Eh, ky Haxhi baba nga blloku jonë, kohë më parë më tha, nëse shkrimin e radhës a në vijim do ta kesh të “ndotur” me pis llafe, të betohem se nuk do ta lexoj. Nuk i premtova se nuk do ta bëj të “ndotur”, ashtu siç ai më “urdhëroi”, po i thash troç se nuk më shkojnë shkarravinat nëse pak nuk e “ngjyej” a nuk ia “fus” (më falni) ndonjë llaf rrugaçërie.
Pa marrë parasysh se si do të dalë ky shkrim i radhës, unë jam i ndërgjegjshëm se ky Haxhi baba ynë gjithsesi s’do ta paragjykojë si të tillë. I sugjerova: o do e lexosh (në “sabah”), ashtu siç është shkruar, o do të heqësh dorë nga avdesi i akshamit…, ndryshe nuk bën! Pavarësisht se nuk më dha “xhevap”, unë e di se ai këtë shkrim do ta lexojë me kënaqësi, ndonëse pak do mbetet i zhgënjyer. Para se të “ikte” për të falur namazin e “jacisë”, mu lut që këtij shkrimi t’ia shtoj një paragraf nga një vaki që i kishte ndodhur atij. Ma shpjegoi pikë për pike: … ka shumë kohë që ia kam “vënë syrin dhe mendjen” një monedhe prej njëqind eurosh, të cilën zonja e shtëpisë, gjegjësisht haxhica “e ka harruar” nën “cergë”. Kam përshtypjen se zonjës hiç nuk i shkon mendja se “ku e ka barikaduar”!? Do më duhet të “pres edhe disa ditë” që mandej lirisht të vë dorë mbi të dhe ta kem në xhep se, “helbete”, takohem me ndonjë ministër të Doktorit dhe ia “qes një kafe” (siç do thonë shqiptarët nga Kosova pesëvjeçe), madje edhe ty, që merresh me shkarravina, ta paguaj një lëng të trashë. Shihe ti Haxhiun, ai mendon se unë jam kalama. I thash, o do paguash dy gota nga ajo e rrushit të Skraparit, o do të spiunoj te “haxhica”! Tekefundit, edhe ajo nga lëngu i rrushit edhe eurot janë haram!? Haxhi babës i tregova se në shkrimin në vijim do të shkruaj për një “qymez” me shumë pronarë!?
Të nderuar lexues, përfytyroni si mund të duket një “qymez” që ka zënë vend në një cep të Gadishullit Ilirik (fig. mospërf. Shtëpi e vogël dhe e keqe; vend i ngushtë e pa rehati). Ky “qymez” është ngarkuar e mbingarkuar me njerëz me profesione, karaktere, kualifikime dhe trashëgime nga më të ndryshmet. Mund ta merrni me mend se këta njerëz sa shumë janë të zhgënjyer dhe sa pak mund të jenë të gëzuar! “Fundin” e këtij “qymezi” unë nuk mund ta përfytyroj se si mund të duket!? Në atë “qymez” ka njerëz të përgjumur…, është një “qymez” i mbushur me njerëz të përkëdhelur, të lazdruar, maratonistë të fjalës së shkruar e të pashkruar, të vërtetë a edhe të shtrembëruar…, ca të tjerë duken si të kllapitur, do të tjerë inatçorë, por që në mënyrë të përkryer dhe perverse arrijnë të “bashkëjetojnë, të bashkësundojnë, të bashkëveprojnë, të bashkëvjedhin, të bashkëgënjejnë” me të gjithë ata që kanë fiqir të zhvilluar sa i përket njohjes së psikologjisë së turmës dhe nënshtrimit të saj”.
Aty, në atë “qymez”, jetojnë intelektualët me njerëzit të pashkolluar…, aty jetojnë edhe mercenarët politikë…, ca janë qaramanë e të tjerët megalomanë…, aty është ulur krimineli i kushedi sa luftërave të pista që përballë ka bamirësin a humanistin. Aty është ulur edhe pronari i bordellos, i cili klerit mysliman, atij ortodoks dhe katolik u ligjëron për moralin kolektiv…, aty është ulur edhe harami që përballë ka hallallin…, çuditërisht, “sojsëzi e këshillon sojliun”, ndërkaq “analfabeti me kollare (në qafë) dhe me nja dy qime në prapanicë” mundohet që shehërliut (shqiptarit) t’ia shpjegojë se ku duhet të jenë kufijtë e hapësirës shqiptare!? Toptan këta njerëz udhëhiqen nga interesa të caktuara, ca me ato provinciale dhe do interesa të tjerë. Defekti më i madh i “qymezit” konsiston në faktin se çdonjëri prej tyre dëgjon me kujdes llafet a fjalët e tjetrit, ndonëse të dy palët e dinë se ato fjalë krejt fare janë të rreme.
