Reagimet e shumta që pasuan menjëherë pas dhunës së shtruar ndaj inteligjencës shqiptare me rastin e demonstratave të vitit 1968 në Tetovë, e detyruan udhëheqjen e RS të Maqedonisë të ndërmerr masa konkrete drejtë përmirësimit të statusit së shqiptarëve në këtë republikë. Më 31 janar të vitit 1969, Kuvendi i Republikës Socialiste të Maqedonisë solli 10 amendamente, të cilat u bënë pjesë përbërëse të Kushtetutës së vitit 1973. Në pjesën hyrëse të vendimit që u miratua me këtë rast nga deputetët e Dhomës Republikane shprehimisht thuhej: “Kuvendi i Republikës Socialiste të Maqedonisë, në mbledhjen e Dhomës Republikane të mbajtur më 31 janar të vitit 1969, solli vendim me të cilin u miratuan 10 amendamente, përkatësisht amendamentet nga numri rendor V deri XIV. Këta amendamente kushtetuese janë pjesë përbërëse të Kushtetutës së Republikës Socialiste të Maqedonisë dhe hynë në fuqi në ditën e shpalljes së tyre.”
Në mesin e amendamenteve që u miratuan nga Kuvendi, gjithsesi se më i rëndësishëm për shqiptarët ishte amendamenti nr. XIV, të cilin në vazhdim po e japim në tërësi: AMANDAMENTI XIV 1. Në territoret ku jetojnë pjesëtarët e kombësive, në jetën publike e shoqërore, gjuha dhe shkrimi i kombësive është i barabartë me gjuhën maqedonase. Në komunat në territoret e të cilave jetojnë pjesëtarët e kombësive, vendimet dhe aktet tjera më të rëndësishme të kuvendeve komunale dhe të organizatave punuese shpallen edhe në gjuhët e kombësive. Mbishkrimet publike në këto territore janë edhe në gjuhët e kombësive. Bashkësitë shoqëroro-politike kujdesen për zhvillimin e arsimit, shtypit, radios, televizionit dhe të veprimtarisë kulturor-arsimore në gjuhët e kombësive. 2. Pjesëtarët e kombësive, në përputhje me ligj, kanë të drejtën e përdorimit të gjuhës së tyre gjatë realizimit të të drejtave dhe obligimeve të tyre, si dhe gjatë procedurës pranë organeve dhe organizatave shtetërore që kryejnë shërbime publike. 3. Me ligj dhe me statut të komunës përcaktohen më për së afërmi kushtet dhe procedurat që sigurojnë realizimin e të drejtave të pjesëtarëve të kombësive, si dhe mënyrën dhe kushtet për implementimin e barazisë së gjuhës dhe shkrimit të kombësive me gjuhën maqedonase, në territoret ku jetojnë kombësitë. Me akt të përgjithshëm të organizatave punuese e të tjera rregullohet mënyra dhe kushtet e implementimit të barazisë të gjuhëve dhe të shkrimeve të kombësive me gjuhën maqedonase, në viset ku jetojnë kombësitë. 4. Me këtë amendament zëvendësohen dispozitat e nenit 75 të Kushtetutës.” Në ndër kohë, u bënë ndryshime edhe në statutin e Akademisë Pedagogjike, me të cilat u mundësua hapja e grupeve mësimore me mësim në gjuhën shqipe. Në nenin 6 të këtyre ndryshimeve dhe plotësimeve që u miratuan në qershor të vitit 1969 nga Kuvendi republikan thuhej: “..Neni 72 plotësohet dhe thuhet: “Në grupet mësimore histori-gjeografi, biologji- kimi, matematikëfizikë, fizikë-kimi, mësimi shkollor dhe studime të përgjithshme mësimi zhvillohet edhe në gjuhën shqipe, ndërsa sipas nevojës mund të zhvillohet edhe në grupet tjera mësimore”. Mbështetur në burmimet arkivore, shohim se në vitin shkollor 1969/70 në Akademinë Pedagogjike të Shkupit u hapën gjashtë grupet e para mësimore më mësim në gjuhën shqipe, edhe atë: gjuhë dhe letërsi shqipe, histori gjeografi, biologji- kimi, fizikë-kimi, matematikë-fizikë dhe grupi klasor. Duhet të vihet në dukje fakti se përkundër premtimeve të shumta nga ana e autoriteteve udhëheqëse të Shkupit, përveç përmirësimit deri diku të arsimit, shqiptarët gjatë vitit 1969 nuk patën ndonjë avancim tjetër të dukshëm. Ngadalësimi i avancimit të statusit të shqiptarëve, shkaktoi pakënaqësi te masa e përgjithshme, veçmas kjo u vërejt te inteligjenca shqiptare. Si rrjedhojë e kësaj, më 24 dhjetor 1969, Kuvendi i RS të Maqedonisë e pa të udhës të themeloj një Komision të përbashkët, i cili për një afat të caktuar kohor do ta shqyrtoj çështjen e avancimit të “kombësive në RS të Maqedonisë. Në vazhdim po e paraqesim vendimin që u soll në mbledhjen e përbashkët të Dhomës Republikane, Dhomës komunale dhe Dhomës arsimor-kulturore të Kuvendit të RSM-së më 24 dhjetor 1969: Në bazë të nenit 144 nga Rregullorja e Kuvendit të RSM, Kuvendi i Republikës Socialiste të Maqedonisë në mbledhjen e Dhomës Republikane të mbajtur më 24 dhjetor 1969, në mbledhjen e Dhomës së komunave, mbajtur më 24 dhjetor 1969 dhe në mbledhjen të Dhomës arsimor- kulturore, mbajtur më 24 dhjetor 1969, solli vendim për themelimin e Komisionit të përbashkët të Dhomës Republikane, Dhomës së komunave dhe Dhomës arsimor-kulturore të Kuvendit të RSM për studim të realizimit të barazisë, në të cilin thuhej se: 1. Themelohet Komisioni i përbashkët të Dhomës Republikane, Dhomës së komunave dhe Dhomës arsimor- kulturore të Kuvendit së Republikës Socialiste të Maqedonisë për studimin e realizimit të barazisë së kombësive në RS të Maqedonisë (Komision i përbashkët). 