë vjet. Numri i anëtarëve të Kuvendit është në proporcion me numrin e KBI-ve plus nga një delegat prej Fakultetit të Studimeve Islame dhe një nga Medreseja. Kryetari dhe nënkryetari i Kuvendit zgjidhen në mbledhjen e parë konstituive të Kuvendit. Lufta për pushtet dhe për privilegje, zakonisht zhvillohet në rrafshin e votimeve nëpër këshilla rajonale për delegatin që do të shkon në Kuvendin e Bashkësisë Islame, sepse, vota e tij është përcaktore edhe për zgjedhjen e kreut të Bashkësisë Islame në Kosovë. Përndryshe, roli i Kuvendit është aq i izoluar sa që, edhe sipas Kushtetutës së Bashkësisë Islame Kuvendi mblidhet (së paku) një herë në vit. Kërkesa për ndryshime kushtetutare dhe të qasjes ndaj nevojave të besimtarëve në Kosovë për të cilën vazhdimisht kemi folur, fillon pikërisht në punën e Kuvendit. Sa më tepër që Kuvendi vazhdon me këtë tempo të punës, aq më pak do të ketë përparime në organizimin e mirëfilltë të Bashkësisë Islame dhe sa më shpejt që pranohet kërkesa për ndryshimin e logjikës ndaj Kuvendit, aq më shumë shtohen shpresat për ditë më të mira të Bashkësisë Islame. Përderisa nuk ka një Kuvend të fortë, manipulimet e kreut të BIK-ut do të vazhdojnë edhe më tutje.
Parregullsi me thes
Parregullsitë e shumta që po e përcjellin Bashkësinë Islame të viteve të fundit kanë të bëjnë posaçërisht me zgjedhjet. I vetëdijshëm për qëndrimet e veta, kreu i Bashkësisë Islame po pengon ecurinë si të zgjedhjeve si të organizimit të jetës fetare në vend. Mosrespektimi i rregullores të miratuar në Kuvendin e BIK-ut sipas nenit 75 (Mënyra e zgjedhjes dhe e shkarkimit të të gjitha organeve të Bashkësisë Islame përcaktohet me Rregulloren mbi Zgjedhjet. Këtë rregullore, me propozimin e Komisionit të Kuvendit, e miraton Kuvendi), ka shkaktuar turbulenca që po tronditin themelet e Bashkësisë Islame. Në vend që zgjedhjet të mbikëqyren nga një komision neutral i besueshëm, ato organizohen, menaxhohen dhe monitorohen nga vet Kryesia e Bashkësisë Islame, respektivisht nga kreu i saj.
Kështu, në mënyrë të paligjshme, Kryesia e BIK-ut me rekomandimet e kreut të saj vet shpallë zgjedhjet, vet emëron komisionet dhe vet bënë vlerësimin e tyre. Ai largon nga puna kë do, pranon në punë këdo, shantazhon secilin që mendon ndryshe dhe merr vendime ad-hoc, larg dispozitave islame, jashtëligjshëm dhe pa mbështetje administrative. Pranimi në punë i dhjetëra personave pa asnjë kriter dhe pa konkurse paraprake institucionin e Bashkësisë Islame në Kosovë e ka vënë në shënjestër të kritikave më të ashpra. Përpjekjet për ruajtjen e interesave personale dhe ideologjike, sidomos nëpërmes punësimit të individëve që janë familjarë të afërt apo që punojnë për interesat e caktuara, BIK-un e kanë vënë në pozitë të atillë, që me të drejtë po quhet si pronë private e kreut të saj. Aty, normat fetare dhe njerëzore po shkelen në mënyrë flagrante. Si rezultat i manipulimeve të shumta, gjendja e BIK-ut është tendosur tej mase. Nëpër këshillat rajonale të Bashkësisë Islame është krijuar një kaos i vërtetë. Krye-imamëve u janë njohur të drejtat e pakufizueshme të mandatit, ata punojnë me kontrata të përhershme dhe të cilëve u lejohet të bëjnë çka të donë, me një kusht; të mos kundërshtojnë kreun e BIK-ut. Ingerencat e përziera mes kryetarëve të këshillave rajonale dhe krye-imamëve në ato këshilla janë bërë qëllimisht. Paqartësitë dhe mos-përcaktimi fiktiv i përgjegjësive të këtyre dy funksioneve po krijon mjegull në të cilën dobësohet Këshilli por forcohet pozita dhe sundimi i kreut të BIK-ut mbi Këshillat rajonale. Pozita e kryetarëve të KBI-ve edhe më tutje është vetëm pozitë nderi ndërsa pozita e krye-imamëve vlerësohet si pozitë kyçe në këshilla, e gjithë kjo për të manipuluar dhe për të menaxhuar për interesa politike të kreut të BIK-ut. Nëse kryetari i Këshillit është me muftun, shkelet kryemami dhe nëse kryemami mbështet myftiun, shkelet kryetari i Këshillit. Kryetarët e këshillave që nuk pajtohen me politikat e myftiut, shkarkohen, përderisa ata që “rrinë urtë” vazhdojnë deri në tri mandate. Degradimi i pozitës së kryetarit të Këshillit, që në fakt është personi më i lartë zyrtarë në një komunë ka bërë që vet kryetarët të janë të atakuar, anashkaluar e shumë herë të parespektueshëm në vendet ku jetojnë. Vënia e tyre në pozita nderi e jo me vendime pune, tek qytetarët shkakton huti dhe ndjenjën e inferioritetit ndaj kryetarëve të këshillave. Personi më i lartë fetar komunal është i pakredibilitet tek Kryesia të cilën ashtu e dëshiron, ndaj ashtu e monitoron kreu i saj. Pozita e tyre, detyrimisht duhet të rregullohet.
