Një proverb yni popullor thotë: “NUK MJAFTON TË JESH NJERI I MADH PËR TË QENË NJËKOHËSISHT EDHE NJERI!”. Kryepersonazhi a “bashkëbiseduesi” i radhës i kësaj “shkarravine” për gazetë do të jetë shoku im i klasës, NN, i cili sot e gjithë ditën edhe pas pesë dekadash mëton të jetë njeri dhe kurrgjë tjetër!
Të shtunat e të dielat i kam të “rezervuara” për të bërë “pazare për nevojat shtëpiake”. Një të shtune mora udhë për në pazar me listën në xhep dhe, sapo dola nga banesa, hoqa nga ajo listë do gjëra që “shovinizmit tonë mashkullor” nuk u hyjnë në punë e nuk i shkojnë për hesap.  Këtë e bëra me qëllim sa për të mos i lajthitur lexuesit e gjinisë femërore!
Duke hyrë në hapësirat e tregut të gjelbër të kasabasë së Tetovës (ku mund të dëgjosh e të ballafaqohesh me gjithfarë dialektesh, qofshin të vendit a të krahinës, kurse fare pak me fjalë nga gjuha standarde shqipe, aty mund të hasësh njerëz me identitete hermetike, anonime, njerëz që “frymojnë jashtë kolektivitetit”, njerëz që jetojnë dhe mbijetojnë brenda individuales etj.) takova  shokun e klasës të viteve të gjashtëdhjeta, shokun i cili ka shumë kohë që është familjarizuar me atë varfërinë e tij të skajshme materiale. Nuk më shikonte as nga larg e as në distancë, as me inat e as me skepticizëm, thjesht sikur donte t’i përcillte pak dashuri…”indiferencës sonë kokëfortë” dhe kolektive, sikur donte ta zgjonte atë heshtjen e të pandehurit a fajtorit, sikur nuk donte që morali i tij të “kërleshet” me moralin e disa djajve a me atë moralin e bukëshkalëve a bukëharamëve, me moralin e atyre që hiqen për engjëj…, sikur donte  t’i referohej Kiço Blushit, i cili në  një opinion të tij shpjegon moralin e një lavireje ku, pos tjerash, thotë: “Nuk paskësh gjë më të shëmtuar kur prostituta e një katundi del te rrapi që të përbetohet, duke bërtitur deri në kupë të qiellit, bindu, o milet, se… se unë kam mbetur e virgjër”!
Duke më përshëndetur me gjysmë goje, më parashtroi një pyetje lakonike: “Miku im, pa më thuaj se ç’punë bën ti”!? Ia ktheva, bëj përpjekje të ushtroj detyrën e mësuesit të pedagogjisë dhe kohë pas kohe mundohem të “shkarravis ndonjë shkrim a kolumne” për gazeta shqiptare, hiç pa pare? Ai e njeh fare mirë profesionin tim, por ja që, si çdo herë, “muhabetin” e fillon nga fundi. Ma ktheu, a nuk je “hoxhë”? Se më “paragjykoi” këmbë e krye isha i ndërgjegjshëm, por ama se më “identifikoi” me klerin mysliman, nuk ma “kapi fiqiri”, dhe mbase u detyrova t’i kërkoj një shpjegim shtesë se pse erdhi në këtë përfundim paksa të “mbrapsht”. Po, më tha, me atë mantel të gjatë e të zi më dukesh si hoxhë fshati. Duke mbetur i “shastisur”, po mbase edhe gojëhapur, gjeta forcën t’i them ç’të duhet hoxha!? Se pse i duhej mikut tim një titullar mysliman, do ta parafrazoj në paragrafin e fundit të këtij shkrimi.
