Krisma e tringëllima nga më trishtuese. Harxhime e urata nga më pakuptuese, thuajse kjo natë na qenka natë e veçantë ku pranohen lutjet për shëndet të mirë e fat të mirë. Harruam se njeriu lutet në çdo kohë për vëllain e për shoqërinë. Harruam se festa nuk mund të ketë kuptim pa një veprim paraprak dhe pa një ndërlidhje botëkuptimore me natyrën e festës. Për hir të numrave nuk mund të thyhet një rregull. Vetëm se ditët tona po i shënuakam me kalendarin gregorian, kjo assesi nuk të detyron dhe nuk ta ligjëson festimin e Vitit të Ri, sepse do të hidhërohet Ai që i krijoi ditët, netët, hënën, diellin e stinët. Madje nëse shkohet me këtë logjikë, atëherë arabët ishin ata që shpikën zeron (0) dhe tani dashka që ta festojmë edhe ndonjë festë të shpikësve të këtij numri pa të cilin e tërë matematika, kibernetika, ekonomia e fizika do të ishin lëmsh. Harruam ditën e premte ku jemi më afër pranimit të lutjeve. Harruam lutjet pas namazit. Harruam lutjet kur jemi udhëtar. Harruam lutjet kur jemi agjërueshëm. Harruam lutjet që bëhen pas ndonjë vepre të mirë, ose prore harruam veprat e mira sa sot t’i dëshirojmë njëri-tjëtrit shëndet dhe vit të mbarë. Harruam dëshmorët, në fakt familjet e tyre, mbase edhe në lutje dhe të mos flasim në vepra. Harruam lutjet në namazin e natës, ose në të vërtetë harruam vetë namazin e natës. Harruam lutjet kur gjendemi në sexhde. Harruam shumëçka, përpos asaj që duhet harruar dhe mos përmendur fare.
Normalisht, sikur të mos i kisha festat e mia, natyrisht se do ta festoja Vitin e Ri! Edhe pse Viti i Ri është një kompromis ndërmjet katolikëve dhe ortodoksëve, kurse të gjithë të tjerët që e festojnë këtë festë, të paktën le ta dinë se janë duke e festuar një kompromis të atyre që u ndanë, një pikëtakim të krishterizmit të degëzuar.Më mjaftojnë dy bajramet që vijnë pas një flijimi e lodhjeje dhe si shqiptar më mjafton 28 nëntori, ku të paktën do t’i kujtoj më hollësisht padrejtësitë ndaj popullit tim që rrodhën prej atyre që sot patjetër se duhet t’i shikojmë si miq, edhe pse e kaluara flet pak më ndryshe!
Me të drejtë Aristoteli ishte shprehur kur kishte thënë se shkëlqimi i moralit ndodh si pasojë e virtytit. Ne bëhemi të drejtë duke bërë vepra të drejta, të përmbajtur duke bërë vepra të matura, trima duke bërë vepra guximtare”.
Nderimi më i mirë që mund t’i bëhet të rënëve dhe të rëneve shqiptarë, nënave që i ka marr malli shumë për erën e bijve të tyre dhe atyre që kanë pasur fatin vetë t’i dëgjojnë ato kërcëllime që mund ta pëlcisnin edhe timpanin e veshit, do të ishte heshtja mortore, ngjashëm si heshtja e dikurshme që të ikurit prej lufte e manifestonin gjithandej ku mbretëronte paqja, edhe atë, kur të tjerët në valën e luftës dergjeshin e trandeshin prej të shtënave çmeritëse. Ndërsa edhe përkundër kësaj dergjjeje, disa për ta rrezatuar pamendësinë e tyre vijojnë të bëjnë veprime që as vetë nuk ia dinë burimin dhe thelbin.
Kësisoj, nëse ti gjuan sonte, me këtë tregon se nuk të dhimbset ajo nënë që gjuajtjet e tua ia përkujtojnë djalin e vrarë, sepse ai nuk iku nga kjo botë përmes hedhjes së tortes në fytyrë!
Nëse ti gjuan sonte, do t’ia përkujtosh jehonën e trishtuar atyre të cilët ishin në valën e asaj uturime të zgjatur, që zakonshëm shoqërohej me ndonjë kumt për vrasjen e ndonjë trimi.
Nëse ti gjuan sonte, do t’i kumtosh të varfërve shpërdorim ekonomik dhe egoizëm social, ngase në vend se t’ia dhurosh ndonjë supë të ngrohtë atyre në këto ditë të ftohta, ti harxhon me qindra supa, duke gjuajtur përpjetë, thuajse mëton ta frikësosh qiellin.
Nëse ti gjuan sonte, ke rënë në kurthin e përqafimit të identitetit kozmopolit, ngase me këtë do të shkrish gjithçka nga vetja, vetëm që tjetri të bindet se më nuk je tjetri, por je sikur ai dhe ai assesi nuk është sikur ti.
Nëse ti gjuan sonte, do t’ma lemerisësh djalin tim katër vjeç e gjysëm dhe vajzën time dhjetëmuajshe dhe do t’i vëshë në një dyzim të thellë ata. Ata do të më pyesin: babë mos vallë je frikacak që nuk guxon të gjuash që edhe ti, t’i tregosh të tjerëve se je i fortë dhe se ke fuqi të shprehur në “allti”. Babi, këta trima të mëdhenj nuk po na lënë të bëjmë gjumë të qetë, por kot të themi, t’i frikohesh t’ia tërheqësh vërejtjen këtyre që kanë armë.
Nëse ti gjuan sonte, do ta ndotësh ajrin dhe mjedisit do t’ia kthesh erën e barutit. Ah kjo erë që ta kujton gojën e pushkës, tytë që dikur kërkonte trimërish lirinë.
Nëse ti sonte gjuash do të tregosh se bën veprime pa ia ditur burimin dhe thelbin, feston një mbetje të paganizmit duke mohuar me gojë këtë ideologji dhe në anën tjetër duke pohuar të nesërmen po me atë gojë se qenkëshe musliman.
Shkurt e shqip, nëse sonte ti gjuan, do ta fëlliqësh krejt dhe mos harro se ai që shpërndan frikë dhe tollovi në mesin e njerëzve, ngjashëm Zoti do të bën me atë njeri!