Nga ana tjetër, përderisa një numër jo i vogël i kuadrove bredhin rrugëve të papunë, ku shpesh u mohohet e drejta për të qenë imamë qoftë edhe në ndonjë fshat të largët, me urdhëresë të kreut të BIK-ut, shumë punonjësve aktual u jepet e drejta për dy e tri angazhime! Njerëzit e afërt të myftiut angazhohen edhe për ndarjen e ndihmave materiale, parave dhe të tjerave që vijnë nga jashtë Kosova. Në zgjedhjet lokale të fundit të cilat në fakt ishin zgjedhje të imponuara, në masë të madhe u diskriminuan shumë nga ata që morën besimin e kuvendeve zgjedhore dhe në vend të tyre u emëruan njerëz të preferuar të myftiut të Kosovës. Kuadrot që kundërshtuan politikën aktuale të udhëhequr nga kreu i BIK-ut u larguan nga puna dhe për të arsyetuar qëndrimet antiligjore, kundër tyre u organizuan shantazhe të ulëta, i shpifën trillime idioteske të papara ndonjëherë në Bashkësinë Islame në Kosovë. KBI-të nëpër Kosovë u destabilizuan deri në atë masë sa pati ushtrim të dhunës fizike mes vet punonjësve. Ajo që tani është duke ndodhur, nuk ka qenë kurrë praktikë e Bashkësisë Islame në Kosovë.
Si është gjendja në institucionet arsimore të Bashkësisë Islame
Përveç kësaj, me gjithë angazhimin e pashoq të zyrtarëve të Fakultetit të Studimeve Islame, edhe në institucionet arsimore parregullsitë sa shkojnë e shtohen. Në mungesë të forcës (ligjore) që vet Këshilli i Profesorëve të jetë ai që vendos, atje, në bazë të preferencave të kreut të Bashkësisë Islame janë pranuar kuadro me tituj të blerë, me thirrje false. Aty nuk vlerësohen, nuk vërtetohen e as nuk merret me verifikimin dhe nostrifikimin e diplomave. Falsifikatorët të cilët, tani për arsye krejtësisht të njohura dhe të mbështetura detyrimisht nga kreu i BIK-ut kanë zënë vende të ndjeshme në institucionet arsimore të BIK-ut. Duke penguar aktivitetin akademik të fakultetit ku mbi 30 vite me radhë ky institucion punon me të njëjtin plan-program, kreu i BIK-ut qëndron mbi çdo rregullore të atij institucioni. Sikur çdo kund tjetër, edhe në plan-programin e medresesë, në mënyrë të imponueshme dhe tepër të çuditshme janë futur katër librat e kreut të BIK-ut. Si është e mundur që një person të përgatisë katër libra të ndryshme për katër lëndë të ndryshme e të mos ketë kush tjetër të shkruaj librat e atyre lëndëve? Si është e mundur që profesorët e “dëgjueshëm” të ligjërojnë tri e katër lëndë ndërsa “të padëgjueshmit”, edhe pse me diploma më të larta të mundshme akademike të largohen nga mësimdhënia, pa asnjë arsyetim paraprak dhe pa asnjë arsye ligjore? A është e mundur të ndodh e gjithë kjo në Bashkësinë Islame dhe ende të besohet se zërat opozitarë janë ngritur për të dëmtuar imazhin e saj ndërsa kreu i BIK-ut është i vetmi që mund të shpëtojë atë imazh? Si është e mundur të mos kritikohet, mbase edhe shumë ashpër fakti që në Fakultetin e Studimeve Islame bëhet seleksionimi i profesorëve sipas raporteve të tyre me kreun e BIK-ut si dhe avancimi i disa profesorëve të tjerë me nga tre tituj përnjëherë. BIK-u është në kaos të vërtetë. Bashkësisë Islame në Kosovë i duhet ndihmë urgjente dhe me këmbëngulje duhet kërkua mënyrat më urgjente për rivendosjen e ligjshmërisë brenda saj.
