Agjencia qeveritare për rrugë shtetërore në Maqedoni po përgatit projektin për rrugën Tetovë – Prizren.
Rreth 45 mijë euro janë ndarë për përpunimin e planit të fizibilitetit për të lidhur Tetovën me Prizrenit, ndërsa më pas do të projektohen edhe detajet e tjera se sa kosto do të kushtojë realizimi i këtij projekti infrastrukturor, që lidh Kosovën me Maqedoninë. Rruga magjistrale do të jetë rreth 40 kilometra, ndërsa do të zvogëlojë udhëtimin drejt Prizrenit për rreth tre orë.
Autoritetet e Kosovës vitin e kaluar informuan se po planifikojnë ndërtimin e këtij aksi rrugor që lidhet me Maqedoninë, ndërsa në kuadër të projektit parashikohet ndërtimi i një tuneli, që duhet të kalojë nëpër Malin e Sharrit.
Komuna e Tetovës, siç transmeton ina njoftimin, para shtatë vjetëve në bashkëpunim me një kompani gjermane tentoi realizimin e këtij projekti. Vlerësimet dhe projeksionet financiare dolën që kostoja e këtij projekti shkon në 40 milionë euro, duke përfshirë edhe ndërtimin e tunelit prej 3 kilometrave. Ideja për ndërtimin e rrugës Tetovë – Prizren është disa dekada më parë, si një nyje lidhëse midis Maqedonisë, Kosovës dhe Shqipërisë.