Mikun a shokun e klasës (bukën e gojës e siguron duke mbledhur a grumbulluar kanoçe dhe shishe të hedhura në mbeturina) sa herë që ta takosh, aq herë të  trazohen edhe ato pak emocione që të kanë mbetur…, është një njeri që hiç fare nuk i intereson “ndjesia komode e bashkëqytetarëve a edhe bashkëmoshatarëve” të tij dhe, kështu siç duket, të krijon përshtypjen se i ka tejkaluar, po edhe i ka lënë pas të gjitha paragjykimet, ka përjashtuar të gjitha emocionet si dhe atë ndjesinë e të qenit i varfër…, një “varfëri” që e ka më afër hundës, syve, gojës dhe shumë larg mendjes së tij… dhe për këtë nuk synon që të jetojë me dy standarde, nuk lejon që t’i japësh lëmoshë dhe, po bëre t’i japësh një lek, ta kthen paksa i rebeluar dhe i inatosur me fjalët: jepja atij që është më skamnor se unë!…, kurse unë, sa di e sa mbaj mend, më të varfër se ai në kasabanë e Tetovës zor se mund të gjesh një të tillë si ai. Unë dhe ca të tjerë që ia njohim nga afër psikologjinë dhe karakterin, po edhe “vendbanimin e tij të paqëndrueshëm”, nuk dimë se çka mund t’i shtojmë dinjitetit të tij. Ai nuk lejon që të solidarizohesh me varfërinë e tij të skajshme, ai prej askujt nuk kërkon kujdes paksa më tjetërfare. Ai nuk na paragjykon, po as që do të thotë se kujdesi ynë ndaj tij na qenkësh kushedi se çfarë, ai është i ndërgjegjshëm se ky kujdes yni ndaj tij është si ajo tërkuza e trashë brenda në thes. Atij nuk i dhimbset vetvetja, nuk i dhimbset retrospektiva e tij, përkundrazi  i dhimbset burrëria dhe morali ynë i dyfishtë…, atij i pengojnë ecejaket tona të përditshme, të bezdisshme, atij i pengojnë padrejtësitë tona të neveritshme…, ai e di fare mirë se rrugëtimet tona “s’janë as për dynja e as për ahiret”, as për familje e kalamaj, as për…!?
Ai nuk “trishtohet”  nga varfëria, sepse atë e përqafon ditë për ditë, e ka për xhan dhe për zemër…, nuk trishtohet sepse nuk ka zemër të trishtuar…, sepse në gjeografinë e tij morale nuk ka vend për një gjë të tillë…, ajo varfëri e ka për kryefjalë a kryeshtyllë pastërtinë e moralit të tij.
Për ju, të nderuar lexues të paanshëm, tani më duhet ta parafrazoj meselenë e hoxhës. Sipas mikut tim, ky hoxhë, në këtë kohë të pa kohë, në këtë katrahurë a rrëmujë tonin kolektive, në këtë hapësirë ku jetojnë a mbijetojnë njerëz që u ka “ikur fiqiri”, gjithsesi se me “takatin e tij mental” ndofta do t’ua këndonte a lexonte një dua, do t’ua  bekonte ujin që e pini…, mbase edhe do t’ua bënte haram bukën e fukarenjve që e hanë dhe, së fundi, ndoshta edhe do t’i mallkonte!??
Për ta përfunduar këtë shkrim kushtuar shokut të klasës a mikut që është i memorizuar në gjykimin tim, do t’i referohem një “kredoje të bindjeve të Ismet Totos, shkrimtarit, publicistit dhe revolucionarit shqiptar, i cili në prag të ekzekutimit (me varje në litar në vitin 1937, pas dështimit të  lëvizjes antizogiste të Delvinës), kishte shkruar letrën tronditëse me nëntitull De profundis: BOTA NUK ËSHTË E ATYRE QË NGROHEN. BOTA ËSHTË E ATYRE QË DIGJEN”! Kjo Botë e fukaranjëve që sot “digjet pamëshirshëm”!?… i takon shokut të klasës sime të para pesë dekadave.., siç ky shkrim i dedikohet njeriut që nuk kërkon lëmoshë!