Categories
Lajme FRI

Në USHT filloi konferenca ndërkombëtare shkencore të Fakultetit Filozofik

Filloi punimet Konferenca shkencore ndërkombëtare, me temë: “Problemet socio-kulturore dhe sfidat e bashkëkohësisë”.
Rektori i USHT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti, duke u dëshiruar mirëseardhje të pranishmëve në këtë Konferencë, tha se me aktivitetet e këtij niveli akademik dhe shkencor, ne konkretizojmë bashkëpunimin e suksesshëm që kemi ndërtuar me studiues të njohur në fushat shkencore, nga vendi, rajoni dhe arena ndërkombëtare.
“Puna kërkimore-shkencore në Universitetin Shtetëror të Tetovës është pjesë e rëndësishme dhe e pandashme nga aktiviteti akademik. Me qëllim të përmbushjes së nevojës për hulumtime të mirëfillta, Universiteti ynë angazhohet që të gjithë fakultetet e tij të organizojnë aktivitete shkencore, dhe kjo e pasuron dukshëm veprimtarinë e përgjithshme të arsimit të lartë.
Sot, Universitetet me angazhimet dhe iniciativat e tyre, gjithmonë bëjnë përpjekje dhe hapa konkret për të përmbushur objektivat institucionale, për edukim dhe arsimim, duke i vënë në lëvizje kapacitetet kadrovike, dhe për të bërë reforma në përputhje me kohën dhe realitetin bashkëkohor”, tha në mes tjerash Rektori i USHT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti, duke shtuar se kjo vatër akademike, përmes organizimeve të kësaj natyre, shpreh mendimin intelektual mbi jetën dhe njerëzimin në përgjithësi, mbi rëndësinë e shkencës, për të krijuar sado pak një mendim të mirëfilltë, për atë që na rrethon dhe na intereson në jetën tonë të përditshme.
Rektori i USHT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti, po ashtu theksoi se drejtuesit e Universitetit janë të kënaqur me interesimin e studiuesve për të marrë pjesë në këtë konferencë shkencore e cila organizohet nga Fakulteti Filozofik, të cilët me referimet në sesionet shkencore të filozofisë, pedagogjisë, historisë, psikologjisë, sociologjisë dhe filologjisë orientale, do të japin kontributin e tyre të çmuar në ngritjen e vlerave kulturore, humane dhe civilizuese.
Dekani i Fakultetit Filozofik, Prof. Dr. Fadbi Osmani, fjalimin e tij e filloi me thënien e filozofit të famshëm Seneka: “Dijetarët janë pothuaj si të padukshëm, pikërisht pse janë më të dukshëm nga të gjithë. Dijetarët nuk përmenden, sepse ata, jo vetëm janë në kujtesë, por janë vetë thelbi i kujtesës. Dijetarët në esencë janë autoritetet e kombit”. Më tej dekani Osmani theksoi se dita e sotme është ditë e veçantë për Fakultetitn Filozofik, pasi organizon një projekt madhor, Konferencën e parë shkencore me karakter ndërkombëtar.
Para të pranishmëve foli edhe koordinatori i kësaj konference, Doc. Dr. Musa Musai i cili theksoi se organizimet e konferencave shkencore janë mundësi e volitshme për daljen në pah të mundit dhe kreativitetit shkencor të njerëzve të dijes…që me mundin dhe përpjekjet e tyre synojnë arritjet kulmore në lidhje me zgjidhjen e shumë problemeve shoqërore.
“Me anë të kësaj Konference ne synojmë arritjen e bashkëpunimit ndërkolegial, sjelljen në një vend të shumë ligjëruesve e bashkëpunëtorëve të cilët me prezantimet e tyre, zhvillimin e debateve e diskutimeve të ndryshme në sferat shkencore ku ata janë duke kontribuar, do të hapin horizonte të reja dhe alternativa për zgjidhje të problemeve të ndryshme me karakter social”, tha koordinatori i Konferencës, Doc. Dr. Musa Musai, duke theksuar se Konferenca do t’i zhvillojë punimet në gjashtë sesione, edhe atë:
Sesioni i pedagogjisë, do t’i zhvillojë punimet, me temën: “Sfidat e edukimit dhe arsimit bashkëkohor”.
Me temën: “Psikologjia, pararojë e ekuilibrit mes reales dhe ideales në jetën e individit në bashkëkohësi” do bëhen prezantimet me karakter psikologjik.
Filozofia dhe sociologjia do të zhvillojnë temën:”Koncepti post-modern i dijes”, respektivisht, “Globalizimi dhe proceset shoqërore”.
Tema e sesionit të historisë është: “Zhvillimet shoqërore politike te shqiptarët dhe perspektivat në shek. XXI”, për të përfunduar me punimet e fushës së filologjisë orientale me temën: “Rëndësia dhe aktualiteti i studimeve orientale në bashkëkohësi”.
Në këtë Konferencë që do të zgjasë dy ditë, marrin pjesë rreth 150 studiues, me 127 kumtesa dhe kontribute shkencore.

Exit mobile version