Për një popull të përgëzuar dhe të garantuar me dekretin hyjnor: “Tek I dërguari i Zotit do të gjejë shembullin më të mirë çdokush që shpreson tek Zoti dhe Dita e Fundit, si dhe që e përkujton Zotin shpesh” (Kur’ani, 33:21), jeta e Profetit Muhamed a.s gjatë muajit të Ramazanit, muajit më të begatë në kalendarin islam, ashtu sikurse edhe gjatë pjesës tjetër të vitit, është e një rëndësie të veçantë.
Muslimanëve u kërkohet të luten siç ai lutej, të agjërojnë siç ai agjëronte, t’i kthehen Krijuesit të tyre me sinqeritet dhe përkushtim të plotë, të bëjnë çdo përpjekje të mundshme për ta shndërruar jetën e tyre në shëmbëlltyre të jetës së tij, duke e pasuar në çdo detaj të ekzistencës së tyre njerëzore.
Xhevahiri më i madh në kurorën e vitit islam është muaji i bekuar i Ramazanit, muaji të cilin Profeti a.s e konsideronte si muajin e besimtarëve. Mënyra si Profeti i fundit e kalonte këtë muaj, çdo detaj i të cilit është regjistruar, është modeli, shtegu që çdo musliman duhet të ndjekë për të fituar kënaqësinë, mëshirën dhe faljen e pafundme të Zotit.
T’i hedhim një vështrim një dite të vetme agjërimi të Profetit a.s gjatë Ramazanit, të shfletojmë një faqe nga ditari i vyer profetik që ka arritur të përshkojë shekujt.
Përpara lindjes së diellit
Koha e saktë e vaktit përpara lindjes së diellit, të njohur si syfyr, ishte pjesë e rëndësishme e traditës profetike. I dërguari i Allahut i këshillonte besimtarët të zgjoheshin për këtë vakt që konsumohet përpara fillimit të agjërimit, edhe sikur të hanin vetëm një kafshatë ose të pinin vetëm një gllënjkë ujë, sepse në zgjimin për syfyr fshihen begati të shumta. Ky vakt mund të konsumohej deri përpara faljes së mëngjesit. Profeti a.s i kushtonte rëndësi edhe nijetit për të agjëruar. Si në të gjitha adhurimet e tjera, nijeti është thelbësor edhe për agjërimin. Ai gjithashtu pastronte dhëmbët me misvak, kërcellin e pemës së arakut që përdorej në vend të furçës së dhëmbëve.
Ka disa transmetime sipas të cilave Profeti i Allahut shpeshherë ftonte miq për të ngrënë syfyr. Falja e mëngjesit kryhej me xhemat në Xhaminë e Profetit dhe prihej nga vetë Profeti a.s.
Gjatë Ditës
Gjatë ditës Profeti i Allahut bënte bamirësi dhe akte të shumta bujarie. Aq shumë përkushtohej duke ndihmuar njerëzit, saqë edhe pse ishte më bujari ndër to, dashamirësia dhe bujaria e tij shtohej dukshëm gjatë muajit të Ramazanit.
Në mbrëmje
Në mbrëmje, Profeti a.s e kishte traditë të mos e vononte mbylljen e agjërimit ditor. Ai e thyente agjërimin përpara kryerjes së faljes së akshamit, me hurma të freskëta, ose të thata në mungesë të të parave. Nëse nuk kishte hurma, ai e thyente agjërimin me ujë, ose me ndonjë supë të veçantë.
Në çastin e thyerjes së agjërimit Profeti a.s lutej duke thënë: “O Allah, agjërova për hirin tënd, e theva agjërimin me furnizimin tënd. Etja u largua dhe venat u njomën sërish. Me vullnetin tënd, shpërblimi u shënua.” Profeti nuk kishte ndonjë kërkesë të veçantë sa i përket llojit të ushqimit, ai ushqehej me atë që kishte. Siç e kishte zakon gjithmonë, ai kurrë nuk hante deri sa të ngopej.
Gjatë Natës
Profeti a.s printe faljen e darkës në xhami. Pastaj vijonte falja e teravive, falja vullnetare që kryhet vetëm gjatë muajit të Ramazanit. Më pas ai tërhiqej në dhomën e tij pranë xhamisë ku e kalonte pjesën më të madhe të natës duke falur namaz, medituar dhe duke u lutur.
Gjatë Ramazanit, I dërguari i Allahut i kushtonte më shumë kohë leximit të Kur’anit dhe reflektimit mbi domethënien e tij. Engjëlli Xhebrail vinte çdo natë tek Profeti a.s dhe dëgjonte recitimin e Kur’anit. Më pas engjëlli Xhebrail recitonte të njëjtat ajete për tw krahasuar dhe konfirmuar përmbajtjen e tyre, në mënyrë që të garantohej saktësia dhe ruajtja e fjalës së Allahut xh.sh.
Burimi: thelastprophet.info/.profetimuhamed.inf/
EDITOR
11 years ago
previous article