Të nderuar lexues! Për ta shkruar këtë vështrim, gjithsesi se patëm një “provokim”, i cili na erdhi nga një biznesmen turk, me prejardhje shqiptare, Ahmet Dursun, që jeton dhe vepron në kryeqendrën e Shqipërisë londineze prej para 16 vjetësh. Në motin kur u botua i ashtuquajtur Fjalor enciklopedik maqedonas, ai aq shumë qe i zemëruar, saqë në një gazetë të Tiranës botoi një shkrim, sa simpatik, po aq edhe provokues, ku, pos të tjerash, kishte thurur edhe këtë paragraf “…, akademikët maqedonas arritën, me disa rreshta, të zgjojnë historianët shqiptarë nga një përgjumje të vdekurish…,” dhe më tutje “…, keni parë a dëgjuar që ndonjë historian të udhëtojë bashkë me studentët e tij në qytetin ku u ndërtua kështjella e tërësisë së shkronjave të gjuhës shqipe respektivisht në Manastir…, apo të shohë zbulimet arkeologjike ilire në qytetin e Ohrit?! Keni parë një historian të ftojë studentët e tij për të kaluar së bashku një natë të vetme në Bllacë…, aty pranë hekurudhës, ashtu si qindra-mijëra shqiptarë të Kosovës gjatë luftës?! Nuk kam parë dhe as nuk kam dëgjuar!”, thotë në fund z. Ahmet Dursun.
Ne, që shkruajmë këto rreshta, do bëjmë përpjekje që shkrimit të z. Dursun, të mos i shtojmë e as të mos i heqim as një pikë a presje, thjesht do të themi se ai e ka qëlluar në shenjë. Neve që na ka zaptuar katrahura sot e gjithë ditën e Perëndisë na mbetet që pa “vullnetin” tonë, “…, të flasim shqip, të flemë shqip, të flasim jerm, të pëshpëritim qosheve shqip, të pështyjmë shqip, të fyejmë njëri-tjetrin shqip, të sëmuremi shqip, të (mos) sfidohemi shqip, të kurohemi shqip, të bëjmë seks shqip, të urrejmë shqip, të fantazojmë shqip, të shumohemi shqip, të emocionohemi shqip, të çoroditemi shqip, të inatosemi “arnavutçe”, të marrëzohemi shqip, të dëshpërohemi e të mpakemi shqip, të bëjmë politikë shqip, të bëjmë turizëm shqip, të synetohemi shqip, të luajmë kumar shqip, të ëndërrojmë shqip, të moralizojmë shqip, të premtojmë shqip, të rebelohemi shqip, të çmendohemi shqip, të vishemi shqip, të harrojmë shqip, të filozofojmë shqip, të bëjmë analiza, vështrime, kolumna dhe editoriale boshe shqip, të rrugëtojmë shqip, të (a) socializohemi shqip, dhe… së fundi, ngandonjëherë fare dhe fare pak të sikletosemi a të shqetësohemi shqip sa u përket punëve që nuk na bëjnë…”!??
Lexuesi im i nderuar me plot të drejtë mund thotë se të gjitha këto veprime gjithsesi se do t’i bëjmë shqip, nga fakti se “toptan”  jemi shqiptarë. Po edhe unë, dua s’dua, do pajtohem me këtë konstatim, por ama në më jepet e drejta edhe unë do parashtroj pyetjen: Sa ne, vërtet, rezonojmë shqip, sa bëjmë analiza shqip, sa shkruajmë shqip, sa mençurohemi shqip, sa ndërgjegjësohemi shqip, sa tolerohemi shqip, sa mëshirohemi shqip, sa bëjmë ndryshime shqip, sa vetëndëshkohemi, sa vetëkritikohemi shqip, sa sugjerojmë shqip, sa (nuk) bëhemi fener ndriçues shqip, e të tjera koncepte a nocione gjithmonë dhe gjithmonë shqip dhe vetëm shqiptarçe.
Nga sa lexuat më sipër, kushedi për të satën herë përmenda fjalën SHQIP (kjo fjalë sa e bukur, aq edhe humane), andaj le të më lejohet t’i referohem konceptit, arsimi shqip. Ju, të nderuar lexues pa tarafe, a mund të më thoni se nga shkon arsimi shqip. Pa më thoni, ç’drejtim ka zgjedhur kjo veprimtari shoqërore, qoftë ai fillor, i mesëm…, gjimnazor, profesional, artistik a edhe universitar!? A mos vallë, kështu siç e menaxhojmë, nuk e shembim përdhe…, a nuk e kontrabandojmë e kriminalizojmë, po edhe e anatemojmë. Pa më thoni, të nderuar mësimdhënës, prindër dhe ju që ndërtoni politikën e arsimit shqip, mos vallë nuk doni të hetoni provat e pakontestueshme sa i përket zbehjes së vlerave arsimore, zbehjes së edukimit të fëmijëve tanë, qofshin ata të përfshirë në shkollat fillore nëntëvjeçare, të mesme a ato universitare! Pa më thoni, a mos vallë neve na mungon kultura e kontrollit, kultura e përgjegjësisë, a edhe ajo e ndëshkueshmërisë…, apo jemi të etur për bashibozllëk…, për atë “kulturën” e ashtuquajtur vetëkënaqësi kolektive! Dashamirësit e arsimit thonë se kjo veprimtari, sa e shenjtë dhe po aq humane, në oborrin e saj nuk duron prezencën e armikut të popullit, nuk duron prezencën e “lolove”, a njerëzve të vetëshpallur (pseudo) intelektualë, (pseudo) pedagogë, (pseudo) doktorë shkencash, diversantë, dezertorë e tjerë!