Fatkeqësisht, refuzimi i propozimit që kishim bërë për tu themeluar Instituti Islam për Hulumtime Shkencore-Teologjike për të cilin ne i patëm dorëzuar myftiut draftin e detalizuar, me sa duket konsiston në frikën e tij nga qasja serioze shkencore analitike dhe kritike ndaj çështjeve që kërkojnë qasje serioze e të cilat do ti kishin kontribuuar jo vetëm Bashkësisë Islame, por gjithë shoqërisë sonë. Veprimet refuzuese anti-demokratike që janë dominuese brenda BIK-ut konsiderohen damkë e zezë e kësaj udhëheqje. Prononcimet e pamatura të kreut të BIK-ut se nuk ka të përjashtuar nga puna, nuk ka imponime, nuk ka shantazhe dhe se vetëm një kuadër kosovar ka të kryer fakultetin e gjuhës arabe (që rastësisht qëlloi të ishte dhëndri i tij!) apo që muftiu i kaluar ka marrë pagën e myftiut edhe pas shkuarjes nga detyra nuk përkojnë me realitetin. Ato janë të shtrembëruara deri në palcë.
Kështu, interesimi dhe aktivizimi jonë për çështjet udhëheqëse evoluuan sidomos pas puçit që iu bë Kuvendit të BIK-ut sikur edhe më parë zyrtarëve të KBI-ve. Shkarkimi në mënyrë arbitrare i kryetarit të Kuvendit pa asnjë procedurë paraprake, shpallja e zgjedhjeve sipas tekeve personale si dhe anashkalimi i nenit përkatës i cili thotë se brenda 30 ditësh duhet të mbahen zgjedhjet në të gjitha instancat e Bashkësisë Islame janë shkelje flagrante e Kushtetutës së Bashkësisë Islame.
Përse nuk respektohet xhemati dhe apo nuk vlerësohet sa duhet djersa e tyre?
Në fakt, ajo që neve na intereson këtu nuk është imani i kreut të Bashkësisë Islame në të cilin thirret sa herë që dëshiron të arsyetoj veprimet e veta anti-kushtetuese, por më shumë veprimet e tij në dëm të Bashkësisë Islame dhe të vendit në përgjithësi. Radikalizmi i kreut të BIK-ut shkoi deri atje sa mori guximin për ndryshimin e Kushtetutës, pa nevojë dhe me të vetmin qëllim; t’i sigurohet posti i përjetshëm si mufti i Kosovës dhe në rast se shkon me dëshirë apo pensionohet, të ketë një pagë deri sa të jetë gjallë. Është e pamundur ti besohet kësaj. Në kohën kur Bashkësia Islame është vënë para një kollapsi total, në këtë kohë kur shumë imamëve për një vit nuk u paguhen pagat e ka edhe nga ata që nuk marrin as edhe njjë të vetmin metelik, myftiut ti sigurohet paga e përjetshme kurse njerëzit përreth tij të kenë mirëqenie ekonomike të pashembullt, është fyerje drejtuar qytetarëve të Kosovës, përdhunim i djersës dhe dinjitetit të xhematlinjëve të vendit tonë. Si është e mundur që kreu i BIK-ut të mos merr parasysh nevojat e shumë imamëve të cilët edhe në kushte të rënda po kryejnë detyrat e veta me përkushtim? A nuk do të ishte më e njerëzishme që të dërgoheshin në haxh çoftë edhe vetëm nga një xhemat nga secili qytet i Kosovës, në vend se të dërgohen radhazi vetëm njerëzit e afërt të kreut të BIK-ut. Përse të mos dërgohen anëtarë nga familjarët e dëshmorëve, të veteranëve të luftës të cilët kanë dëshirën por nuk mund të përballojnë harxhimet e haxhit? Xhemati i Kosovës duhet të ketë tretman tjetër, më të mirë dhe shumë më të respektueshëm. Djersa e tyre duhet të vlerësohet njashtu siç ata po japin kontributin për Bashkësinë Islame në Kosovë.
