Forumi Rinor Islam – Shkup në kuadër të aktiviteteve që realizon për nder të muajit të bekuar të Ramazanit, nën moton “Ramazani muaji i përkushtimit!”, realizoi mbrëmje Kuranore në hapësirat e shkollës fillore “Gjergj Kastrioti Skenderbeu” në Haraçinë.
Aktiviteti në fjalë filloi me disa ajete të recituara nga hafizi Emin Sadiki, pastaj vazhdoi një fjalim përshëndetës nga kryetari i FRI – Shkup, Afrim Demiri, i cili falënderoi të pranishmit për prezencën kështu duke treguar për rendësinë e mbrëmjes kuranore në po këtë vend. Fjalë rasti kishte edhe kryetari i komunës së Haraçinës, z. Ridvan Ibraimi, i cili falënderoi organizatorët për aktivitetin në fjalë dhe tregoi gatishmëri edhe për aktivitete tjera të fushës së arsimit, edukimit dhe kulturës në komunën e Haraçinës.
Hfz. Xhemail Nuhiju nga Shkupi dhe hfz. Daut Lezi nga Kosova u përkujdesën për pjesën kryesore të programit, duke zbukuruar dhe begatuar mbrëmjen me leximin e ajeteve Kuranore.
Shkup, 15 prill 2022