2. Komisioni ka për detyrë që në mënyrë komplekse ta studioj, vërtetoj dhe vlerësoj gjendjen lidhur me realizimin e dispozitave dhe përcaktimet e Kushtetutës së RSM dhe politikës së përcaktuar për barazinë e kombësive në RSM në pikëpamjen e përfshirjes së kombësive në trupat përfaqësuese të bashkësive shoqëror-politike; zhvillimi i mësimit në gjuhët e kombësive në shkollat të vendeve ku jetojnë kombësitë; barazia e gjuhës dhe shkrimit të kombësive me gjuhën maqedonase në viset ku jetojnë pjesëtarët e kombësive; përdorimi i gjuhës amtare nga ana e pjesëtarëve të kombësive në realizimin e të drejtave dhe obligimeve të tyre dhe në procedurën para organeve dhe organizatave shtetërore që kryejnë shërbime publike; realizimi i kujdesit të bashkësive shoqëror-politike për zhvillimin shkollor, shtypit, radios, televizionit dhe veprimtarisë kulturor-arsimore në gjuhën e kombësive. Komisioni pas kryerjes së detyrës, Dhomës Republikane, Dhomës së komunave dhe Dhomës arsimor- kulturore do ti paraqet raport për mendim dhe propozim për nevojën e aksioneve masave të ardhshme për realizimin e mëtutjeshëm të Kushtetutës në këtë fushë. 3. Komisioni i përbashkët ka kryetar dhe 16 anëtarë. Kryetari dhe 8 anëtarë të Komisionit të përbashkët zgjedhën nga radhët e deputetëve, me atë që secila nga dhomat që e themelojnë Komisionin e përbashkët zgjedh nga 3 anëtarë. Anëtarët tjerë të Komisionit të përbashkët zgjedhën nga radhët nga punëtorët shoqëror-politik, shkencor, profesional dhe nga punëtorët tjerë publik. 4. Detyrën nga pika 2 të këtij vendimi Komisioni ta kryej më së voni deri më 15 prill të vitit 1970. 5. Ky vendim hynë në fuqi pasi Dhoma republikane, Dhoma e komunave dhe Dhoma arsimor-kulturore do ta sjellin në tekst të njëjtë, ndërsa do të publikohet në “Gazetën zyrtare të Republikës Socialiste të Maqedonisë”. Po në këtë mbledhje u soll edhe një vendim tjetër, përmes së cilit u zgjodh kryetari dhe anëtarët e Komisionit në fjalë. Në të thuhej: “për zgjedhjen e kryetarit dhe të anëtarëve të Komisionit të përbashkët të Dhomës Republikane, Dhomës së komunave dhe Dhomës arsimor-kulturore të Kuvendit të Republikës Socialiste të Maqedonisë për studimin e realizimit të barazisë së kombësive në RS të Maqedonisë. Në Komisionin e përbashkët të Dhomës Republikane, Dhomës së komunave dhe Dhomës arsimor-kulturore të Kuvendit të RSM për studimin e realizimit të barazisë së kombësive në RS të Maqedonisë, zgjedhën: për kryetar: Predrag Kushevski, deputet i Dhomës Republikane; për anëtarë: a) nga radhët e deputetëve: Fahri Kaja, anëtar i Këshillit Ekzekutiv; Ante Popovski, anëtar i Këshillit Ekzekutiv; Mirko Marinkovski, deputet në Dhomën Republikane; Evzi Memeti, deputet në Dhomën Republikane; Cvetan Avramovski, deputet në Dhomën e komunave; Petrit Muça, deputet në Dhomën e komunave; Gjorgji Minev, deputet në Dhomën e komunave; Sefedin Sulejmani, deputet në Dhomën arsimor-kulturore; b) nga radhët e punëtorëve shoqëror-politik, shkencor, profesional dhe të punëtorëve tjerë publik: Ivan Toshevski, drejtor i Televizionit të Shkupit; Gallava Palikrushova, këshilltare në Institutin për histori nacionale – Shkup; Antoli Damjanovski, drejtor në Entin Republikan për arsim – Shkup; Iljami Emini, redaktor në RTV – Shkup; Bejzat Mugbill, gjyqtarë në Gjyqin e Qarkut – Shkup; Meti Kërliu, anëtar i Sekretariatit të KQ të LKM; Dimitar Bajallxhiev, asistent në Fakultetin e Drejtësisë – Shkup; Millan Pançevski, anëtar i Kuvendit Ekzekutiv të Konferencës Republikane të LSPPM. Ky vendim hynë në fuqi në ditën e sjelljes së tij, ndërsa do të publikohet në “Gazetën Zyrtare të RSM”. (vijon)
admin
11 years ago
previous article
Cili është qëndrimi islam për dhunën kundër grave?
you might also like
JO KRIME, NË EMËR TË NDERIT! – Dr. Bashkim Aliu
2 years ago
Agjërimi shkollë e durimit
3 years ago
Një vazo me shumë lule!
3 years ago