Qëndrimi jonë është i qartë
Qasja jonë në ndryshimin e metodologjisë së punës duhet të lexohet si një prirje revolucionare për rimëkëmbjen e Bashkësisë Islame. I vetëdijshëm se një sistem modern nuk mund të ndërtohet mbi metodat e vjetërsuara të cilat bazohen në interpretime subjektive që dëmtojnë ardhmërinë e Bashkësisë Islame, marrim guximin për kërkesa serioze në ndryshimin e gjendjes së krijuar.
Është shumë e rëndësishme të pranohen parimet e së drejtës për ndryshime. Ato duhet të jenë të rregulluara edhe me kushtetutë ashtu që të garantojnë të drejtat e njeriut, zgjedhjet e lira dhe të ndershme, ndalimin e ndryshimit të kushtetutës për interesa personale si dhe të merren në konsideratë interesat e shtetit dhe të kombit.
Sado që kjo udhëheqësi po trajton pjesën intelektuale të saj si “organizatë” që vepron kinse në dëm të Bashkësisë Islame, ne mendojmë se ndryshimet që duhet të ndodhin aty janë të domosdoshme dhe të pashmangshme. Demokratizimi dhe ri-organizimi i këtij institucioni është i detyrueshëm për faktin se demokracia si një grup mekanizmash për të garantuar lirinë e mendimit dhe e mbledhjes dhe konkurrimit paqësor nëpërmjet zgjedhjeve të drejta do të ndihmonte edhe më shumë Bashkësinë Islame. Përndryshe, konsiderojmë që ata të po kundërshtojnë këto qëndrime edhe më tutje janë bartës të ideve që janë trashëguar nga sistemi një-partiak komunist i kaluar.
Përfundim
Për të pasur një Bashkësi Islame të qëndrueshme dhe që aspiron një të ardhme më të mirë, mendojmë se duhet të veprohet në disa drejtime:
- Të krijohet një atmosferë tolerante ku do të ishte mënjanuar frika e përhapur tek punonjësit e Bashkësisë Islame se nëse flasin, do të largohen në puna ndërsa po lavdëruan kreun e BIK-ut do të avancohen.
- Të ndryshohet kushtetuta, rrënjësisht dhe në mënyrë profesionale e jo siç ndodh tani që këtë punë ta kryejnë zyrtarët e Kryesisë, aq më keq sekretari i saj.
- Të krijohet hapësirë më e madhe për zërin e imamëve, punonjësve e sidomos të xhematit i cili në mënyrë ekstreme është i margjinalizuar.
- Të ketë një Kuvend të qëndrueshëm ku vendimet e tij të jenë detyruese edhe për Kryesinë, e jo që Kryesia të menaxhon, monitoron dhe shantazhoj Kuvendin sa herë që kjo është në interes të zyrtarëve të Kryesisë.
- Komisionet e Kuvendit të jetë aktive dhe të kenë zyre ku do të punonin në mënyrë aktive e jo vetëm kur këto i thërret kreu i BIK-ut.
- Legjislacioni duhet të jetë në përputhje me dispozitat e Fesë Islame dhe të mos bie ndesh me dinamikat e kohës, aq më pak me interesat kombëtare dhe të shtetit të Kosovë.
- Duhet të ketë pluralitet mendimesh dhe të sigurohet një platformë reale për pjesëmarrjen e femrës në zgjedhje të Kuvendit, si dhe të krijohen mundësitë edhe për kuadro profesionale tjerë që nuk janë hoxhallarë.
- Pozita e Kryetarit të Kryesisë të ndahet nga pozita e muftiut.
- Të ketë një trup gjykues i lartë për të gjykuar mbi kushtetutshmërinë e ligjeve që dalin nga Kuvendi si dhe punën e Kryesisë së Bashkësisë Islame. Në ndër kohë të themelohet këshilli i ulemave i cili do të merrej me veprimtari islame, sidomos me çështjet e fetave.
10. Pozita e kryetarëve të KBI-ve të jetë pozitë me vendim në mënyrë që të mos nëpërkëmbet nga interesat e kreut të BIK-ut ndërsa pozita e kryeimamit të precizohet në mënyrë të përpiktë. Të qartësohen ingerencat definitive të kryetarëve të këshillave rajonale dhe të krye-imamëve nëpër këshilla.