Platforma “Mozaiku rinor” edhe këtë të shtunë u prezantua me nxënësit nga 6 qytetet ku funksionon organizata jonë. Përmes projektit “Incept” që po ndjek vazhdën e vet, këtë të shtunë prezantuam edhe një seri trajnimesh për “heronjtë e së shtunës”.
Nxënësit nga dega e Prilepit, këtë fundjavë realizuan vizitë në Muzeun e alfabetit të gjuhës shqipe, dhe xhaminë Çelebi në qytetin e Manastirit.
Duke marrë parasysh periudhën e testeve, në Kërçovë, trajnuesja Gjylsime Kasami ndau metodat e vet të të mësuarit, si pjesë e temës “Teknika të të mësuarit”.
Në Gostivar u diskutua rreth temës “Bullizmi”, ku nxënësit patën mundësi të ndjekin ligjëruesin Fisnik Shabani.
Në degën e Tetovës, u ligjërua tema “Parandalimi dhe mbrojtja nga varshmëritë (duhani, alkooli, droga, etj)”, me ligjëruese Besa Alili Bajrami.
“Ndikimi i rrjeteve sociale në shëndetin mental” ishte tema që u trajtua në qytetin e Shkupit. Nxënësit këtë javë ndoqën ligjëruesen Edina Mici, e cila shtjelloi temën.
Tema “Perceptimi” qe temë diskutimi që e trajtoi Liridon Ismaili para nxënësve të qytetit të Kumanovës.
Rikujtojmë që ajo që e bën të veçantë projektin “Incept” është mënyra shumë e veçantë dhe atraktive e përçimit të mesazheve dhe misioni sublim që ndjekin anëtarët dhe aktivistët tanë për përmbushjen e disa vlerave morale nëpërmjet projektit në fjalë.
19 mars 2022