Është e vërtetë e hidhur se meshkujt që shkojnë me shumë femra, në shoqërinë tonë pandehen si heronj, burra apo si “rrotë same”. Po ky burrë me mustaqet e hedhura në shportën që gjendet në skaj të banjës së palarë, me ngulm kërkon një nuse të paprekur, madje as të ledhatuar përciptazi prej ndonjë dorë mashkulli. Ky mirë që kështu kërkon, por shumë keq që nuk arrinë ta kuptojë faktin se vajzat me të cilat dikur çonte lirshëm qejf, ishin vajza që patjetër duhet të bëheshin nuse të dikujt. Kësisoj, secilit mashkull i mbeti të krenohet se ka një nuse të paprekur, përkundër faktit se të gjithë këta meshkuj mesatarisht kishin pasur nga pesë femra. Po mirë ore, ku janë ato femra që ishin dikur nën zotërim të këtyre të “ndershmëve”? Nëse një mashkull i kishte pesë femra në dy duart e tij, atëherë të prishura po dalin të jenë më shumë femrat se sa meshkujt, sepse një nuk është i barabartë me pesë, apo jo? Përkundër kësaj, secili mashkull po krenohet se nusen e ka të paprekur!
Në anën tjetër, një femër që zbulohet se kishte kaluar më së paku me tre djemë, ajo në shoqërinë tonë llogaritet si e përdalë (kurvë). Atë askush nuk e dëshiron për grua. Përkundër kësaj, ajo martohet. Sërish meshkujt krenohen me gratë e tyre të paprekura më parë prej askujt. Nuk pamë të ketë mbetur ndonjë vajzë e pamartuar për arsye morale, kur dihet mirëfilli se një mashkull i kishte pasur pesë vajza, pohim ky që tregon praninë e pandershmërisë në këtë mjedis. Ndoshta lloji i këtyre vajzave kishin ardhur prej Planetit Mars! Përndryshe kjo nuk ka kuptim; të kalosh me shumë vajza dhe sërish secili të krenohet me gruan e tij të paprekur, jo që është e pamundur në këto rrethana, por s’bëhet dot një gjë e tillë. Sërish gëlojnë bisedat për vajza të ndershme dhe të përdala. Të përdalat askush nuk do t’i merr për nuse, kishte thënë ai që krenohej për shumësinë e pasjes së vajzave në dorë. Ato që shquheshin për të përdalë, kishin humbur, ishin martuar dhe nuk ishin pandehur më për të përdala. Nuk kishte më të përdala, vetëm se me ngulm flitej se vajzat e përdala nuk duhet t’i merr askush për nuse, sepse do të jenë njollë e familjes.
Pak më ndryshe! Parimisht, vajzat që shkojnë me djemë pa lidhur kurorë me djalin përkatës janë vajza të përdala. Kjo vlen edhe për meshkujt. Atë që unë dua ta them në këtë rrokopujë është fakti se vajzat nuk duhet të luftojnë që ta fitojnë një status të ngjashëm me të meshkujve, ngaqë po luftojnë për një gjë që është shumë gabim dhe tejet e keqe. Ato nuk duhet ta thyejnë tabunë që edhe ato të ecin si ia ka ëndja me meshkuj, por në anën tjetër të mos quhen e njihen për të përdala dhe të mund të martohen pa asnjë paragjykim. Ato duhet të mos bëhen të përdala dhe jo ta thyejnë një tabu të caktuar. Ligjësimi i krimit prej ligjvënësve kriminel nuk e zhbën krimin! Ne mund t’i quajmë vajzat dhe djemtë e përdalë si njerëz të ndershëm e me vlera të shumta, por kjo thirrje që të dytë aspak nuk i bën të ndershëm, sërish janë të shthurur moralisht. Në vend të kësaj ngarendjeje të pakuptimtë, vajzat duhet t’i gjykojnë edhe meshkujt për veprimet e tyre të ndyta moralisht, duke i vënë kushte para lidhjes martesore. Duhet t’i thonë troç meshkujve se janë të përdalë dhe se nuk do të bëhen bashkë me të përdalë, përveçse në rast pendimi të çiltër, edhe pse kjo varet prej gadishmërisë së femrave për ta pranuar një gjë të tillë. Kështu që, nuk ka nevojë që femrat ta luftojnë një tabu të caktuar, duke pasur për qëllim të bëhen si meshkujt; të shkojnë lirshëm me meshkuj, por të mos njihet si të përdala, mu ashtu sikurse në kohët e sotme veprojnë meshkujt. Shëtisin gjithandej livadheve të huaja dhe sërish lavdërohen prej shoqërisë sonë me botëkuptim të mykur në këtë aspekt. Ngarendja e këtyre vajzave i ngjanë arsyetimit të një gabimi përmes bërjes së një gabimi tjetër. Më falni, por kjo është sikur të pastrosh ndonjë gjë me urinë!
EDITOR
10 years ago
you might also like
JO KRIME, NË EMËR TË NDERIT! – Dr. Bashkim Aliu
2 years ago
Agjërimi shkollë e durimit
3 years ago
Një vazo me shumë lule!
3 years ago