Njerëzit e “qymezit” frymëmarrjen e kanë paksa të rëndë. Ata ballafaqohen me “hallin e kockës në fyt.., çdonjëri prej tyre në fyt e ka atë “kockën e nacionalizmit provincial, tjetri ka kockën e korrupsionit, ndjenjën e të qenit antik, kockën e irredentizmit dhe atë kockën e shovinizmit shtetmadh”! Thonë se në atë “qymez” jetojnë edhe të tillë njerëz të rrjedhur, gjegjësisht njerëz që kanë humbur aftësinë për të gjykuar qartë e në mënyrë të shëndoshë. Njohësit e mirë të njerëzve që jetojnë në këtë hapësirë thonë: të komunikosh me këta duhet të jesh edhe ti paksa i rrjedhur… dhe për këtë çdo njeri e ka vështirë kur atyre u drejtohet me kërkesën që sado pak ta rregullojnë e ta “freskojnë” atë hapësirë politike, rebeluese dhe torturuese. Në vend të përgjigjes, ata bëjnë “të shurdhin”, të tjerët bëjnë “të verbrin”, a mbajnë shikimin mënjanë!
Njeriu që është ulur në kryeminderin e “qymezit” dhe që është i “paguar” të mbajë rend në “fjalëmarrje dhe fjalëdhënie ose edhe në vendimmarrje” nuk është kurrgjë tjetër pos një “vjeshtak” i shëmtuar dhe me lëkurë shollë, i cili me rast dhe pa rast, me a pa “sebep” do të thotë: “… sa kohë që unë do t’i kem punët në terezi a në rregull… dhe derisa nuk do vesh çorape të arnuara dhe derisa nuk do t’i mbath përsëri opingat e gjyshit tim nga Anglia rrospi, hiç nuk do më hajë palla se pse ky vend është mbushur plot e përplot me fukarenj, me njerëz që u ka ikur fiqiri, me njerëz të shëmtuar në surat, me njerëz skizofrenë, me fëmijë të lanë pas dore…, hiç nuk do më hajë palla pse ca primitivë pështyjnë në dyshemenë edhe ashtu të pluhurosur të “qymezit”…, nuk do më hajë palla edhe për ata pak më qytetarë, që do mëtojnë të pështyjnë nga dritarja drejt kalldrëmit që gjendet aty pranë “qymezit”…, hiç nuk do më hajë palla edhe për ata që në këtë “qymez” u futën me merita, inate a me dhunë, dhe ca të tjerë me urdhër të despotit të tyre (Millosheviqit, Sheshelit dhe tajfës së tyre). Hiç nuk më ha palla pse të gjithë zhvillohen, lëvizin, shumohen dhe pështyjnë horizontalisht…, nuk më ha palla se pse këta njerëz të tërbuar shtrembërojnë historitë e vërteta dhe i ushqejnë ato të sajuarat, të njërës a palës tjetër…, hiç nuk më ha palla pse këta njerëz jetojnë në një hapësirë të ngushtë…, a pse nuk gjejnë dot “farë kosi”, pse nuk e dinë dot ku ta hedhin bërllokun e apartamentit, atë bërllokun nacionalist, politik dhe atë katundaresk”!?
Të gjithë këta njerëz që i përmendëm në këtë shkrim, sidomos ata me nofka…, sipas meje përfaqësojnë një komb a një popull. Për këtë dhe arsye të tjera, unë nuk di se si ta emërtoj ndryshe këtë “qymez”!? Mund të them se ky “qymez” ka histori disfatash. I nderuar lexues, nëse ti ke ide tjetër, atëherë këtë “kotec” quaje si të duash.
P.S.
Të nderuar lexues, nëse nuk personalizohem, do të më duhet që këtë shkrim t’ia dedikoj gjyshit tim, i cili më 16 shtator të motit 1943, në Mbledhjen e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, ndërtoi fjalimin e tij të fundit politik.
EDITOR
12 years ago
previous article
Sondazh: “SHCM” “vlon” nga korrupsioni
next article
Nga Kolosët e kësaj Feje – Muhamed Nasrudin Albani
you might also like
JO KRIME, NË EMËR TË NDERIT! – Dr. Bashkim Aliu
2 years ago
Agjërimi shkollë e durimit
3 years ago
Një vazo me shumë lule!
3 years ago