Kësaj veprimtarie nuk i duhen mësues me njohuri “virane”, nuk i duhen mësues kampesh të diktatorëve, nuk i duhen mësues me asi njohuri të cunguara, që nuk janë as për nxënës, as për “dynja” e më pak për “ahiret”!…, nuk i duhen njerëz që u mungon lidhja organike me të, nuk i duhen njerëz që nuk janë të mishëruar me të, nuk i duhen njerëz që do të “prodhojnë diploma për (gjysmë) analfabetë”, nuk i duhen njerëz që dalin nga listat e aktivistëve politikë gjithsesi të papunësuar, nuk i duhen njerëz që do të tregtojnë me të, nuk i duhen njerëz që do t’ia vënë kazmën e… Tekefundit, arsimit shqip, sot e gjithë ditën e Perëndisë, i duhen profesionistë, njerëz mendjendritur, vetëkritikë, njerëz të përgjegjshëm, njerëz të cilët këtë zallamahi do ta luftojnë pa mëshirë dhe nëse duhet edhe barbarisht. Për këtë dhe arsye të tjera, çdonjëri nga ne detyrimisht duhet të ngritë shqetësimin kolektiv a individual. Ndryshe nuk bën.
Ky Sazani, që më “rri mbi kokë”, pos tjerash, më tha: “…, ti xhaxhi, a nuk ke durimin, guximin dhe takatin, të thuash edhe ndonjë llaf për politikën shqiptare, për ata politikanë me paterica si dhe për filozofinë e politikëbërjes së tyre të mbrapshtë”!?? Po ç’të të them, or qerrata, kur më mungojnë fjalët shqip. Ç’të të them për ata, kur të gjithë e dimë se punët nuk i kanë në terezi, ç’të them për logjikën dhe moralin e politikëbërjes sonë të sëmurë…, për politikën tonë që nuk kurohet dot kollaj, për politikën që kurrën e kurrës nuk ka marrë vaksinë kundër tërbimit a fruthit, ç’të them për politikën tonë që nuk përjashton njerëzit të cilët janë “futur” në të për të bërë biznes, për politikanët që u “futën” aty me qëllim që të dalin nga anonimiteti provincial a katundaresk, për politikanët të cilët para se të zinin vend në të, zëvendësuan opingat me “këpucët e sheshta”, për ata që ndryshuan karakterin dhe origjinën, për ata që krijuan klimë paradoksale, për ata që u bënë skllevër të korrupsionit, për ata që në çdo “mexhlis katundesh” mëtojnë të “zbërthejnë” komplekset e tyre. Në instancë të fundit, arsimi dhe politikëbërja jonë, kështu, siç konceptohen, siç llafoset a edhe shkruhen (shqip), nuk ka gjasa të kondicionohen  sot, nesër a në një kohë të ardhme. Këto dy nocione (shqip dhe politika) aq shumë të “përfolura” gjithqysh se kanë nevojë për një “hajmali” që do t’u ngjitet në qafë, vetëm e vetëm që të mos marrin mësysh. Mitro Çelo nga Tirana, dikur në një shkrim, kishte parashtruar këtë barsoletë: “Para një ruleti, të kazinosë, qëndrojnë dy mesoburra kumarxhinj. Mbajnë fishat e fundit në dorë. Dilemë. Ku t’i vendosin? Pasi mblodhën numrat, vendosën 7-tën. Zari qëndroi te zeroja. Do të kishim fituar po të mos kishim gënjyer”! Të nderuar lexues, do të më ndjeni nëse edhe unë në këtë “shkarravinë” ju gënjeva.
Është një shprehje proverbiale ku, pos tjerash, thuhet: “…, kalit po t’i biesh nga vithet, bën përpara, po t’i biesh nga koka, ecën prapa”! A ka ky nënqiell burrë zakoni që do të godasë në kokë katrahurën, papërgjegjësinë, injorancën, hipokrizinë, arrogancën, korrupsionin a edhe fjalën tonë të shtrembëruar….? Nëse s’ka, atëherë ky vështrimi im gazetaresk le të jetë llaf bosh dhe kurrgjë tjetër.